“Italia s’besoi te Çani, Bogdani në superformë”

May 2, 2012 | 10:54
Xhani de Biazi

De Biazi tregon vëzhgimet e lojtarëve në Europë.

Xhani de Biazi ka vlerësuar maksimalisht lojën e Erjon Bogdanit në ndeshjet e fundit te Siena, si dhe ka theksuar faktin se skuadrat italiane kanë gabuar me Edgar Çanin.
Gjatë një interviste për mediat italiane, trajneri i Kombëtares shqiptare ka shpjeguar me detaje punën që ai ka bërë që nga koha kur mori drejtimin e kuqezinjve. De Biazi ka theksuar ndryshimet që ka hasur nga drejtimi i një klubi te një skuadër kombëtareje, duke vërejtur si pikë kyçe vëzhgimin e shumë lojtarëve në kampionate të ndryshme të Europës. Ai ka sqaruar se Shqipëria që ai drejton, nuk mundet tashmë që të humbasë lojtarë si Xherdan Shaqiri dhe Blerim Xhemaili, ndaj edhe tekniku është duke vëzhguar çdo të ri të talentuar, për ta afruar në përfaqësuesen shqiptare. “Të drejtosh një skuadër kombëtare është shumë ndryshe nga një klub futbolli. Ka nevojë për shumë punë, sidomos në aspektin e vëzhgimit të lojtarëve aty ku ata luajnë. Shqipëria i ka thuajse të gjithë lojtarët që luajnë në kampionate të ndryshme të Europës dhe natyrisht një gjë e tillë nuk më ndihmon shumë. Por nga ana tjetër nuk mund të humbasim lojtarë si Shaqiri (Xherdan) dhe Xhemaili (Blerim), të cilët në realitet janë shqiptarë (luajnë për Zvicrën). Në këtë kontekst, puna ime është që t’i stimuloj dhe t’i afroj në skuadër. Gjithsesi, ndihem mirë dhe dua ta shijoj deri në fund këtë moment”, ka pohuar fillimisht tekniku i Kombëtares sonë. Më tej, ai ka dhënë një ide të tij edhe për sulmuesin e Sienës, Erjon Bogdani, i cili po kalon një periudhë të mirë te kjo skuadër. “Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe nuk më duket se është vetëm për ne. Ai ka bërë gola së fundmi madje edhe ndaj Milanit, dhe e them me bindje se kam shumë besim te ai dhe besoj se mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme”, ka vazhduar De Biazi. Në fund, tekniku i Kombëtares shqiptare ka vlerësuar lojën e sulmuesit shqiptar të Polonia Varshavës, Edgar Çani. “Tani luan në Poloni te Polonia Varshava dhe mendoj se po bën një punë të mirë tek ajo skuadër. Pati shansin që me mua në ndeshjen e parë, pas vetëm dy minutash arriti të shënojë duke shtuar edhe më shumë konsideratën që kam pasur për atë si lojtar. Jam i sigurt se mund të japë shumë në Kombëtare. Në krahasim me ç’ka qenë, loja e tij ka ardhur gjithnjë në rritje. Është bërë më agresiv dhe, për më tepër, është shumë herë më shumë konkret para portës. Gjykoj se ai mund të luajë shumë mirë në Itali, por nuk pati kohën e mjaftueshme për të treguar se sa e meritonte kampionatin italian”, ka përfunduar De Biazi.

Bogdani titullar, Cana në pankinë
Kampionati italian i futbollit dhuron sot një derb shqiptarësh, pasi në Lacion e Lorik Canës do të presë Sienën e Erjon Bogdanit. Sipas informacioneve të marra nga mediat italiane, sulmuesi pritet ta nisë ndeshjen si titullar, duke përbërë kështu së bashku me Destron dyshen e sulmit të Sienës, ndërsa mesfushori shihet si zëvendësues. Cana është lënë në pankinë nga trajneri Reja dhe në vend të tij do luajë Matuzalem. Kujtojmë se Lacio luan për të kapur një vend në Kupat e Europës, ndërsa Siena thjesht për statistikë, pasi as pretendon dhe as rrezikon rënien.

Migen Memelli
Migen Memelli mund të rikthehet në kampionatin shqiptar të futbollit, te ish-skuadra e tij, Flamurtari. Lajmi konfirmohet edhe nga trajneri Shkëlqim Muça gjatë një interviste për “Panorama Sport”. Muça shpreh hapur dëshirën për afrimin e sulmuesit Migen Memelli: “S’kam çfarë flas për Memellin, pasi është një lojtar që e ka treguar veten. Unë si trajner kam dëshirë që ai të jetë pjesë e Flamurtarit në sezonin e ardhshëm”.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura