Dobësohet Uragani “Irene”, godet Nju Jorkun

Aug 28, 2011 | 17:50

Uragani “Irene” është dobësuar duke rënë në kategorinë e parë në një stuhi tropikale. Niveli i ujit të dy lumenjve East River dhe Hudson në Nju Jork është ngritur mbi nivelin duke përmbytur pjesë të Manhattanit, midis tyre Wall Street dhe South Street, si dhe pjesë të Brooklynit.

Ekipe të punëtorëve njujorkez, në mesin e tyre shumë vullnetarë po tentojnë të parandalojnë ujërat që po përmbysin ato zona, duke përfshirë edhe hekurudhën nëntokësore.

Guvernatori i Nju Xhersit, Kris Kristie deklaroi se ky uragan mund të ketë një kosto prej dhjetëra miliardë dollarëve nga dëmet që do të shkaktohen, sidomos në periudhën e dobësimit të ekonomisë amerikane.

Në Nju Jork rreth orës 16.00 janë ndërprerë reshjet e shiut, dhe ka pasur rënie të nivelit të ujit që ka përmbytur disa pjesë të këtij metropoli.

Qendra Nacionale për ndjekjen e Uraganëve bëri të ditur se “Irene” është dobësuar në një stuhi tropikale duke i`u afruar Nju Jorkut. Ajo po lëviz me shpejtësi 104 kilometra në orë. Pritet që për disa momente uragani të përfshirë me fuqinë më të madhe tërë Nju Jorkun.

 

“Irene”, të paktën 10 të vdekur, i afrohet NY

Uragani “Irene” i është afruar Nju Jorkut, me erëra të ashpra dhe kërcënime për përmbytje.

Nju Jorku pritet të kthehet në një qytet fantazmë pasi më shumë se 370 mijë njerëz janë evakuuar, ndërsa transporti publik është ndërprerë tërësisht.

Kreu i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Bllumberg, në konferencën e fundit për media, tha se largimi nga stuhia nuk është më i mundur.

“Në këtë moment, nëse ju nuk jeni evakuuar, sugjerimi ynë është të qëndroni aty ku jeni. Natyra është shumë më e fortë sesa ne”, ka thënë ai.

Së paku nëntë persona kanë humbur jetën në Karolinën e Veriut, Virxhina dhe Florida, si pasojë e aksidenteve me makinë, sulmeve në zemër dhe rrëzimit të pemëve.

Me kalimin e tij përgjatë bregdetit amerikan, uragani ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për më shumë se një milion njerëz, ka anuluar mbi tetë mijë fluturime dhe ka detyruar dy milionë njerëz të largohen nga shtëpitë – gjysma e tyre nga Nju Xhersi.

© Panorama.al

Te lidhura