“Imuniteti të mos e pengojë hetimin”

Jul 11, 2012 | 14:50
Prokurorja e Përgji-thshme, Ina Rama

Prokurorja e Përgji-thshme, Ina Rama, dha dje një ide disi të ndryshme për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, ndryshe nga propozimet e deritanishme. Duke mos u përfshirë direkt në debatin për heqjen ose jo të mbrojtjes ligjore për zyrtarët kundrejt hetimeve penale, kryeprokurorja e shtriu propozimin e saj në prizmin që Prokuroria të mos ketë pengesa për fillimin e hetimeve. “Në rastin e imunitetit të gjyqtarëve, ne vazhdimisht kemi dhënë mendimin tonë, kemi qenë pro heqjes, po ndoshta të paktën minimalisht pro kufizimit të imunitetit, deri në nivelin që Prokurorisë t’i lejohet të bëjë hetimet e duhura, të nevojshme për të ngritur akuza konkrete sipas rastit”, tha Rama për “Top Channel”. Deklarata u bë nga kryeprokurorja, pas pjesëmarrjes në aktivitetin e organizuar nga misioni “Euralius III”. “Ne jemi shprehur vazhdimisht pro heqjes së imunitetit, por në çdo rast kemi thënë që të paktën nga këndvështrimi jonë, zyra e prokurorit të Përgjithshëm ose Prokuroria si institucion duhet të jetë i lirë të ketë të gjitha mundësitë ligjore të hetojë. Ndoshta imuniteti të mund të jetë një mbrojtje që do të shtrohet në momentin kur formalisht ngrihet një akuzë dhe ky ka qenë një propozim që ne kemi bërë. Gjithmonë kemi thënë që jemi pro heqjes së imunitetit”, ka vijuar më tej kryeprokurorja.
Imuniteti
Me bazën ligjore aktuale, Prokuroria është e detyruar që të kërkojë autorizim nga Kuvendi në rastin e hetimit ndaj deputetëve dhe disa zyrtarëve të tjerë shtetërorë dhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në rastet e hetimeve ndaj gjyqtarëve. Një procedurë e tillë është konsideruar shpesh si një rrezik pasi në rastet kur është duke u hetuar një vepër korrupsioni në zhvillim e sipër, kërkesa për heqjen e imunitetit mund të dëmtojë sekretin hetimor dhe palët reagojnë, duke anuluar kryerjen e veprimeve të veprës penale. Drejtuesja e organit të akuzës, edhe më parë ka kërkuar heqjen apo kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, me qëllim që hetimi i Prokurorisë të zhvillohet në mënyrë proaktive dhe të fshehtë. Kërkesa për kufizimin e imunitetit është artikuluar që nga viti 2009, fillimisht nga drejtuesit e Task-Forces Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas nga Prokuroria e Përgjithshme. Organi i akuzës duket se i qëndron më shumë një ideje të mesme për heqjen e imunitetit, sesa zhveshjes apriori të zyrtarëve nga mbrojtja ligjore. Kështu, Prokuroria kërkon që me ligj të hiqet pengesa për regjistrimin e procedimit penal dhe mbledhjen e provave dhe imuniteti të ekzistojë vetëm në fund. Pra, Prokuroria të mos kërkojë autorizim për mbledhjen e provave, por autorizimi të kërkohet vetëm në momentin kur hetimi ka përfunduar dhe Prokuroria gjykon se zyrtari duhet të arrestohet. Në këtë kohë, kërkesa për autorizim nuk rrezikon nxjerrjen e sekretit të hetimit.

“KLD, në faj për nivelin e lartë të korrupsionit”
Halimi: Të shmangim me ligj emërimet nepotike të gjyqtarëve

Eduard Halimi

TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, e cilësoi dje Këshillin e Lartë të Drejtësisë si faktor në nivelin e lartë të korrupsionit në sistemin e Drejtësisë. Deklarata e ministrit u bë  në takimin e katërt këshillues të misionit “Euralius” me aktorët e Drejtësisë në vend. “Projekti ka evidentuar me të drejtë se çështja e korrupsionit në Drejtësi ka lidhje të drejtpërdrejtë me promovimin e gjyqtarëve bazuar në meritokraci dhe jo mbi baza klienteliste. Projekti ka kërkuar prej vitit të kaluar që KLD-ja të miratojë akte nënligjore të qarta për promovimin dhe karrierën e gjyqtarëve. Këto vendime akoma nuk janë marrë. Ajo që i ndodhi sistemit Gjyqësor gjatë viteve të fundit, ishte pa dyshim një goditje e rëndë, e cila do shumë kohe të rinovohet, dhe unë jam i bindur se KLD-në dhe projektin “Euralius” e pret një punë e madhe në vjeshtën e këtij viti. Vetëm promovimi i gjyqtarëve dhe prokuroreve në bazë të një sistemi të qartë karriere dhe vlerësimi, bazuar në kritere të qarta dhe transparente, si dhe largimi i gjyqtarëve dhe prokuroreve të korruptuar nga sistemi, pa asnjë kompromis, do të sjellë një impakt real në përmirësimin e sistemit”, deklaroi Halimi. Duke përmendur edhe njëherë nevojën e shumicës së cilësuar për miratimin e disa prej nismave ligjore në Parlament, ministri Halimi u shpreh: “Shpresoj shumë dhe uroj që ky rol i tyre të përdoret edhe në sfidën e radhës që ka sistemi i Drejtësisë në Shqipëri për heqjen e imunitetit”. Në të njëjtën tryeze, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, shprehu rezerva në lidhje me draftin për disa shtesa e ndryshime të ligjit për Gjykatën e Lartë, miratuar nga Këshilli i Ministrave. Sipas Becajt, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrë plotësisht në konsideratë të gjitha propozimet e Gjykatës së Lartë. “Finalizimi i draftit të miratuar nga Këshilli i Ministrave nxjerr në pah se nga ana e Ministrisë së Drejtësisë nuk janë marrë plotësisht në konsideratë të gjitha propozimet e Gjykatës së Lartë. Ne e konsiderojmë të një rëndësie të veçantë, pasi kanë të bëjnë me një sërë aspektesh të funksionimit të trupës gjyqësore, personelin e ndihmesave ligjor në lidhje me kriteret për emërimin e tyre, trajtimet e punonjësve të administratës dhe ajo që është më e rëndësishme, shtimit të një kolegji me 5 anëtarë”, tha Becaj. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura