
Ambasadori britanik, Nicholas Cannon, i bën apel klasës politike të përmbushë 12 prioritetet.
“Partitë dhe Kuvendi të bëjnë prioritet integrimin në BE”
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon, deklaroi dje se partitë politike duhet të vijojnë reformat për të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti. Gjatë një vizite në qytetin e Gjirokastrës, diplomati britanik deklaroi se Shqipëria duhet ta shikojë çështjen e anëtarësimit si objektiv dhe duhet ta përqafojë atë si një objektiv kombëtar duke tejkaluar interesat politike. “Unë mendoj që për vendin, për partitë politike e për Parlamentin ky nuk ka qenë prioritet. Pa dashur të jem oponent i çështjeve të brendshme të vendit dhe problemeve të klasës politike, dua të them se nëse ky është një objektiv, duhet ndjekur si i tillë nga të gjithë”, deklaroi ambasadori Cannon. Diplomati Nicholas Cannnon deklaroi dje se edhe Britania, si një prej vendeve të BE, është e interesuar që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, duke shtuar më tej se “shpresojmë që kjo të ndodhë këtë vit ose në të ardhmen e afërt”. Duke folur për dy reformat kyçe, ambasadori vlerësoi miratimin e Reformës Zgjedhore, por e njëjta punë kërkoi që të zbatohet për kufizimin e imunitetit dhe reformimin e sistemit të Drejtësisë. “Të gjithë e dimë se ajo që ka të bëjë me çështjen e drejtësisë këtu, korrupsionin dhe rastet specifike që gjykohen prej gjykatave shqiptare, gjithashtu çështjet e krimit të organizuar, hyjnë mes 12 kritereve të cilat duhet të plotësohen për marrjen e statusit kandidat. Këto janë aspekte të rëndësishme të kritereve dhe të gjitha vendet anëtare janë të interesuara të shikojnë më shumë progres rreth këtyre çështjeve. Reforma Zgjedhore ishte një pikë kyçe dhe tjetra sigurisht ka qenë çështja e imunitetit të deputetëve dhe gjithashtu imunitetit për gjyqtarët. Këto janë çështje që kanë kërkuar një konsensus të gjerë dhe konsensusi i mëtejshëm do të jetë në interes të klasës politike këtu dhe reformave në Shqipëri. Ndaj këtyre aspekteve anëtarët e BE janë shumë të vëmendshëm dhe të dyja këto çështje po marrin zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë në mënyrë urgjente, për t’i paraprirë vlerësimit të ardhshëm”, theksoi Cannon.
“Shqipëria i shpëtoi krizës ekomomike”
Ambasadori i Britanisë në Tiranë, Nicholas Cannon, vlerësoi dje ekonominë shqiptare, duke thënë se ajo i ka mbijetuar krizës globale. “Nëse do shikonim ekonominë shqiptare, do të thosha se Shqipëria i ka mbijetuar krizës ekonomike mjaft mirë dhe unë e shikoj këtë si një kontribut të menaxhimit ekonomik të vendit. Ministria e Financave dhe politika financiare e Shqipërisë ka bërë që situata ekonomike të jetë në nivele relativisht të forta, në raport me sfidat ekonomike që përballet rajoni dhe me të cilat ju vetë jeni përballur”, u shpreh Cannon.
Holtkemper
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, i kërkoi politikës shqiptare reforma reale dhe jo në letër. Gjatë një prononcimi për mediat nga qyteti i Gjirokastrës, Holtkemper u shpreh se reformat në Shqipëri nuk duhen bërë si një kërkesë e faktorit ndërkombëtar, por si nevojë për t’u zbatuar nga vetë institucionet shqiptare.
Gjirokastër/ Piro Nase
© Panorama.al











