“Imuniteti, afat deri më 20 shtator”

Sep 9, 2012 | 11:02
Majlinda Bregu

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi dje se Parlamenti ka si afat të fundit datën 20 shtator për të miratuar 3 pikat e mbetura të paplotësuara nga 12 rekomandimet e Komisionit Europian. Në një intervistë për “Vizion Plus”, ministrja Bregu thekson se ka mbetur ende për t’u miratuar me konsensus kufizimi i imunitetit të zyrtarëve shqiptarë, ligji për Gjykatën e Lartë  dhe reformat parlamentare. Për ministren, këto detyrime duhet të plotësohen pa humbur kohë, në mënyrë që më 10 tetor Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. “Detyrimet, të cilat ne duhet t’i plotësojmë brenda 3-javëshit të parë kalendarik, të miratuar nga Kuvendi ose të atij të shtatorit që përkon me datën e prerjes së progres-raportit, që do të japë vendimin për Shqipërinë janë: heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë në Shqipëri dhe votimi i ligjeve që janë në Parlament si pjesë e paketave të rëndësishme, sikurse është ligji për Gjykatën e Lartë”, theksoi Bregu.
Imuniteti
Paketa e ndryshimeve kushtetuese, e propozuar nga Partia Socialiste, sipas ministres së Integrimit Majlinda Bregu, nuk duhet të diskutohet së bashku me nismën e demokratëve për kufizimin e imunitetit. Sipas Bregut, të dyja çështjet nuk duhen unifikuar, por imuniteti të votohet sa më parë dhe paketa e propozimeve të PS-së të shqyrtohet në kohën e duhur nga ekspertët ligjorë të Këshillit të Legjislacionit në Kuvend. “Nuk ka arsye që heqja e imuniteti të lidhet me 7 propozimet e tjera të Partisë Socialiste, apo me ndryshimet kushtetuese. Hajde të votojmë heqjen e imunitetit, sepse heqja e imunitetit është detyrim që mbartim në të 12 pikat dhe në paketën e nëntorit. Le t’i japim kohë Këshillit Legjislativ dhe Komisionit të Ligjeve që të shqyrtojë dhe të diskutojë mbi propozimet e PS-së”.
Diskordancat
Sipas Bregut, nuk ka asnjë mospërputhje mes deklaratës se ministrit Panariti për imunitetin dhe qëndrimit të Kryeministrit, pasi zhveshja nga mbrojtja ligjore është përfshirë te prioriteti numër 8 për luftën ndaj korrupsionit. “Nuk ka asnjë diskordancë dhe është një gjë që duhet parë me shumë qartësi, që të kuptosh që nuk është diskordancë. Në fakt, ajo çka është në 12 prioritetet, heqja e imunitetit nuk është një prioritet që fillon apo mbaron me heqjen e imunitetit dhe kjo heqje është brenda detyrimit numër 8, që është lufta ndaj korrupsionit”.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura