“Imami e Gjunkshi, të korruptuar, fatkeqësi për ushtrinë”

Feb 22, 2012 | 10:53

Vladimir Qirjazi

Gjenerali i shkarkuar, letër Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend.

Qirjazi: Ju sjell në vëmendje kabllogramet e WikiLeaks, nuk kam zbatuar urdhrat e paligjshëm.

Vladimir Qirjazi është gjenerali i tretë, që ankohet në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare për shkarkim dhe nxjerrje në rezervë në mënyrë të padrejtë. Gjeneral Qirjazi, me një karrierë 29-vjeçare në Forcat e Armatosura, i është drejtuar me një letër Kuvendit, ku kërkon të kryhet një investigim parlamentar për shkarkimin e jashtëligjshëm dhe të motivuar politikisht. “Panorama” boton sot letrën e plotë të gjeneral Vladimir Qirjazit, i cili akuzon ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Xhamal Gjunkshi, si të korruptuar dhe një fatkeqësi për Ushtrinë shqiptare, që është pjesë e NATO-s.

LETËR
DREJTUAR: KOMISIONIT PARLAMENTAR TË MBROJTJES TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
LËNDA: INFORMIM LIDHUR ME SHKARKIMIN DHE NXJERRJEN NË REZERVË PADREJTËSISHT i VLADIMIR QIRJAZIT, GJENERAL BRIGADE.

Të nderuar zotërinj Deputetë,
Unë Vladimir Kozma Qirjazi, ish-oficer aktiv në FA me gradën “Gjeneral Brigade”, dëshiroj t’ju bëj me dije për sa më poshtë:
Kam mbaruar studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në vitin 1982, në specialitetin Gjitharmësh. Qysh prej diplomimit tim si oficer, për 29 vjetësh e 6 muajsh kam shërbyer me përkushtimin maksimal për kryerjen e detyrave të ndryshme dhe të rëndësishme në strukturat e FA, duke filluar nga komandant kompanie, komandant batalioni, pedagog dhe punonjës shkencor në Akademinë e Mbrojtjes, zv/komandant i akademisë “Skënderbej”, specialist në degën e shtabeve në Drejtorinë e Operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm, zv/komandant i Forcave Tokësore, Komandant i Brigadës së Stërvitjes Bazë, Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, zv/komandant i KDS-së, komandant i Komandës Mbështetëse, zv/komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar dhe së fundi zv/komandant i KDS-së.
Gjatë karrierës sime ushtarake kam pasur nderin për të shërbyer dhe në misione jashtë vendit e konkretisht: nga tetor 1994-prill l995 në Misionin e Vëzhguesve Ushtarakë të OKB-së në Gjeorgji (UNOMIG); shtator 1996-prill 1997 dhe shtator 1997-korrik 1998, komandant i Kontingjenteve shqiptare në misionin e NATO-s “IFOR” dhe “SFOR” në Bosnjë-Hercegovinë. Kam qenë pjesëtar aktiv dhe drejtues i stërvitjeve dy dhe shumëpalëshe të zhvilluara në kuadrin e PfP, brenda dhe jashtë vendit. Stërvitja e fundit shumëkombëshe e zhvilluar në Shqipëri nga 16-24 tetor 2010 (stërvitje e vendeve të Europës Juglindore për emergjencat civile) ka qenë “SEESIM-10”, në të cilën kam qenë drejtor i saj.
Gjatë karrierës sime si ushtarak, në të gjitha detyrat e ngarkuara jam vlerësuar maksimalisht për kryerjen me sukses të tyre, si dhe kam qenë shumë aktiv në proceset e anëtarësimit në NATO.
Në periudhën 1989-1991 kam kryer Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, të cilën e kam përfunduar me rezultate të Shkëlqyera. Në periudhën korrik 2000-qershor 2001 kam kryer Kolegjin e Luftës të Ushtrisë Amerikane (Army War College) në Pensilvani të SHBA-së, ku kam marrë edhe gradën shkencore “Mjeshtër për Studime Strategjike”. Pas vitit 1995 kam kryer gjithashtu shume kurse profesionale (afatshkurtra) brenda dhe jashtë vendit, të cilat i kam vënë plotësisht në interes të zbatimit me sukses të detyrave që më janë ngarkuar. Në 17 vjetët e fundit kam përfaqësuar denjësisht Forcat e Armatosura në shumë aktivitete dy e shumëpalëshe, në të cilat jam vlerësuar për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar. Jam njohës shumë i mirë i gjuhës angleze, si dhe kam njohuri modeste në gjuhën gjermane dhe ruse.
Ecuria ime në karrierë ka qenë normale dhe në përputhje me të gjitha kriteret e ligjeve në FA. Jam graduar në gradën e Gjeneralit të Brigadës me dekret të Presidentit të Republikës nr. 5759, datë 10.06.2008
Më dt. 05.01.2012 jam njohur me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes Nr.
2089, datë 29.12.2011 për zbatimin e Dekretit Nr.7189, datë 16.12.2011 të Presidentit të Republikës “Për shkarkimin dhe nxjerrjen në rezervë të zëvendëskomandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes”
nëpërmjet shkresës Nr.06/1, datë 04.01.2012, “Komunikim Urdhri” të Komandantit të KDS-së.
Dëshiroj t’ju bëj më dije se për mua kjo ka qenë një befasi e madhe, pasi jam nxjerrë në rezervë jashtë çdo arsyeje ligjore dhe profesionale. Propozimi i ministrit të Mbrojtjes dhe i shefit të Shtabit të Përgjithshëm është dërguar në konspiracion të plotë te Presidenti i Republikës, rast tipik për administrata të shteteve totalitare. Kjo për mua përbën një tjetër rast, i cili tregon se ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm janë të korruptuar politikisht, në bindjen time një fatkeqësi e madhe për një ushtri të NATO-s.
Ju siguroj se jam tërësisht në gjendje të pozicionoj veten në raport me të drejtën që më takon për të shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura. Alibia e ministrit të Mbrojtjes se për shkakun tim është stopuar përparimi në gradë i ushtarakëve është spekulim, pasi MM dhe SHSHP mbajnë në radhët e FA gjeneralë, kolonelë, nënkolonelë dhe majorë në kundërshtim me ligjet e funksionimit të FA-së.
Gjatë kësaj periudhe kam analizuar me qetësi dhe profesionalizëm gjithçka ka ndodhur dhe më rezulton se shkarkimi dhe nxjerrja ime në rezervë është bërë pa asnjë motiv, mbështetje dhe arsyetim ligjor. Dekreti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr.7189, datë 6.12.2011, për nxjerrjen time në rezervë si dhe procedura e ndjekur nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes, për nxjerrjen time në rezervë, janë plotësisht të paligjshme, pasi ato vijnë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
-Ligjin Nr. 9171 datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në FA të RSH”.
-Ligjin Nr 9210 datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”.
-Kodin e Procedurave Administrative të RSH (miratuar me ligjin nr.8485, datë 12.05.1999).
Dekreti nr.7189, datë 6.12.2011, për shkarkimin dhe nxjerrjen time në rezervë, vjen në kushtet e mungesës së plotë të bazës ligjore dhe arsyetimit të saj. Sjell në vëmendjen tuaj nenin nr. 9, pika 2 e ligjit nr.9210, datë 23.3.2004 “Për Statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ku përcaktohet: -Kriteret për përparimin në gradë dhe karrierë dhe ato të ndërprerjes së karrierës ushtarake përcaktohen në ligjin “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe në akte të tjera ligjore e nënligjore.
Nxjerrja ime në rezervë nuk është bërë për shkak të mospërparimit tim në gradë, pasi nuk jam shqyrtuar asnjëherë nga Komisioni i veçantë i Karrierës në bazë të nenit 21 të ligjit nr.9171, pra nuk jam vlerësuar asnjëherë për të vlerësuar përparimin tim në gradë, fitimin e gradës pasardhëse.
Nuk kam plotësuar kohën maksimale prej 33 vjetësh shërbimi në FA të qëndrimit në gradën e gjeneralit të brigadës, të përcaktuar në nenin 11 të ligjit nr.9171, datë 22.01.2004. Që prej titullimit tim si oficer, deri në momentin e nxjerrjes në rezervë kam shërbyer në FA 29 vjet e 6 muaj.
Nuk është bërë asnjë ndryshim strukturor apo shkurtim në numrin e personelit të Forcave të Armatosura dhe sistemimi në një detyrë tjetër të ketë qenë i pamundur. Përkundrazi, sistemimi im në detyrë ka qenë i mundur, pasi në strukturën organizative të FA në momentin e nxjerrjes time në rezervë ka pasur funksione organike me gradën “Gjeneral Brigade” dhe që aktualisht kryhen nga ushtarakë me gradën “Kolonel”. Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk më kanë emëruar në këto detyra për shkak të karakterit tim të papajtueshëm në zbatimin e urdhrave të paligjshëm (sjell në vëmendjen tuaj radiogramet e WikiLeaks).
Zotërinj deputetë, mund të sjell edhe shkelje të tjera ligjore, të cilat tregojnë shumë qartë se sa denigrues dhe i papajtueshëm me ligjin dhe moralin e një vendi anëtar të NATO-s, është propozimi që ministri i Mbrojtjes apo edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i bëjnë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, për shkarkimin tim.
Për sa ju informoj në këtë letër, kërkoj investigimin e rastit tim, i cili të shërbejë për vënien përpara përgjegjësisë të ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët përdorin karrigen e shtetit për të realizuar ambiciet e tyre në shkelje të plotë të ligjeve të tij.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, jam i bindur se ju do të analizoni me përgjegjësi shkeljet ligjore të bëra dhe se do të ndikoni në zbatimin me korrektësi të tyre edhe në rastin tim, ndërkohë që jam në pritje të një përgjigjeje ligjore nga Juaj.
Vladimir QIRJAZI, gjeneral Brigade

© Panorama.al

Te lidhura