Tiranë, laborantja u qëllua kur po kthehej e vetme në shtëpi, i shoqi ishte informuar për këtë lëvizje.
Prokuroria: Kemi prova shkencore e dëshmitarë për akuzën e vrasjes.
“Ekzistojnë prova shkencore për fajësinë e Ilia Bashos. Ai ka krijuar kushtet e nevojshme për vras-jen e gruas së tij”. Kështu janë shprehur dje burime nga organi i akuzës, vetëm pak orë pasi Gjykata e Tiranës kishte aprovuar si të ligjshëm e të rregullt arrestimin e Ilia Bashos me akuzën e vrasjes së bashkëshortes së tij, Eleni Basho. Prokuroria nuk preferoi të bënte publik asnjë detaj më shumë, duke i qëndruar strikt kërkesës së bërë në gjykatë, që edhe seanca e caktimit të masës së sigurisë të zhvillohej me dyer të mbyllura. Por, burimet nga hetimi kanë thënë dje se akuza e ngritur ndaj Ilia Bashos nuk është thjesht një çështje mesazhesh telefonike apo përgjimesh të realizuara aty për aty. Konfirmimi zyrtar i akuzës është se ka prova shkencore dhe, veç kësaj, edhe dëshmitarë që pohojnë Ilia Bashon si potencialisht fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij. Ndonëse ai prezumohet i pafajshëm derisa nuk ka një vendim të formës së prerë, hetuesit pohojnë se 38-vjeçari mund ta ketë nxjerrë në pritë gruan e tij. Në favor të kësaj piste duket se shkon edhe mënyra si kanë rrjedhur ngjarjet mbrëmjen e 2 shkurtit 2012, kur Eleni Basho është gjendur krejt e vetme përballë vrasësit në rrugicën e errët pranë shtëpisë. Sipas një itinerari të lëvizjeve të asaj dite duket sikur Eleni Basho është lënë qëllimisht vetëm atë natë. Në një intervistë për gazetën “Panorama” më 4 shkurt, Ilia Basho ka thënë se atë ditë ai me të shoqen çuan djalin në shkollë tek “1 Maji”. Aty kanë pirë një kafe deri rreth orës 11:00. Pasi kanë ecur, Eleni ka zbritur në qendër sepse do të shkonte te Tregu Çam për të blerë diçka për vajzën. “E zbrita aty, ndërsa vetë vazhdova punën me porositë e ndryshme që kisha, duke i shpërndarë. Në drekë, rreth orës 13:00, kam qenë në një qendër interneti në Qytetin Studenti, ku kam printuar listën e çmimeve të një katalogu të huaj. Më pas kam kaluar te ‘Nova Dental’, ku kam marrë një produkt. Jam dëgjuar sërish me Elenin rreth orës 15:30, e cila më la dy porosi për materiale”, ka thënë Ilia Basho. “Edhe ajo kishte për të marrë porosi në nja dy vende të tjera dhe pastaj do të ikte në shtëpi. Pas telefonatës kam lëvizur në rrugën ‘Don Bosko’ dhe në fund te Pazari i Ri”, është shprehur Basho. Nga pohimet e tij duket se ai ka qenë në dijeni përafërsisht për lëvizjet e Eleni Bashos dhe për faktin se ajo do të kthehej në shtëpi. Dëshmitë
Në listën e provave të prokurorisë për akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim ndaj Ilia Bashos renditen edhe disa dëshmi. “Persona të pyetur pasi ishin me dijeni për ngjarjen, kanë pohuar konfliktet dhe dyshimet se Ilia Basho qëndron pas vrasjes së të shoqes”, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, ka qenë tërësia e provave në fjalë që i shërbeu Gjykatës së Tiranës për të krijuar bindjen dhe për të vendosur më pas masën e sigurisë. Më 21 shkurt 2012, Ilia Basho u arrestua pasi u thirr me urgjencë në Policinë e Tiranës “për një sqarim”. Ndaj tij prokurori i çështjes kishte lëshuar urdhër ndalimi me akuzën se ka implikim në ekzekutimin e laborantes dentare, Eleni Basho. Gruaja zotëronte aksione në kompaninë “Nova Dental”, ku Ilia Basho kishte vendosur emrin e bashkëshortes në vitin 2003 për të shmangur konfliktin e interesit duke qenë se vetë ishte punonjës tatimesh. Gjatë kësaj kohe, veçanërisht vitin e fundit, sipas hetimeve, Basho ka krijuar një lidhje intime, e cila është marrë vesh nga Eleni Basho. Ajo mësohet se po planifikonte divorcin duke pasur me dokumente pronësinë e aksioneve në kompaninë “Nova Dental”, por edhe duke planifikuar një kërkesë për përpjesëtim pasurie. Sipas prokurorisë, marrëdhëniet mes bashkëshortëve Ilia Basho dhe Eleni Basho kanë qenë të acaruara ndjeshëm.
Gjykata: “Arrest me burg”, Ilia Basho qan në seancë I shoqi i Eleni Bashos, akuzë për vrasje me dashje
Eleni Basho
TIRANE – Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilia Bashon, të dyshuarin e prokurorisë si organizatorin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Eleni Basho. Vendimi u shpall nga gjyqtari Altin Shkurti, sipas të cilit, ekzistonin dyshimet e arsyeshme se Ilia Basho të jetë personi që ka porositur eliminimin fizik të bashkëshortes mbrëmjen e 2 shkurtit në Tiranë. Vendimi i gjykatës ishte në pranim të kërkesës së organit të akuzës. Sipas përfaqësuesit të saj në proces, prokuroria zotëronte prova që e përfshijnë Ilia Bashon në vrasje. Gjyqtari i konsideroi të vlefshme të gjitha provat e paraqitura nga prokuroria, si tabulatet telefonike apo dëshmitë kontradiktore të Bashos me persona të tjerë të pyetur gjatë hetimeve. Masa e sigurisë ndaj Bashos u caktua në një seancë me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorit në proces, Etien Kapo. Prokurori Kapo argumentoi se çështja ishte nën hetim dhe se duhet të ruheshin emrat dhe identitetet e personave të tjerë të përfshirë në procesin hetimor.
“Jam tronditur. Nuk mund të them asgjë”. Me këto fjalë mësohet t’i ketë përmbyllur shpjegimet e tij para gjykatës Ilia Basho. Burime brenda seancës sqaruan se më herët, avokati i tij kishte pretenduar pafajësi të klientit. Para gjykatës avokati ka pretenduar se nuk ekzistojnë prova për të provuar përfshirje të Ilia Bashos në krim. Mediat u lejuan dje vetëm pesë minutat e para të seancës gjyqësore. Basho u shfaq në kafazin e sallës së gjyqit i veshur me një xhup të madh ngjyrë bezhë. Me fytyrë të parruar dhe dukshëm të shpërqendruar, ai u ul në karriget e kafazit mes dy punonjësve të policisë. Shpërqendrimi dhe tensioni dukej dhe në mënyrën e sjelljes, teksa konfirmoi gjeneralitetet para trupit gjykues.
Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, gjyqtari Shkurti vendosi vlerësimin e ligjshëm të arrestit të Ilia Bashos dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, si i dyshuar për akuzën e “vrasjes me paramendim”. Në vendimin e lexuar para palëve, gjyqtari u shpreh se “Eleni Basho po shkonte në banesën e saj në lagjen ‘Shkozë’. Disa metra para se të mbërrinte në banesë, kësaj shtetaseje i ka dalë një person me armë zjarri, i cili e ka qëlluar dy herë. Si pasojë e këtyre të shtënave ka mbetur e vdekur shtetasja Eleni Basho. Nga hetimet e kryera, nga deklarimet e personit në hetim dhe personave që kanë dijeni për veprën penale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se autori i kësaj vepre penale është Ilia Basho, vepër kjo e cila dyshohet të jetë kryer nga ky person në bashkëpunim”. Jashtë gjykatës, avokati i Bashos ritheksoi se nuk kishte prova dhe se klienti i tij ishte i pastër.
Avokati: Do apelojmë
Lazer Sokoli, avokati i Ilia Bashos, deklaroi dje se Gjykata e Tiranës vendosi me opinion dhe pa iu referuar provave e fakteve konkrete. Sipas avokatit, prokuroria nuk paraqiti dje në seancë ndonjë provë që ta implikojë Ilia Bashon në akuzën e vrasjes. Për rrjedhojë, mbrojtësi ligjor deklaroi se do ta apelojë vendimin e dhënë nga gjykata duke mos qenë dakord me masën e vendosur. “Sapo të marrim vendimin e zbardhur, do ta apelojmë. Klienti im në mënyrë absolute nuk e pranon akuzën, ai është i tronditur dhe i trishtuar nga akuzat që i janë bërë”, tha avokati i Ilia Bashos.
Nuk dha dëshmi pas arrestimit
Ilia Basho nuk ka dhënë asnjë deklarim pas arrestimit me akuzën e vrasjes së gruas së tij. Burimet nga hetimi i çështjes thanë dje se që pas arrestimit, Ilia Basho nuk ka dhënë asnjë deklarim. Thëniet e tij kryesore mësohet se janë artikuluar gjatë dëshmive të dhëna në polici para se të arrestohej si i akuzuari kryesor në lidhje me vrasjen e së shoqes. Sipas dyshimeve të hetuesve, mendohet se Ilia Basho është i interesuari për vrasjen, mirëpo personi që qëlloi Eleni Bashon është tjetër. Ky person ende nuk është bërë e mundur të identifikohet nga hetimet e kryera deri tani.
Konfliktet financiare
Një shtëpi luksoze në Shkozë të Tiranës dhe një biznes i konsoliduar në fushën e tregtimit të produkteve dentare. Këto dy pasuri besohet se kanë qenë, në fund të fundit, shkak i mosmarrëveshjes mes Ilia Bashos dhe gruas së tij, Eleni Basho. Pasi zbuloi tradhtinë bashkëshortore, ajo po përgatitej për divorcin. Ndarja në gjykatë parashikon edhe ndarjen e pasurisë për bashkëshortët. Në këto kushte, i humburi ishte Ilia Basho, pasi gjithë aksionet e biznesit të llogaritura deri në 150 mijë euro ishin në emër të Eleni Bashos.