Kompanitë celulare, ato të ofrimit të internetit dhe gjithë të tjerat që mbikëqyren nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, do të jenë të detyruara të publikojnë tarifat e tyre për shërbimet. AKEP ka nxjerrë së fundi për konsultim publik rregulloren “Mbi publikimin e tarifave të shërbimeve të komunikimeve elektronike në dispozicion të publikut”, në të cilën përcakton edhe detyrimet që lindin për operatorët e tregut. Sipas AKEP, sipërmarrësit janë të gjithë të detyruar që të publikojnë tarifat që ata zbatojnë aktualisht për shërbimet e tyre. Këto tarifa duhet të jenë në faqet zyrtare të operatorëve dhe paraqitja e tyre duhet të jetë e detajuar, sidomos për pjesën e ofertave. Për çdo produkt të ri që kompanitë do të hedhin në treg, AKEP sanksionon se ajo duhet të lajmërohet më herët më median vizive dhe të shkruar, ndërkohë që edhe ndryshimet e tarifave për “produktet” aktuale duhet të që njoftohen paraprakisht. Në nenin 5 të rregullores AKEP thekson se “informacioni mbi publikimin e tarifave duhet të jetë i saktë. Sipërmarrësi duhet të sigurojë saktësinë e informacionit për tarifat që publikon. Tarifat e publikuara duhet të jenë saktësisht të njëjta me tarifat e aplikuara për faturimin e përdoruesit”. Ndërkaq që publikimi i shifrave do të jetë sa më afër reales, dhe jo me rrumbullakosje. AKEP përcakton në rregullore që kompanitë duhet që te publikimi i taftave të japin atë realen që vjen pas përfshirjes së kostove të tjera që lidhen me taksat, siç është TVSH-ja. Kjo është një hile e njohur e kompanive kur çmimet i kanë lançuar pa përfshirë TVSH-në, çka ka krijuar konfuzion dhe konflikt me konsumatorët. “Informacioni mbi tarifat duhet të jetë i plotë. Tarifat për të gjitha shërbimet që ofrohen duhet të publikohen të plota nga sipërmarrësit. Kjo do të thotë që tarifa që publikohet duhet të përfshijë TVSH-në apo detyrime të tjera ndaj shtetit dhe duhet të paraqiten të gjitha elementet që përmban një program tarifor” vlerëson AKEP.
Politikat e kompensimit
Rregullorja e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për publikimin e tarifave nga ana e operatorëve të tregut të komunikimeve elektronike përcakton si pjesë të rëndësishme edhe politikën e kompensimit. Sipas AKEP, kompanitë apo sipërmarrësit duhet të parashikojnë dhe publikojnë skemat e kompensimit dhe rimbursimit në rastet e mosrespektimit të nivelit të treguesve të cilësisë së shërbimit të përcaktuar në kontratë.
Dy licencat e mbetura 3G
Qeveria dhe AKEP janë dorëzuar për çmimin e dy licencave të mbetura 3G. Në një njoftim për Këshillim Publik, AKEP ka hartuar një sërë pyetjesh, të cilat u lënë në dorë operatorëve të interesuar të vendosin se sa e kanë aftësinë paguese për përfitimin e një licence. Tenderi i zhvilluar pak muaj më parë për dhënien e licencës së tretë 3G dështoi kur dy kompanitë e mbetura pa një të tillë refuzuan të paguanin mbi 12.5 milionë euro, sa ishte limiti. Duke e rikonsideruar situatën duket se AKEP ka parë të arsyeshme të zhvillojë një konsultim publik që përfshin dhënien e dy lentave të mbetura 3G.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











