Pas publikimit të skandalit me diplomat false, të lëshuara në Itali nga universiteti “Kristal”, reagon Konsorciumi Universitar Shqiptar. Të shqetësuar për cilësinë e arsimit në vend, por duke theksuar se ky rast nuk mund të shkaktojë paragjykim masiv të universiteteve private, ata kanë kërkuar përfundim të hetimeve, si dhe marrjen e masave sa më të shpejta nga qeveria për të reformuar arsimin. “Ne, rektorët e universitetit “Luarasi”, akademisë së filmit dhe multimedias “Marubi”, Universitetit Europian të Tiranës, “Tirana Business University”, jemi duke ndjekur me shqetësim debatin që ka shpërthyer në median shqiptare dhe italiane mbi spekulimet e mundshme lidhur me diplomimet fiktive në universitetet shqiptare të shtetasve italianë”, thuhet në deklaratën për mediat të Konsorciumit. Sipas saj, autoritetet shqiptare duhet të hetojnë të gjitha këto dyshime në përputhje me ligjin. ”Mbi të gjitha, ne jemi të shqetësuar për besueshmërinë e sistemit tonë të arsimit të lartë në tërësi dhe të sistemit të arsimit të lartë jopublik në tërësi”, theksohet në deklaratë. Duke njohur kontributin e sipërmarrjes së lirë në sektorin e arsimit të lartë privat në Shqipëri, anëtarët e Konsorciumit shprehen se ka ardhur koha t’u kërkohet në radhë të parë autoriteteve publike të ndërmarrin veprimet e duhura për të qartësuar të gjitha dyshimet mbi këtë sektor, në secilin prej operatorëve. “Po ashtu, i bëjmë thirrje qeverisë të kryejë të gjitha reformat dhe hapat e duhur për të rritur dhe garantuar cilësinë në sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri, jo vetëm në atë privat, por dhe në atë publik, duke garantuar standarde bashkëkohore, cilësi dhe integritet në të gjithë sistemin, pavarësisht nga forma e pronësisë”, thuhet në deklaratë. Më tej shtohet se qeveria duhet të guxojë në hapat e mëtejshëm në reformimin e sistemit të arsimit të lartë ku, krahas liberalizimit dhe rritjes së konkurrencës në këtë sektor, të arrihen sa më shpejt parametrat optimalë të cilësisë dhe të një edukimi me standarde europiane. “Duke iu kundërvënë çdo paragjykimi në bllok për sektorin privat në arsimin e lartë në Shqipëri, ne besojmë plot bindje se arsimi i lartë në Shqipëri ka një rrugë të rëndësishme për të bërë përpara, në shërbim të studentëve dhe familjeve shqiptare, në shërbim të zhvillimit të arsimit tonë kombëtar dhe të zhvillimit të vendit”, thuhet në deklaratë. Sipas anëtarëve të Konsorciumit, pavarësisht nga format e pronësisë dhe menaxhimit, institucionet që ata përfaqësojnë janë një investim tërësisht publik, në shërbim të publikut, dhe strehë të lirisë së mendimit, strehë të ideve dhe në përfitim të të gjithë shoqërisë shqiptare.
Konsorciumi i universiteteve
. Kristaq Traja, rektor i universitetit “Luarasi”. Kujtim Çashku, rektor i akademisë së filmit dhe multimedias “MARUBI”
. Tonin Gjuraj, rektor i Universitetit Europian të Tiranës
. Dr. Spiro Brumbulli, rektor i “Tirana Business University”
Universitetet
Hetimi për diplomën e djalit të Umberto Bossi-t është rasti i parë kur Prokuroria shqiptare hap një procedim penal në lidhje me një ngjarje të kësaj natyre. Më parë, organi i akuzës ka hetuar disa çështje që kanë të bëjnë me universitetet, por jo vërtetësinë e diplomave që lëshohen. Kështu, në vitet 2006-2007, objekt i hetimeve të Prokurorisë u bënë procedurat e pranimit të maturantëve në Fakultetin Juridik, pas disa problemeve që u shfaqën me tezën gjatë konkursit të pranimit.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











