“Heronj” dhe hedhurina

Jun 4, 2011 | 9:55

VIRION GRAÇI

Isha tërhequr për të lexuar diçka mbrëmë, kur nga dhoma e miqve, ku ishte ime shoqe dhe një mikesha e saj, plasi britma prej lajmit televiziv: Kishin rrëmbyer një grua shtatzënë; gruaja ishte përdhunuar barbarisht; gruas i ishte hequr fëmija nga barku; fëmija ishte vjedhur nga persona të panjohur; gruaja ishte gjetur afër mëngjesit e hedhur në një kanal, e traumatizuar. Llahtaria vazhdon të përshkallëzohet duke provokuar neurozë masive. Gruaja ishte e kryetarit të ri të Bashkisë së Kavajës; i shoqi ndodhej në Itali për vizitë jozyrtare; qyteti i Kavajës po përjeton orë tmerri dhe llahtari. Lajmi-horror; lajmi horror, konfirmohet tërthorazi prej faktit pasues: Kryetari i Partisë Socialiste, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, janë nisur drejt Kavajës për t’i qëndruar pranë familjes së dëmtuar. “Hakmarrja e politikës shtetërore ndaj Kavajës”, tha pa mëdyshje bujtësja jonë dhe shtoi: “Nuk ia fal kurrë! Ai (Ai d.m.th. Sali Berisha, sqarimi im. v. g). ATIJ, (d.m.th. kryetarit socialist të Bashkisë së Kavajës – (sërish komenti im – v. g). E pamundur për të biseduar! Të nesërmen paradite (e enjte 02.06. 2011), me gjithë vetëpërmbajtjen në deklarata të selisë rozë, një hije e rëndë krimi, neverie dhe ndotjeje psikologjike rëndon ngado. Mbi tavolinën ku morëm kafet e mëngjesit me një kolegun tim të nderuar ishte një fletë sensibilizuese, ku bëhej thirrje për mbrojtjen e jetës dhe të dinjitetit të grave dhe vajzave shqiptare. E para përmendej gruaja e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, mandej vijonin emra grash vërtet viktima tragjike, të vrara prej autorësh të paidentifikuar ende; të zhdukura pa gjurmë, të rrahura a të keqtrajtuara deri në rrezik jete etj. “I kishim të pasigurt fëmijët e vegjël në rrugën vajtje-ardhje, shkollë-shtëpi dhe i shoqërojmë, i mbajmë për dore; tani fëmijët tanë janë të pasigurt edhe në barkun e nënës”, dëgjuam të flitej rrotull nesh.
Pa e ftilluar që tani fundin e zbuluar rreth mesditës së kësaj historie perverse, desha të ndalem te një dukuri që po bëhet tipike, mbizotëruese, dominuese në jetën tonë të përbashkët në njësi shoqërore, politike e kombëtare. Kriza e thellë identitare, botëkuptimore, morale dhe humane e pasanikëve të majtë në pushtet kërkon “heronj” edhe në koshat e mbeturinave urbane. Po jap një shembull tjetër të freskët, që tregon pikërisht se prej ç’materialesh po i sajon simbolet dhe figurat e saj propagandistike e majta shqiptare; po veçoj dikë që rastësisht e kam njohur që nga viti 1993: Njërin nga katër viktimat e janarit, të ndjerin Ziver… Para fotografisë së tij u përul pothuajse gjysma e Shqipërisë; u përulën me nderim ata që dihet se çfarë janë, – anëtarësia e PS nga të katër anët e vendit dhe ata që ende nuk dihet se çfarë janë e çfarë përfaqësojnë; të ashtuquajturit intelektualë, të ashtuquajturit aktivistë vullnetarë shoqërorë dhe korifenjtë e tyre, brejtës të pangishëm në lloj-lloj hambarësh me të ardhura monetare nga burime të paqarta, të turbullta. Bëj pjesë, sigurisht, tek ata që u prekën nga fundi i pamerituar i katër viktimave të janarit; bëj pjesë tek ata njerëz që kërkojnë drejtësi dhe vetëm drejtësi për katër viktimat e janarit 2011; bëj pjesë tek ata njerëz që janë tronditur deri në pagjumësi e përlotje nga portretet e të afërmve të viktimave në ato ditë të rënda për ta. Duke parë fotografinë e vajzës së të ndjerit Ziver në pelegrinazhet politike kushtuar të atit, foto e ekspozuar në një adresë private komunikimi elektronik, i shkrova para pak ditësh mikut dhe kolegut tim, Adrian Thano, vetëm këtë fjali: “Sinqerisht edhe unë vetë ndihem borxhli dhe fajtor para kësaj fotografie, para kësaj fëmije. Dhe ashtu mendoj ende. Por vetë i ati i saj kush ishte? Ishte një fshatar pa asnjë pasuri të trashëguar nga puna e paraardhësve të tij; ishte një tipik fukara në disa breza si i tillë; papritur fakiri u bë pronar toke, u bë me pronë blegtorale, u bë pronar edhe në parcela frutikulture pikërisht falë reformës agrare që ideoi e zbatoi Partia Demokratike, duke filluar që nga viti ‘92 e deri në ditët tona. I ndjeri në fjalë, pa asnjë gram shkollë a kurs profesional, duke lënë shkretë e djerrë pasuritë në natyrë të dhuruara pikërisht nga politikat agrare të Partisë Demokratike, nuk bënte atë jetë që bënin bashkëfshatarët e tij që dinë të punojnë, të jetojnë e të gëzojnë si njerëz; nuk i bashkohej bashkëshortes e fëmijëve që punonin e jetonin me sakrifica e dinjitet larg tij, por çonte një jetë aspak për t’u përmendur këtu, për të mos u përmendur përderisa tashmë njihet si një nga “heronjtë” dhe simbolet taze të kauzës së majtë. Natyrisht, ishte e drejta e tij të zgjidhte atë formë ekzistence, ishte e drejta e tij të ushtronte me raste kalendarike të vetmin zanat që i shkonte për shtat; me bukë, djathë e qepë në xhepa, të hipte në autobusë të parapaguar nga krybashkiakët e majtë dhe të protestonte pa program e rend dite, ku ta lypte nevoja; në Tiranë, Durrës, Koplik, Vlorë, Martanesh, Selenicë etj., etj. Ai nuk mund të kishte ide, nuk mund të kishte pikëpamje vetjake, nuk kishte kërkesa konkrete, as pakënaqësi individuale, ishte vetëm njëri nga mijëra qylaxhinjtë në pilafin agrar që dhuroi e dhuron politika e PD-së në pushtet. Nga Partia Socialiste i ndjeri kishte vetëm një privilegj; protestonte duke i udhëhequr ai udhëheqësit e tij; marshonte nga Jugu në Veri, duke u prirë ai prijësve të tij politikë. Dhe ata, prijësit e tij që e prinin nga pas e jo nga përpara, kanë që nga mezi i shekull XX që nuk ushqehen më sipas dietës së Ziverit me kompani; ata janë borgjezia e madhe e këtij vendi, janë oligarkët e Shqipërisë. Ata kanë gjithçka materiale e monetare në këtë vend; iu nevojiten vetëm ushtri vullnetare protestuesish, kanë nevojë për “heronj” dhe për hedhurina njerëzore; kanë nevojë për skandale; për ngjarje traumatizuese, për katastrofa sociale deri në zhbërje. Dhe “heronjtë” e hedhurinat dalin e dhurohen vetiu ditën me diell, ditën në drekë. Duke u kthyer tek i ashtuquajturi rrëmbim i gruas së krybashkiakut të Kavajës, pas zbulimit të së vërtetës nga organet përkatëse, më erdhi ndërmend një ironi që bën dijetari letrar Todorov, kur tipologjizon romanin policor. Thotë diku se “detektivi i famshëm filan shfaqet në fillim të veprës i vendosur dhe premtues se do ta gjejë me patjetër vrasësin”. Në fund të romanit detektivi i famshëm del fitimtar; e ka gjetur, me prova shkencore, e ka vënë me shpatulla pas muri vrasësin, i cili është… ai vetë…, ashtu si zonja e vetërrëmbyer, aq shumë e lakuar dhe e lartësuar në shtypin tonë të pavarur, profesionistë, jopartiak. Mjerisht, jetojmë në kohë të tilla, ku siç thoshte Koncia shtatëdhjetë vite më parë: “Të vetmit njerëz seriozë që na kanë ngelur janë karagjozët dhe shakaxhinjtë”. Dhe karagjozët tanë mëngjarashë, seriozisht kërkojnë “heronj” dhe “heroina” në kontejnerët e përmbysur rrugicave të përbaltura të metropolit.

© Panorama.al

Te lidhura