“Heroina erdhi nga Maqedonia”

May 12, 2012 | 13:27
Droga e bllokuar nga policia

Tabulatet telefonike do të jenë përcaktuese në zbardhjen e gjithë itinerarit që do të përshkonte Gentian Fejzo, së bashku me 20 kg heroinë që u bllokuan mbrë-mjen e së enjtes në Portin e Durrësit. Gjatë arrestimit, përveç drogës, 38-vjeçarit iu bllokuan dy telefona me tri karta SIM, të cilat policia po i përdor për të grumbulluar informacion që do ta ndihmojë në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku. Ndërkohë që përgjigjet e tabulateve telefonike kërkojnë kohë për të marrë përgjigje, oficerët e Antidrogës po përdorin të tjera metoda për zbulimin e itinerarit që do të ndiqte malli. Burime konfidenciale pohuan se në këtë ngjarje janë të përfshirë disa persona, madje edhe trafikantë të mëdhenj. Lënda narkotike e bllokuar arrin në vlerën e mijëra eurove, ndërsa burime nga Policia thanë se po bashkëpunohet me Policinë italiane për të mësuar vendin dhe emrin e personit që e kishte porositur mallin që nuk mbërriti kurrë në destinacion. Nga të dhënët e deritanishme të Policisë, dyshohet se droga është futur në vendin tonë nga Maqedonia, ndërsa mësohet se ngarkesën Fejzo e ka bërë në Tiranë. Gjithashtu dyshohet se malli ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë në kryeqytet, derisa 38-vjeçari mori guximin që i vetëm ta transportonte atë drejt Italisë. Fejzo ka menduar që të shfrytëzonte momentin kur policia nuk ishte e përqendruar për të kaluar mallin dhe është paraqitur në terminalin e trageteve shumë më herët se orari që do të nisej trageti. Por, me të mbërritur në terminal, ai është përballur me dhjetëra oficerë, të cilët po prisnin që ai vetëm të kalonte traun dhe në momentin që e ka bërë këtë, makina e tij është rrethuar nga policia. Mjeti tip “Benz”, me targa AA 880DP, iu nënshtrua menjëherë një kontrolli të imtësishëm si rezultat i së cilit u gjetët dhe u sekuestruan rreth 20 kg heroinë. Droga ishte e ndarë në 37 pako dhe ishte fshehur në dyshemenë e kabinës së mjetit, e cila ishte e dopiuar. Së bashku me drogën, Gentian Fejzos iu bllokua automjeti, 2 telefona së bashku me 3 karta SIM, si dhe shuma prej 1.200 eurosh.

Janinë, arrestohet shqiptari
Selfulla B, është emri i një trafikanti shqiptar 43-vjeçar i cili është arrestuar nga Policia e Janinës, teksa tentoi të trafikonte 84 kg marijuanë. Arrestimi i tij nga policia greke ka ardhur mesditën e djeshme në aksin Janinë-Agrinjo, teksa shqiptari nga Kuçova kishte shkuar për të tërhequr mallin narkotik nga një zonë ku e kishte fshehur një ditë më parë. Burimet policore janë shprehur se mbrëmjen e të enjtes, policët kanë gjetur të fshehur mes shkurresh disa pako të mbushura me marijuanë. Pasi kanë identifikuar marijuanën e braktisur, tre policë e morën në ruajtje të gjithë sasinë narkotike në largësi, me qëllim që të zbulonte se cili do të ishte administruesi i saj. Shqiptari ishte ai që mori drogën në makinën e tij, ndërsa po hetohet më tej për personat e tjerë të implikuar.

© Panorama.al

Te lidhura