“Heqja e parullës ‘Enver’, veprim hakmarrës”

Jul 3, 2012 | 14:51
Parulla NEVER, e krijuar nga grupi i të rinjve

Komunistët: Sot po jetohet me industrinë e veprat që ngriti udhëheqësi.

 

Veteranë e përfaqësues të PK-së: Tentojnë të fshehin historinë.

Ndryshimi i parullës “Enver” në malin e Shpiragut me fjalën anglisht “Never” (kurrë) ka sjellë reagimin e veteranëve dhe komunistëve të Beratit. Ata e cilësojnë iniciativën për zëvendësimin e parullës si një ndër veprimet hakmarrëse ndaj figurës së komandantit të tyre, Enver Hoxha. “Për ndërtimin e asaj parulle u desh shumë mund e djersë, pasi duhej gërryer shkëmbi. Mali i Shpiragut është shumë i shenjtë, që prej Luftës Nacionalçlirimtare, kur kjo zonë ishte baza e luftës, si dhe mbështetja e forcave partizane. Parulla me emrin e udhëheqësit nuk e meriton këtë veprim të ulët. Pse shpejtohen kaq shumë këta persona për të eliminuar sa më shumë veprat dhe punën e një drejtuesi 50-vjeçar, i cili e mori Shqipërinë nga moçali e malarja, luftoi kundra shumë ushtrive të cilat e shkatërruan Shqipërinë prej kohësh. Edhe në kohën e Enverit kishte shumë të rinj, të zgjuar dhe të ditur. Ata jo se kishin frikë, por vlerësonin punën e bërë të atij sistemi me në krye Enverin”, u shprehën ata. “Historia është një histori që do të jetojë, e mirë apo e keqe qoftë. Brezat e ardhshëm duhet ta njohin atë. Pikërisht ata dolën në jetë nga universitetet që ndërtoi Enveri”.
Rrapo Sina, sekretar politik i Partisë Komuniste, thotë se të sulmosh figurën e Enver Hoxhës do të thotë se nuk je shqiptar. “Shqiptarët vetë, edhe pas 22 vjetësh po jetojnë me kockat e Enverit, duke shitur hekurishtet e industrisë që krijoi ai. Ky ishte Enver Hoxha, që sot i shkatërrojnë varrin, i prishin parullat”. Ndërsa veterani i luftës Anastas Arbëri shprehet se historianët duhet të thonë të vërtetën për të kaluarën e mos të nxiten nga bindjet politike. “Jemi të befasuar nga ndryshimi i parullës. Parulla ‘Enver’ nuk trembte njeri”, tha veterani. Reagimet vijnë një ditë pas publikimit të faktit të ndryshimit të parullës me emrin e diktatorit pas rreth 35 vitesh dhe zëvendësimin me fjalën “kurrë” në anglisht. Sipas iniciatorëve që janë ngjitur në malin e Shpiragut, ky ndryshim dhe zgjedhja e fjalës “Never” bëhet me qëllim që shoqëria të mos pranojë kurrë kompromise me kundërvlerat.            d.xh

Zhduket nga mali parulla “ENVER”, shfaqet “NEVER”: http://www.panorama.com.al/kurizitete/zhduket nga mali parulla enver shfaqet never

© Panorama.al

Te lidhura