Teatri Kombëtar në Festivalin Botëror të Shekspirit.
“Të tjerë kanë gjetur mënyra për të kapërcyer moskuptimin, ky prodhim s’e bëri”
Dhe në fund triologjia ballkanike. Tashmë është bërë e zakonshme që në produksionet e Globe-it çdo pjesë të luhet nga kompani të ndryshme. Dhe në vend që të kalosh nga njëra pjesë në tjetrën me bagazhin e duhur të njohurive mbi karakteret, të duhet të zhytesh sërish në errësirë, pasi të duhet të identifikosh kush është kush dhe të përshtatemi me ndryshimet e tyre në paraqitje. Kështu Henri i fortë i pjesës së parë bëhet i dobët dhe Jorku i ri e i fuqishëm kthehet në një burrë të vjetër dhe turmëkënaqësi Gloçester tashmë ishte një njeri i fiksuar pas punës.
Ka mendime pro dhe kundër për prodhimet në gjuhë të huaja. Përfitimet, që programet e Globe tentojnë me zjarr të promovojnë, janë mungesa e pritshmërive dhe tradita që lejojnë për interpretime të reja të linjave të njohura. Në këtë prodhim shqiptar të “Henry VI”, Pjesa II, skena vendimtare si vdekja e Beaufort janë prerë nga një kompani e patrembur nga fama e momenteve të tilla. Por, pengesa më e madhe e prodhimeve në gjuhë të huaja, elefanti në dhomë, është moskuptimi. Prodhime të tjera kanë gjetur mënyra të mrekullueshme për ta kapërcyer këtë, fatkeqësisht ky prodhim nuk e bëri. Unë nuk kam asnjë dyshim që pjesa do të kishte qenë shumë më e mirë po të ishte interpretuar në gjuhën angleze, por shpesh, ndërsa personazhet qëndronin në mënyrë statike, duke interpretuar rreshtat e tyre, kuptova se përpjekja e publikut për të ndjekur atë që po ndodhte, do të dështonte.
Bujar Asqeriu në rolin e Xhek Keidit (Jack Cade) në pjesën “Henri VI”
Në tri raste vijueshmëria e pjesës u shënjua nga momente surreale: pjesa filloi me katër aktorë që garonin rreth skenës me motorë, teksa mbanin mbi kokë kurora prej letre. Para skenës kur zbulohet vdekja e Gloucesterit, katër valltarë vërtisin një shtrat rreth skenës dhe në mbyllje të shfaqjes, kur gungaçi Richard lë skenën duke vendosur një kurorë prej letre mbi fron, stoli lëviz përpara, ndërsa një klarinetë luan një melodi nga galeria. Këto momente nuk ishin integruar në veprimin kryesor, por ishin interlude para ose pas skenave, dhe ato as mpikseshin me pjesën tjetër, as ishin të rëndësishme në shpjegimin e lëvizjeve të tyre. Imagjinata pas këtyre interludeve binte në kontrast me qasjen e përmbajtur në pjesën tjetër të shfaqjes: në tërësi ky ishte një prodhim i pabalancuar. Shumë shpesh e kam kapur vëmendjen time të shpërndarë, për shkak të bllokimeve statike, të cilat pengonin bartjen e kuptimit (thënia e preferuar që dëgjova pas shfaqjes, ishte ajo e një grupi djelmoshash që e krahasuan këtë prodhim me Maori Troilus and Cressida: Problemi është se në Europë ne të gjithë jemi mendimtarë. Ne nuk jemi të fizikshëm mjaftueshëm).
S’është për t’u habitur atëherë, që një nga momentet kur shfaqja lartësohej ishte gjatë trazirave të Kejdit (Jack Cade) ( Bujar Asqeriu). Adresimi direkt ndaj turmave, tallja e trashë e turmave prej tij në Bakingam, komunikuan mirë pa pasur nevojë të kuptohej se çfarë thuhej. Ndjekësit e Kejdit ishin një bandë fundërrinash të verbër, të çalë dhe budallenj. Komedia e ndërtuar rreth një vajze të verbër, që dëshpërimisht përpiqej për t’u bashkuar me turmën, ndërsa ata as që e kishin mendjen tek ajo, ishte e pakëndshme; nuk ishte e qartë nëse ne duhej të qeshnim me të apo për të, nëse kjo ishte pra për të qeshur, apo thjesht tallje me një njeri me aftësi të kufizuara. I çuditshëm gjithashtu ishte vendimi i regjisorit për të prerë skenat ndërprerëse të fisnikërisë dhe të paraqesë të gjitha skenat e Kejdit në vazhdimësi, duke bërë që i gjithë episodi të ndihej si një largim nga linja kryesore, sikur ne të kishim ndërruar kanalet pa e kuptuar. Duke qenë se skena e Kejdit filloi në gjysmën e dytë të prodhimit, rezultati ishte që kur Henri më në fund u kthye në skenë pas ca orësh mungesë, publiku filloi të ripërshtatej me dramën origjinale.
Momente të tjera të dallueshme të prodhimit për mua ishin skenat e butësisë. Zonja e mërguar Gloucester lë burrin e saj me dinjitet, duke zbritur po ashtu poshtë në mesin e turmave; Ndarja e Sufolkut dhe Margaretës (Ermira Hysaj)(skena ime e preferuar në tekst) u luajt në mënyrë prekëse. Sufolku (Dritan Boriçi) në veçanti ishte shumë më bindës si një dashnor i zhgënjyer, sesa kur luante arrogantin fisnik. Prerja e reagimit të Margaretës ndaj vdekjes së Sufolkut, gjatë mungesës prej devijimi të Kejdit, bëri të dukej si një mbretëreshë, që në kthimin e saj në skenë përcjell mbështetjen e vërtetë dhe shqetësimin për burrin e saj. Pasi i krisuri Kentishman kishte dalë në skenë, çifti mbretëror hyri, ndërsa Margareta ka mbështjellë krahët rreth Henrit, dhe në skenën e fundit të pjesës, që zakonisht është portretizuar si një urdhër arrogant dhe shtypës për Henrin për largim, u kthye në një përgjërim, ndaj të shoqit për të shpëtuar veten. Në atë moment, kur gjestet dhe toni ishin suprem, u kujtova për personazhet dhe fatet e tyre, por ishte tepër vonë për këtë prodhim. Ne pamë përpara për fatet e Mbretit dhe mbretëreshës, por përmbushja e udhëtimit të tyre duhej t’i lihet një kompanie tjetër për t’u përmbushur.
Pete Orford* (*Ky shkrim është përfshirë në projektin “Year of Shakespeare” (Viti i Shekspirit) që ndjek Festivalin Botëror të Shekspirit, ngjarjen më të madhe të këtij lloji në botë.)
Komente deri në tallje për shfaqjen shqiptare në Londër
Posteri i shfaqjes shqiptare “Henri VI” nga Shekspiri
Një rast i artë i ra në dorë Teatrit Kombëtar, të merrnin pjesë në Festivalin Botëror të Shekspirit, ngjarja më e madhe për nder të tragjedianit e komediografit të famshëm anglez. Shqipërisë i ra shorti që të luante në një triologji bashkë me teatrin serb dhe atë maqedonas, me një traditë për t’u pasur zili në këtë fushë. Teatri Kombëtar pati pjesën e dytë të “Henri VI”, e cila në të vërtetë nuk shquhet si një nga pjesët më të mira të Shekspirit. Garimi me serbët dhe maqedonët nga njëra anë dhe vetë pjesa, nga ana tjetër, nuk ishin në favor të shqiptarëve. Por në mos të shkëlqenin, të paktën të paraqiteshin në një nivel të mirë. Menjëherë pas shfaqjes shqiptare në datat 12 dhe 13 maj, me regji të Adonis Filipit, nisën të shkruanin kritikët e blogjet të mbusheshin me komente të publikut të thjeshtë, studentëve e profesionistëve të fushës. Lavdërime për serbët e maqedonasit dhe komente deri në tallje me paraqitjen shqiptare, duke i krahasuar deri me Boratin e famshëm. Flitet për pjesë të rëndësishme të veprës, të cilat janë prerë guximshëm nga regjisori, duke krijuar gropa në të kuptuarit e veprës apo devijim nga linja kryesore, për skena të pahijshme për talljen e një vajze me aftësi të kufizuara, për një lojë të mekur, për asnjë lloj gjetjeje, që të mund të mbushte pengesën e moskuptimit të gjuhës, apo për interlude të panevojshme. Kjo kishte qenë pjesa shqiptare sipas komentuesve të huaj. Tanimë linqet e shkrimeve kanë filluar të qarkullojnë nëpër rrjetet sociale (facebook), apo të kalojnë nga një adresë e-maili në tjetrën. Por kjo nuk e pengoi trupën shqiptare që t’i shijonte maksimalisht ditët e qëndrimit në Londër, duke pirë birrë e duke kërcyer valle popullore në mes të rrugës. Sepse në të vërtetë, pjesëmarrja e shqiptarëve në Festivalin e Shekspirit duhet të kishte qenë një festë për teatrin shqiptar, por sipas përcjelljeve që i bënë këtij aktiviteti kritikët e huaj apo thjesht edhe publiku, që nuk është më pak i rëndësishëm, teatri shqiptar është paraqitur me një shfaqje “provinciale” dhe pa vizion.