Një proces problematik realizimi i veprës së Shekspirit.
Pretendohen trajtime të pabarabarta me dieta. Skrami: Nuk ka diskriminim.
Kur muaj më parë, drejtori i Teatrit Kombëtar, së bashku me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve njoftuan se Shqipëria do të merrte pjesë në Festivalin Botëror të Shekspirit që do të zhvillohet në Londër, në kuadrin e Lojërave Olimpike 2012, sigurisht që të gjithë e quajtën një ngjarje për teatrin shqiptar. Por që nga ky moment, deri në prag të premierës, që do të jetë nesër në mbrëmje, shumë ujë ka rrjedhur. Nga lista fillestare e aktorëve të përzgjedhur nga regjisori Adonis Filipi për të interpretuar në pjesën e parë të triologjisë shekspiriane “Henri VI”, janë larguar disa syresh, ndërkohë që këto ditë, mes trupës së aktorëve është ngritur një valë shqetësimi që lidhet me trajtimin e tyre në Londër. Dy ditë përpara premierës në skenën e Kombëtarit, që do të paraprijë shfaqjen në Globe Theatre në Londër në datat 12 dhe 13 maj, një pjesë e trupës së aktorëve me në krye drejtorin e TK-së, Kristaq Skrami, i cili i kthehet skenës si aktor me “Henri IV” dhe regjisori Adonis Filipi dolën në një konferencë për shtyp përpara medias. Së pari drejtori Skrami vlerësoi punën e gjithë stafit, që nga aktorët tek teknika dhe pa dyshim e quajti një ngjarje të madhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në festivalin “Globe to Globe”, në krahë të 37 trupave të tjera nga e gjithë bota, që do të sjellin në gjuhët e tyre veprat e Shekspirit të madh. Po kështu dhe regjisori Filipi, i cili i shtoi kënaqësisë së pjesëmarrjes edhe përgjegjësinë për të realizuar një shfaqje dinjitoze. Sipas Filipit, vlerësimi i mbetet publikut dhe kritikës.
Tërheqja e aktorëve
Atyre që e kanë ndjekur ecurinë e këtij projekti qysh në ngjizjen e tij, nuk ka se si të mos u ketë rënë në sy mungesa në listën e interpretëve të disa prej emrave të aktorëve, të shpallur qysh në krye të herës. Kështu nuk është i pranishëm aktori Ndriçim Xhepa, i cili duhet të luante rolin e kardinalit Hjum, aktorja Olta Daku apo Helidon Fino. Teksa u pyet në lidhje me këto “refuzime” rolesh, Filipi u shpreh se nuk bëhet fjalë për “refuzime”. “Nuk është ndonjë problem i madh dhe as pjesë e këtij diskutimi. Por nuk do t’i quaja refuzime. Diversiteti është pjesë e procesit të punës”, tha Filipi. Duke qenë që interesi më i madh ishte ndaj aktorit Ndriçim Xhepa, drejtori Skrami u shpreh se arsyeja e largimit të Xhepës nga projekti lidhet me arsye shëndetësore, të cilat megjithëse u shpresua që do të kaloheshin, nuk u kaluan. Ndërkohë nga burime të tjera mësohet se jo vetëm Xhepa, por edhe dy aktorët e tjerë janë tërhequr nga projekti, për shkak se nuk e gjetën veten në rolet e përcaktuara dhe metodën e punës. Nëse aktorët e mësipërm morën pjesë disa herë në prova, aktori Mirush Kabashi e refuzoi rolin e propozuar qysh në fillim. Të larguarit u zëvendësuan me të tjerë aktorë, si Neritan Liçaj, Marsela Lena etj.
Trajtimi në Londër
Në prag të premierës “Henri VI”, veç emocionit të shfaqjes, përballjes me publikun shqiptar, por edhe me atë të huaj, një pjesë e aktorëve që do të interpretojnë në të, kanë ndier edhe një shqetësim tjetër. Atë të trajtimit gjatë qëndrimit në Londër. Siç e tha edhe drejtori i TK, Skrami, 50% të shpenzimeve i merr përsipër Globe Theatre, ndërsa pjesën tjetër Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Globe Theatre subvencionon qëndrimin e vetëm 14 aktorëve të trupës, ndërsa pjesa tjetër duhet të mbulohet nga pala shqiptare. Aktorët janë ndier të ndarë në mes kur kanë dëgjuar se 14 aktorë do të marrin dietat londineze që kapin shifrën 90 paund, ndërsa pjesa tjetër do të marrin vetëm 35 euro. Askush nuk ngrinte çështjen e parave, por të përzgjedhjes së katërmbëdhjetëshes që do të përfitonin shumën e përcaktuar nga “Globe Theatre”, në një kohë që bëhet fjalë për shpenzime qëndrimi dhe jo për vlerësim artistik. I pyetur rreth kësaj çështjeje, drejtori Skrami u shpreh se edhe katërmbëdhjetëshja e mbuluar nga “Globe Theatre” do të marrë vetëm 30 paund. “Nuk ka asnjë diferencim dhe asnjë trajtim ndryshe. Që nga unë, tek Yllka, që jemi në katërmbëdhjetëshe, tek Adonisi që nuk është në të. Të tjerët do të marrin 35 euro dhe diferenca është fare e vogël. Jam drejtues institucioni dhe nuk lejoj që të diskriminohet askush. Fjala “diskriminim” është fjala më e poshtër që qarkullon në oborrin e TK-së”, tha Skrami me tone të ngritura. I kontaktuar në lidhje me këtë çështje, zv/ministri i Kulturës, Abaz Hado, u shpreh se “nëse nga ana e palës londineze pagesat janë më të larta, do t’i propozoj drejtorit të TK-së, që ato, së bashku me fondin e MTKRS-së, të ndahen në mënyrë të barabartë mes gjithë aktorëve. Ndoshta me një diferencim të vogël për dy aktorët që mbajnë peshën më të madhe”. Hado, i cili ishte në dijeni të këtij problemi, tha se sot të zhvillonte një takim me drejtorin Skrami për këtë çështje.
“Henri VI”, një triologji ballkanike
“Henri VI” është cilësuar nga media botërore si “triologji ballkanike” për kontekstin e veprës, ndaj i është besuar nga “Globus Theatre”, 3 trupave ballkanike. Teatri Kombëtar i Beogradit, me regji të Nikita Mihajllovic, do të interpretojë në serbisht pjesën e parë, Teatri Kombëtar i Tiranës me regjisor Adonis Filipin interpreton pjesën e dytë, ndërsa Teatri Kombëtar i Manastirit me regjisor amerikan John Blondell, do të interpretojë në maqedonisht pjesën e tretë. Siç thotë regjisori i veprës, Adonis Filipi, “Henri VI” është një eksplorim i natyrës së pushtetit dhe i revolucioneve sociale. Sipas Filipit një pushtet i dobët e çon vendin drejt kaosit dhe rrënimit. Duke i qëndruar besnik mënyrës se si është konceptuar festivali, ku trupave u është kërkuar që veprat të luhen gati si në kohën e Shekspirit pa skenografi dhe ndriçim, Filipi thotë se pjesa është konceptuar mbi baza klasike me elementë modernë.
“Henri VI”
Triologji nga Shekspir
(pjesa II)
Regjisor: Adonis Filipi
Skenograf: Genc Shkodrani
Kostumograf: Anila Zajmi Katanolli
Koreograf: Georgia Maddamma as/koreografe Sara Bizzoca
Muzika: Armand Broshka
Muzikant solist: Fatos Qerimaj
Perkthyes: Shpresa Qatipi, Piro Tanku
As/regjisor: Andon Koço, Piro Tanku
Interpretojnë
Henri VI -Indrit Çobani
Mbretëresha Margaret: Mira Hysaj
Jack Cade – Bujar Asqeriu
Dukesha Eleonor – Yllka Mujo
Gloucester – Kristaq Skrami
Duka i Yorkut- Vasjan Lami
Duka i Safolkut – Dritan Boriçi
Kardinali Hjum, kapiteni i piratëve – Neritan Liçaj
Duka i Buckingham – Ahmet Pasha
Salisbury – Naun Shundi
Cliford- Fatos Sela
Warkwick – Ervin Bejleri
Clifordi i ri – Arben Derhemi
Roger Bolinbroke – Mehdi Malka
Sommerset – Gjergj Mena
Sir Hamfry, vox – Sokol Angjeli
Richard i I, Dick kasapi – Roland Saro
Margerette Jourdain – Marjana Kondi
Alexander Eden – Fadil Kujofsa
Emanuel – Anil Frasheri
William Staford, Eduard VI- Florian Kokona
Shpirti i magjisë – Marsela Lena
Shtriga – Gladiola Harizaj
ALMA MILE
© Panorama.al











