“Harrojeni 6-1, vendi i 3-të një mrekulli”

Sep 4, 2012 | 15:00

De Biazi

Trajneri i kuqezinjve: Qipro kundërshtar i fortë, i vështirë për t’u mundur.

De Biazi: Jemi në grup të ekuilibruar, Zvicra favorite.

Ju kujtohet mbrë-mja e 12 gushtit 2009, kur Shqipëria e drejtuar nga Josip Kuzhe fitonte 6-1 ndaj Qipros? Ajo ndeshje duhet harruar sa më parë, të paktën kështu mendon trajneri aktual i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi. Sipas italianit, jo vetëm që Shqipëria e para tri viteve nuk është njëlloj me të tashmen, jo vetëm që atmosfera dhe motivimet e të dyja skuadrave ndryshojnë totalisht, por edhe kundërshtari është në një rang shumë herë më të lartë, sesa mbrëmjen e atij 6-1. Madje, për De Biazin, Qipro është më lart sesa Shqipëria.
Ndaj Qipros Shqipëria ka një rekord, fitoren më të thellë në historinë e vet, 6-1, sa do të ndikojë kjo te ndeshja e radhës?
Ta harrojmë menjëherë atë fitore 6-1 që kemi marrë ndaj Qipros para pak vitesh. Nuk është ajo Qipro që kemi parë në atë kohë dhe ne nuk jemi skuadra që fitoi atë ndeshje. Qipron e kam analizuar shumë gjatë kësaj kohe dhe po u them me bindje se është një skuadër që ka bërë hapa të mëdhenj, të paktën në krahasim me ne. Jo rastësisht vjet ata kanë pasur një skuadër në Kupën e Kampioneve (APOEL) dhe sivjet kanë një tjetër në Ligën e Europës. Kjo tregon për ngjitjen e futbollit qipriot, ndaj ta harrojmë atë fitore, pasi mund të na çojë në një rrugë qorre, të gabuar.
Keni grumbulluar për herë të parë Mehën dhe Kukelin, teksa është lënë jashtë një sulmues si Kapllani, që po shënon gola në Bundesligë….
Meha dhe Kukeli janë dy mesfushorë, ndërsa Kapllani është sulmues dhe në këtë rast krahasimi nuk shkon. Mua më janë dashur mesfushorë për të forcuar grupin, prandaj kam bërë një zgjedhje të tillë, ndërsa në sulm fatmirësisht nuk kemi probleme. Gjithsesi, Kapllani është nën vëzhgimin tonë dhe do të ketë shansin për të qenë pjesë e skuadrës.
A mund të na thoni ndonjë emër se cili mund të jetë organizatori i lojës të skuadrës sonë?
Një gjë të tillë është e sigurt se do ta mësoni të premten para nisjes së takimit (qesh). Nuk do të doja që t’i jepja më shumë informacione kundërshtarit rreth nesh, pasi shoh se është goxha i favorizuar në krahasim me ne, në disa pika, ndaj do të ishte më mirë që të fokusoheshim te përgatitja sa më mirë e kësaj ndeshjeje.
Meha, Kukeli për herë të parë me Kombëtaren. A mund të presim një debutim të tyre që në këto ndeshje?
Çdo lojtar që unë grumbulloj në skuadër ka shansin që të luajë, madje edhe si titullar. Megjithëse unë duhet ende të shoh se në çfarë gjendjeje fizike janë. Shikoni, gjatë këtyre ditëve lexoj se për shembull në Ukrainë luhet java e tetë e kampionatit, në Zvicër e 7-ta, ndërsa në Itali vetëm e dyta. Kështu që kemi të bëjmë me ndryshime të konsiderueshme të gjendjeve fizike që mund të kenë lojtarët, prandaj është më mirë që të shikojmë se cili është në formën më optimale.
Ujkani pësoi tre gola në ndeshjen e fundit ndaj Lacios, ju tremb gjendja e tij?
Absolutisht jo. E patë se çfarë golash pësoi? Edhe Lev Jashini po të ishte, nuk do të arrinte që t’i neutralizonte. Pësoi golin e parë nga Klose nga fare afër, më pas Kandreva bëri një gjetje spektakolare dhe sërish Klose nga vetëm 6 metra. Kështu që nuk ishte problemi i Ujkanit, por i mbrojtjes së Palermos. Nëse ti nuk ke një repart defensiv të fortë, atëherë është normale që portieri do të pësojë gola. Nëse mbrojtja nuk bën asgjë dhe sulmuesi kundërshtar të gjuan nga 3 metra, është normale që do të pësosh gola.
Cilën skuadër keni më shumë frikë në grupin tonë dhe a mendoni se me një grup të tillë mund të ketë surpriza?
Favorite unë shikoj Zvicrën, Norvegjinë dhe Slloveninë, por është e vërtetë që jemi në një grup të vështirë dhe problematik, pasi mund t’u marrësh pikë të gjithave, sikundër mund të mundesh nga të gjitha. Kështu, ekziston edhe mundësia për të bërë surprizën, por kjo do të shihet vetëm në fund, se në çfarë pozicioni do të jemi. Sipas meje, do të jetë një grup i ekuilibruar dhe kjo mund të shihet si diçka pozitive, të paktën për skuadrën tonë.
Para pak ditësh, në mediat italiane keni pohuar se kualifikimi i Shqipërisë do të ishte një mrekulli, por a nuk mendoni se më përpara duhet që të zëmë një herë vendin e tretë në grup?
Po, është e vërtetë që kam thënë se do të ishte një mrekulli dhe po aq e vërtetë është edhe konstatimi juaj. Kualifikimi do të ishte një supermrekulli, do ishte maksimumi i maksimumeve. Megjithëse për ne, objektiv real dhe të cilin do të duhet ta shikonim tamam si një mrekulli të vogël tonën, do të ishte renditja në fund të këtij edicioni në vendin e tretë në grup. Nëse arrijmë këtë, atëherë kemi bërë vërtet atë hapin e madh.

Arbitri/ Gjykon Artjom Kushin
Gjyqtari nga Kazakistani, Artjom Kushin, do të arbitrojë ndeshjen Shqipëri-Qipro, e cila do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa” mbrëmjen e kësaj të premteje. 35-vjeçari (15.12.1977) është një arbitër i Kategorisë së Dytë dhe e ka marrë stemën e FIFA-s vetëm në janar të 2009-s. Ai ka drejtuar kryesisht ndeshje të skuadrave të vogla në Champions League, Europa League dhe në kualifikimet e “EURO 2012” (Litenshtejn-Lituani).

Biletat/ Ja sa kushtojnë
Të gjithë ata që duan ta ndjekin këtë përballje nga tribuna qendrore e stadiumit, do të duhet të paguajnë 50 mijë lekë (të vjetër). Ndërkaq, përkarshia do të ketë një çmim bilete shumë herë më të ulët, kjo nisur edhe nga fakti që zakonisht në tribunat D1, D2 dhe D3 akomodohen tifozët më të zjarrtë të Kombëtares shqiptare. Në këtë aspekt, Federata ka menduar që çmimi të jetë 7 mijë lekë. Ndërsa anësoret do të kushtojnë 2 mijë lekë.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura