
Arma e Ermal Mustafarajt, nga Instituti i Qenve, verifikohet nëse është përdorur në ngjarje kriminale
Efektivi me pistoletë u kap me Dritan Haten, 30 ditë në arrest
Arma e një efektivi të Policisë së Shtetit po ekspertohet për t’u parë nëse është përdorur në ndonjë krim nga Dritan Hate, 37-vjeçari i arrestuar pak ditë më parë në Tiranë, i dënuar si anëtar i “Hakmarrjes për drejtësi”. Ermal Mustafaraj, 34 vjeç, efektiv i Policisë tek Instituti i Qenve, u ndalua së bashku me Dritan Haten në një lokal pranë Medresesë më 19 janar 2012. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, efektivi i Policisë së Shtetit po mbahet në masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditë deri në përfundimin e ekspertizës së armës së tij. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, në momentin e kapjes së shtetasit të kërkuar, shtetasve të lartpërmendur iu gjendën dhe sekuestruan tri armë zjarri pistoletë të tipave “TT” dhe “Zastava”, gjithashtu iu gjend dhe një sasi lënde eksplozive tritol. Sipas hetimeve, njëra nga armët ka qenë e efektivit të Policisë, ndërkohë që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pistoleta e policit është dërguar menjëherë për ekspertizë me qëllim verifikimin nëse është përdorur në ndonjë ngjarje të dyshimtë. Nga ana tjetër, Prokuroria ka kërkuar masë arresti të përkohshme për policin me qëllim që pas kryerjes së ekspertizës së armës të verifikohet edhe njëherë masa e sigurisë për efektivin e Institutit të Qenve në Policinë e Shtetit.
Arrestimi
Personi i shumëkërkuar Dritan Hate, i dënuar me 23 vjet burg si anëtar i organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”, u arrestua më 19 dhjetor 2012 në kryeqytet. Sipas Policisë, 37-vjeçari, banues në Radhimë të Vlorës, ishte person në kërkim pasi akuzohet për veprën penale të “vrasjes”, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë të datës 28 prill të vitit 2009, e cila ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” duke e dënuar më 23 vjet burgim në mungesë. Bashkë me Dritan Haten, policia deklaroi arrestimin e dy personave. I kërkuari gjatë momenteve të arrestimit ka qenë i shoqëruar nga dy shtetas, Gentian Tush Kaci, 32 vjeç, banues në Tiranë, dhe Ermal Sali Mustafaraj, 34 vjeç, banues në Mëzez, Tiranë, me detyrë punonjës police pranë Institutit të Qenve. Pas arrestimit te Medreseja, policia kreu kontroll në banesën e Dritan Hates dhe gjeti e sekuestroi një automjet “BMW”, një motoçikletë, maska, doreza lëkure dhe një sasi e konsiderueshme parash e eurosh. Policia deklaroi më pas se në ngarkim të shtetasve Gentian Kaci dhe efektivit të Policisë, Ermal Mustafaraj, materialet i janë referuar Prokurorisë për konsumim të veprës penale të armëmbajtjes pa leje. Sipas burimeve nga grupi hetimor i çështjes mësohet se Ermal Mustafaraj ka pasur lidhje shoqërore me të kërkuarin Dritan Hate. Ata mësohet se kanë pasur komunikime të vazhdueshme, ndërsa Prokuroria po heton edhe në këtë drejtim në lidhje me ndonjë aktivitet të paligjshëm.
Dënimi i Hates për grabitjen e “Gjallicës” në 1993
I arrestuari nga policia, Dritan Hate, është dënuar nga gjykata më 1 korrik 2008. Dritan Hate është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 23 vjet burg, me akuzën se ka qenë anëtar i “Hakmarrjes për drejtësi”. Ai e ka marrë këtë dënim në mungesë me akuzën e “vjedhjes me pasojë vdekjen” të firmës “Gjallica”, në shumën 2.4 milionë lekë, me pasojë vdekjen e shtetasit Pali Prendi më 13 dhjetor 1994. Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik 2008, në lidhje me vjedhjen e firmës “Gjallica” me pasojë vdekjen e shtetasit Pali Prendi, më datë 13.12.1994, të ndodhur në Vlorë, janë akuzuar shtetasit: Altin Arapi, Nikolin Novruzaj, Pasho Novruzaj dhe Dritan Hate. Referuar dokumenteve të Prokurorisë, shtetasi Dritan Hate ka vepruar në bashkëpunim me personat e tjerë në kryerjen e veprës penale me pasoja të rënda me qëllime përfitimi. Ngjarja është hetuar për disa vjet nga policia e Vlorës e më pas dosja është transferuar në Tiranë ku është bashkuar me fashikullin e “Hakmarrjes për drejtësi”.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











