“Grushte” mediatike mes ambasadorit Dell e Surroit

Jul 12, 2012 | 14:21
Veton Surroi dhe Kristofer Dell

Në një intervistë për “Kosova sot”, ambasadori amerikan në largim, Kristofer Dell, ka hapur një debat të fortë me publicistin Veton Surroi kur komentoi procesin e zgjedhjes së Presidentit. Duke folur mbi ngjarjet kryesore të Kosovës gjatë mandatit të tij, Dell tha se  “… një veprim që më ka bërë të ndihem i ndotur, duke qenë dëshmitar i tij, ka qenë kur kam parë Veton Surroin të zvarritet para Kryeministrit duke e lutur që të bëhej President. Dhe kjo ka ndodhur në shtëpinë time, në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit të vitit 2010…”, thotë mes të tjerash Dell. Veton Surroi ka reaguar menjëherë duke e përgënjeshtruar variantin e ambasadorit amerikan kur ai tregoi edhe detajet më të hollësishme të procesit, që pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut deri në zgjedhjen e Atifete Jahjagës si Presidente. Publicisti kosovar e quajti ambasadorin “krijues dhe shpërndarës të thashethemeve”. Sipas variantit të Surroit, “kam shkuar në rezidencën amerikane me ftesë të ambasadorit Dell për darkë, në të cilën ai ka insistuar në prani të Hashim Thaçit që do të ishte mirë për vendin që unë të bëhem President pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut”, thotë Surroi, ndërsa Dell ka thënë se ky takim është realizuar me kërkesën e Surroit. Ai këmbënguli se “nuk ka pasur kurrfarë zvarritjeje, as lutje nga ana ime, po ka qenë ide e ambasadorit Dell dhe pjesë e bisedës së tij. Pacollit asnjëherë nuk i jam kërcënuar, por në një takim i kam thënë se do t’i bënte dëm Kosovës zgjedhja e tij për President”. Në përpjekje për t’u distancuar nga kompania mediatike që ka themeluar, “Grupi Koha”, Surroi tha se “Çfarëdo përmendjeje të gjoja ngritjeve të mia politike në kontekst të asaj që e raportojnë ‘Koha Ditore’ dhe KTV, është plotësisht e pabazë”. Intervista e ambasadorit Dell u realizua pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Atifete Jahjaga të mbaronte mandatin e plotë pesëvjeçar si Presidente. Dell, duke komentuar lojërat politike për postet e larta në administratën kosovare, tha se “plani i AAK-së ishte që të realizojnë opsionin e tyre, që Ramush Haradinaj të vijë në postin e Kryeministrit, kurse Hashim Thaçi të bëhej President. Por, njëkohësisht ishte Veton Surroi ai që hapur i kishte shprehur ambicien duke iu lutur Hashim Thaçit që t’ia jepte postin e Presidentit”. Ambasadori Dell u shpreh se Presidentja Atifete Jahjaga i ka dhënë fund rivalitetit institucional. Sipas tij, në të kaluarën “njerëzit kanë tentuar ta përdorin Presidencën për të krijuar një degë alternative ekzekutive ndaj Kryeministrit, dhe kjo pati krijuar tensione të shumta brenda strukturave qeverisëse. Dhe tendenca e dytë që, fatkeqësisht, është ende e gjallë në partitë politike, është që Presidenca të përdoret në një lojë më të madhe shahu, për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme dhe krijim të qeverive të reja”.

Rasmusen: S’ka ndarje të Kosovës, Thaçi paraqet 4 kërkesat
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, vizitoi dje Kosovën duke përcjellë mesazhin e qartë se nuk do të ketë ndarje të vendit. Rasmusen u takua me ushtarakët e KFOR-it dhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Z. Thaçi më pas ka marrë pjesë edhe në takimin e Këshillit Veri-Atlantik të NATO-s, ku ishin të pranishëm të gjithë ambasadorët e shteteve anëtare. Rasmusen tha se NATO-ja është e përkushtuar të sigurojë një ambient të paqes, stabilitetit, e të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai theksoi se NATO-ja, por edhe bashkësia ndërkombëtare, e ka bërë të qartë që nuk ka ndarje të Kosovës dhe çfarëdo zgjidhje që do të gjendet për Veriun, duhet të gjendet mes të Prishtinës dhe banorëve serbë në Veri. Thaçi në takimin e Këshillit të NATO-s ka paraqitur kërkesat e qeverisë së Kosovës, që janë:
a. Aprovim i kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së nga ana e Këshillit Veri-Atlantik të NATO-s;
b. Vendosja e Raporteve Formale të partneritetit me NATO-n;
c. Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut A5;
d. Mundësi dhe ftesë për pjesëmarrjen e njësiteve të FSK-së apo Policisë së Kosovës në operacione jashtë vendit të udhëhequra nga NATO apo BE.
Thaçi theksoi rëndësinë që të ketë një fokusim dhe përkushtim më të madh të NATO-s, respektivisht KFOR-it për sigurimin e lëvizjes së lirë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, kryesisht.

Jeremiç nga OKB
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në OKB gjatë kohës së kryesimit të tij në Asamblenë e  Përgjithshme do të ishte një akt provokimi i pakuptimtë. “Derisa Serbia të kryesojë OKB-në, gjatë vitit në vijim, kjo do të ndodhë vetëm mbi trupin tim të vdekur”, tha Jeremiç në një konferencë për shtyp.

Deklarata e Tadiçit
Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tha në revistës “Globus” se Serbia, në njëfarë kuptimi, e ka konfirmuar realitetin se Kosova është e mëvetësuar e madje edhe gjatë negociatave nuk ka pasur qëllim që Kosovën ta bëjë jo të pavarur, veçse ka dëshiruar ta definojë kornizën juridike të asaj mëvetësie. Ai ka theksuar se Kosova dhe aleatët e saj kanë strategjinë e hapave të ngadalshëm drejtë pavarësisë së plotë.

© Panorama.al

Te lidhura