
“Çështjen e Griseldës ia kam lënë Prokurorisë në dorë”. Ky është komenti që bën Elvis Rroshi, kryetar i Bashkisë së Kavajës, në lidhje me ngjarjen e ndodhur me ish-bashkëshorten e tij, Griselda Zaimi, e cila më 1 qershor të këtij viti tronditi opinionin publik me denoncimin për rrëmbim.Gjatë një rrëfimi në emisionin “Intervista” të gazetarit Roland Qafoku, në “Tv Planet”, kryebashkiaku i Kavajës ka thënë se nuk ka dëshirë të flasë në lidhje me çështjen e Griseldës. Më poshtë botohet me shkurtime intervista e Elvis Rroshit.
Zoti Rroshi, cila është puna e parë që keni bërë me të marrë detyrën e kryetarit të Bashkisë? Me sa dimë, keni dy tre ditë që keni nisur punën?
Puna e parë është një reforme institucionale, inspektimi i institucioneve në varësi të Bashkisë dhe një staf profesionistësh.
Që do të thotë…?
Që do të thotë se Bashkinë e Kavajës do ta meritojnë njerëz të aftë dhe profesionistë, jo militantë.
Cili është basti që do të bëni për arritjen tuaj më të madhe në qytetin e Kavajës në raport me banorët e qytetit?
Nuk vë bast me shpatullat e Kavajës, por do të them që do të arrij në ato katër vjet, atë që ish-kryetari nuk arriti në 8 vjet.
Keni projektuar që të keni një vepër të rëndësishme që do të mbetet në jetë të jetëve dhe të thonë qe këtë e ka bërë Elvis Rroshi në këto katër vjet?
Ne vepra kemi shumë në Kavajë dhe vepra më e madhe do të jetë ndryshimi rrënjësisht i qendrës së Kavajës.
Mund të na jepni ndonjë detaj, si do të ndryshojë qendra e Kavajës?
Qendra e Kavajës do të ndryshojë si një qendër europiane, një qendër me ndriçim, lulishte, që keni për t’i parë në të ardhmen.
Kjo do të lidhet edhe me projektet?
Patjetër, me projektet.
Megjithatë, atë që opinioni e quan të jashtëzakonshme, keni dy gjëra të rëndësishme: Se si ju nominalisht Elvis Rroshi keni fituar në bastionin e Partisë Demokratike, për këtë habiten njerëzit. Përse fituat ju, pse ju votoi Kavaja?
Kjo ishte një votë qytetarie, jo një votë partie.
Që do të thotë?
Që këtu më votuan si menaxhues i bashkisë, si menaxhues i qytetit tim, jo për partinë.
Megjithatë, njerëzit kanë një lloj, po themi ishte e papritur kjo që të fitoje në bastionin e PD-së dhe akoma më tej në bastionin e kryeministrit Berisha, nuk është gjë e lehtë. Ne të paktën kështu e kuptojmë.
Këtë duhet t’ia bëni pyetje popullit të Kavajës.
Po ku ta gjejmë popullin e Kavajës, ju jeni përfaqësues i popullit të Kavajës?
Atëherë duhet thënë që ka fituar populli i Kavajës.
Zoti Rroshi, për t’u kthyer edhe një herë më vonë te problemet e Bashkisë, ju u bëtë një personazh i njohur për opinionin publik, njeriu që deri në atë kohë njihej si bashkëshortja juaj, Griselda Zaimi, rezultoi me një histori shtatzënie të sajuar. Si ishte e gjithë kjo histori për ju si Elvis dhe cili është versioni juaj në gjithë atë që ka ndodhur?
Për këtë histori nuk mund të flas dot, ia kam lënë Prokurorisë që ka në dorë dosjen, të vazhdojë me tutje.
Ju, gjatë kësaj kohe, jeni thirrur nga Prokuroria?
Jo, s’kam pse.
Ju keni bërë një deklaratë në fakt për publikun në datën 2 qershor, disa dite pas asaj që ndodhi. Në fakt, deklarata ka një mënyrë të shkruari shumë të kujdesshme. Ajo që kam vënë re aty është që ju nuk e keni përmendur asnjëherë Griseldën. Pse nuk e keni përmendur edhe ne ndjesën që u keni bërë në opinionin publik gjithë njerëzve etj., etj.?
E thashë që nuk mund të flas për këtë ngjarje, ia kam lënë Prokurorisë, mund të vazhdojmë me një temë tjetër për Bashkinë.
Zoti Rroshi, megjithatë, unë këmbëngul: Si e vlerësoni solidaritetin që treguan deputetët socialistë në këtë histori?
Thashë edhe një herë tjetër që nuk më pëlqen kjo lloj pyetjeje.
Të lutem, mund të përgjigjesh edhe në një mënyrë tjetër.
Mos më ngacmo prapë tani, s’ka lidhje fare, vazhdojmë me problemet e Kavajës.
Keni dalë në një konferencë për shtyp me zotin Rama edhe përpara se të mbaronin zgjedhjet edhe gjatë ditës së zgjedhjeve, kur ai ka përshëndetur fitoren tuaj. Ju keni thënë aty që “unë pres fëmijë” e madje i gjetët dhe emrin?
Ku është emri, se kam dëgjuar, unë i martuar s’jam.
Ka qenë një takim me zotin Rama dhe ka qenë publik zoti Rroshi.
E anashkaloj, vazhdo me pyetjen tjetër.
Zoti Rroshi, a e vendos fytyra juaj në rrezik, fytyrën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2013, duke ditur që fitorja juaj ishte vërtetë surprizë në një bastion të Partisë Demokratike dhe zotit Berisha?
Nuk mendoj të këtë një lidhje të drejtpërdrejtë mes bashkisë dhe partive politike.
Një pjese e njerëzve mendojnë që ju fituat në Kavajë edhe për shkak të kandidaturës jo të saktë që zgjodhi Partia Demokratike në kampin tjetër. A është kjo një arsye, sipas jush?
Nuk mund ta them kështu, unë bëra një garë, gara ishte shumë e qetë, shumë e fortë dhe rezultati u dha.
Fakti që Kavaja është qytet i Prefekturës së Tiranës, çfarë do të thotë për ju. Dikur ne ishim mësuar që Kavaja ishte e Durrësit, por tani është e Tiranës, çfarë vlere merr kjo për ju?
Unë nuk e shikoj ashtu, unë e shikoj që kushdo qoftë, çdo qeveri që është mik i Kavajës, është edhe miku im, çdo qeveri që nuk sjell investime në Kavajë, është armiku im.
Megjithatë, ju thatë që në Kavajë ka shume kohë që nuk ka investime dhe qyteti është lënë pas dore, si ka mundësi kjo, ju pyes jo si kryetar bashkie, por si një banor, me një bastion të Partisë Demokratike nuk kishte investime?
Kavaja ka shumë kohë qe ka shtruar një pyetje dhe do një përgjigje. Ose kanë qenë deputetët e Kavajës që nuk kanë dashur Kavajën, ose ka qenë Partia Demokratike që nuk e ka dashur Kavajën, që nuk ka hedhur investime për Kavajën.
Po, si ka mundësi se kjo nuk shkon se ata kanë fituar këtu?
Për këtë Kavajës i duhet një përgjigje, janë keqdashësit e Kavajës, deputetët e Kavajës.
E keni fjalën për ndonjë emër konkret?
Të gjithë, i grumbulloj të gjithë.
Për zotin Skuqi?
Patjetër, i grumbulloj të gjithë, ka dhe të tjerë ose Partia Demokratike nuk e ka dashur Kavajën, dy gjëra që duhen zgjidhur sa më shpejt dhe Kavaja pret përgjigje.
Po Partia Socialiste e do Kavajën?
Kavajën në radhë të parë e dua unë, unë dua çdo lloj partie që ndihmon Kavajën.
Cilat janë raportet tuaja me Partine Socialiste, ju jeni anëtar i Partisë Socialiste?
Jo.
Do të bëheni një ditë?
Jo.











