“Grammy Awards”, Adele i fiton të gjitha, plot 6 çmime

Feb 14, 2012 | 11:43
Këngëtarja britanike Adele

Kur doli përpara bliceve të fotografëve, ajo me vështirësi i mbante të gjitha trofetë mes krahësh. Por nuk kishte asgjë të paparashikueshme. Ajo i fitoi të gjitha. Këngëtarja britanike Adele triumfoi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”, që u zhvillua mbrëmjen e së dielës në Los Anxhelos. Ajo rrëmbeu gjashtë trofe, në të gjitha kategoritë ku kandidonte. Albumi i saj “21” fitoi si albumi i vitit dhe albumi më i mirë pop. Kënga e “Rolling in the Deep” u zgjodh incizimi i vitit, kënga e vitit dhe videoja e shkurtër muzikore më e mirë. Adele fitoi gjithashtu si këngëtarja më e mirë solo me këngën “Someone Like You”. Pesë çmime “Grammy” në kategorinë rock i shkuan Foo Fighters me “Walk”. Të tjerë trofe u kanë shkuar këngëtarëve Taylor Swift, e cila rrëmbeu dy çmime, Jay-Z, Kanye West për performancën më të mirë rap, Chris Brown për albumin më të mirë R&B dhe Lady Antebellum për albumin më të mirë me muzikë country. Megjithatë, ceremonia e së dielës nuk pati shkëlqimin e gjithhershëm. Lajmi i vdekjes së këngëtares së madhe Whitney Houston, jo vetëm trishtoi gjithë botën e muzikës, por detyroi edhe organizatorët e “Grammy Awards” të ndryshonin skaletën në momentet e fundit, duke ia përshtatur zisë që meriton shuarja e yllit të pop-soulit. Këngëtares iu bë homazh përmes shfaqjes së fotografive të saj, por edhe përmes njërës prej këngëve më të dashura dhe që i dha një sukses të jashtëzakonshëm. Këngëtarja Jennifer Hudson këndoi hitin “I Will Always Love You”, ndërsa nuk i ka mbajtur dot lotët në skenë. Në ceremoni, një numër i madh këngëtaresh ishte veshur në të zeza.

© Panorama.al

Te lidhura