
Kadri Hazbiu gjatë tërë procesit ka mohuar çdo akuzë dhe dëshmi që e fajëson për veprimtari armiqësore. I prerë e kategorik shfaqet sidomos përballë denoncimit për sabotim të vijës së Partisë.
Sa rebelues, aq edhe i vetëpërmbajtur, ish-kreu historik i Sigurimit të Shtetit, përtej kundërshtimit të detajeve të aktakuzës, mundohet të argumentojë me logjikë të ftohtë se gjithçka e adresuar për të është jo vetëm e pasaktë, por edhe e qëllimshme. I përcaktuar në pozicionin e vet, Kadri Hazbiu këmbëngul për të qartësuar diferencimin e gabimeve të shkaktuara prej tij gjatë ushtrimit të detyrës dhe kundërvënies për qëllime armiqëore. Pavarësisht apelit të tij, njerëzit që kanë marrë përsipër për të mbyllur historinë e dënimit të krerëve të Sigurimit pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, u rikthehen herë pas here episodeve të shumta të kumtuara gjatë seancave maratonë nga dëshmitarë të shumtë. Çdonjëra prej tyre mbetet për ta fund e krye një provë e padiskutueshme. Gjithsesi, Hazbiu e shfrytëzon mundësinë që i jep procedura për të zbardhur në proces motivet e vërteta sipas tij të orientimeve që ka dhënë si ministër i Brendshëm, për të cilat është kryqëzuar si sabotator i direktivës së Partisë për Sigurimin e Shtetit. I vëmendshëm ndaj çdo akuze, ish-kreu i Policisë së Fshehtë sqaron motivet që e kanë shtyrë për të orientuar zgjerimin e rrjetit agjenturor në qendrat urbane dhe qytezat e ngritura rishtaz, porositë e transmentuara për reduktimin e kontingjenteve dhe reflektimin e bërë pas kritikave të udhëheqësit, vizionin që ka pasur për politikën e goditjeve e deri te qëndrimi që ka mbajtur ndaj ish-funksionarit të Sigurimit, Gani Kodra, i cili gjatë një shërbimi jashtë shtetit ka shpërdoruar 56 dollarë (!). Në rrëfimin e Hazbiut, marrë nga libri i Kastriot Dervishit, veçohet praktika e ndjekur me shtimin e goditjeve para aktiviteteve të mëdha politike. Në argumentin e ish-ministrit vihet në dukje se kjo bëhej për qëllim të rritjes së presionit psikologjik ndaj armiqve, veprimtaria e të cilëve nuk njihej…
24.06.1983
Pyetje: Po të njohim, i pandehur, me dëshminë e bërë nga Petrit Hakani më datën 1.6.1983. Ç’keni për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Petrit Hakanit dhe kam për të thënë se nuk di gjë për njoftimin që ai thotë për Qazim Kondin dhe që ka kërkuar të pyetej për të nxjerrë rrjetin e kuesturës në Elbasan. Këtë ai mund dhe duhet t’ia ketë bërë në atë kohë tradhtarit Mehmet Shehu që ish-ministër. Unë di që Qazim Kondi ka qenë në kuesturë, por i lidhur me lëvizjen derisa doli partizan.
Nuk di për lekët që thotë ky që paska vjedhur Halim Xhelua dhe as për lidhjet e tij me vëllezërit. Theksoj që ky vetë ka qenë në lidhje shumë shoqërore me Halim Xhelon.
Për Hazbi Lamçen kam dhënë shpjegime të plota. Unë nuk di të kem mbajtur njerëz të mi, siç thotë Petrit Hakani, megjithëse nuk jep emra. Për Bedinajt në Kaninë dhe për ndonjë rast tjetër e kam këshilluar jo një herë, që të ishte jo i matur në shprehje, se në këtë drejtim ka pasur ankesa kundër tij si në Vlorë, edhe në Elbasan.
Për Agjah Lamajn, që u zbulua nga Ministria dhe jo nga dega e Petritit, me vërtetimin e veprimtarisë armiqësore u arrestua dhe dënua me vendim gjyqësor. Për hetuesinë, që iu la në vartësi Feçor Shehut, kam dhënë shpjegime në proceset e mia. Ndonjë kritikë nuk është bërë ndaj meje, Lëvdata Kopi Nikos nuk i kam bërë, ai u lirua për shkelje dhe falje.
Për Zoi Themelin mund të jetë ashtu siç thotë Petriti, që të jenë bërë vlerësime pozitive, kur ai është liruar. Hamdi Çobani ka ardhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme si kuadër i mirë dhe në Bullgari nuk di të ketë shkuar dhe u lirua si i sëmurë nga zemra.
Mua nuk më kujtohet të më ketë raportuar Petrit Hakani se Feçor Shehu rrumbullakos shifrat e statistikave agjenturore, të cilat nxirreshin dhe firmoseshin po nga ky si kryetar i degës përkatëse.
Për sa i përket marrjes së kuadrove nga fisi im, kam dhënë shpjegime në disa procese.
Është e vërtetë se ka pasur raste se persona që përpunoheshin si spiunë, të jenë arrestuar për propagandë, duke synuar që të zbulohej në hetuesi veprimtaria e spiunazhit, por me gjithë rastet e shumta, kjo nuk ka qenë vijë dhe në fund të fundit këta si armiq goditeshin.
Për politikën e goditjes flasin shifrat, të cilat nuk janë fryrë e nxitur nga ana ime për të arrestuar njerëz pa baza dhe nga shtresat tona, siç thotë Petriti. Vëmendja për një punë të kujdesshme në këtë drejtim është tërhequr disa herë. Unë nuk di të ketë pasur dosje me implikim të njerëzve në Konferencën e Tiranës, e cila të mbahej në përdorim vetëm me urdhrin tim. Kur e gjeti ku, pse nuk e bëri më problem.
Nuk di të jetë bërë ndonjë informacion se në Komitet Ekzekutiv dhe të Partisë në disa rrethe përpiloheshin shifra të rreme për realizimin e planit dhe të jetë ndaluar të përcillet lart nga ana ime. Kur janë bërë informacione të tilla, janë dërguar lart.
Me sa kujtoj unë, çështja e letrës së shkruar nga Bardhosh Halimi (daja dhe jo nip i Pajo Islamit) është pas Konferencës së Tiranës. Dhe i është bërë prezent sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë që vdiq. Për masat e marra kështu u gjykua në atë kohë dhe nuk kishte vend të dënohej më rëndë. Malo Beqari, që kishte ditur për këtë letër, u dënua në rrugë partie dhe shtetërore.
28.6.1983
Pyetje: Po të njohim, i pandehur, me dëshminë e bërë nga Rexhep Kolli më datë 21.5.1983. Ç’ke për të thënë rreth saj?
Përgjigje: Unë e lexova dëshminë e Rexhep Kollit dhe kam për të thënë se për gabimet dhe përgjegjësitë e mia në sigurim, ky bën konsiderata. Mua nuk më ka mbrojtur Mehmet Shehu, por Partia, ashtu siç ka mbrojtur këtë e kuadro të tjerë për gabimet e bëra. Nuk është e vërtetë që unë paskam sabotuar punën për rritjen e rolit udhëheqës të Partisë në organet e Punëve të Brendshme, duke fetishizuar sekretin dhe format e mbyllura të punës. Çdo gjë është bërë në përgjithësi nën kontrollin e Partisë, si nga KQ i Partisë e deri në organizatën bazë. Unë di që kemi dhënë llogari para Komitetit të Partisë për probleme të caktuara si udhëheqje, ashtu edhe për sektor të veçantë, p.sh. analiza për familjaritetin. Për politikën e goditjes dhe ato gabime që janë shfaqur, kam dhënë shpjegime në proceset e mia. Këto janë trajtuar herë pas here në analizat që janë bërë dhe jo siç thotë Rexhepi, se unë qenkam kujtuar të bëj një zbërthim të tillë kur vajta në Ministrinë e Mbrojtjes. Unë për Rukie Ramën nga Tropoja kam njoftuar me shkrim udhëheqjen e Partisë sipas raportit të dhënë nga ata që verifikuan çështjen. Me sa më kujtohet mua, më vonë doli se këtë çështje e fryu një punëtor operativ dhe që ndaj tij është mbajtur qëndrim. Rexhep Kolli ka qarkulluar normalisht e jo siç më kritikon ai mua. Ai kishte njësoj përgjegjësi për dobësitë e Sigurimit, sa dhe Feçor Shehu në zbulimin e puçit ushtarak. Ky nuk u spostua nga ndjekja e problemit të komplotistëve, por ndiqte anën organizative të çështjes. Unë nuk di nëse janë bërë arrestime e internime nga Saranda e Gjirokastra në vitin 1978, siç thotë Rexhepi në kohën kur ka shkuar atje për vizitë udhëheqësi, sepse në atë periudhë isha për analiza mjekësore në Francë. Unë nuk di për riatdhesime të spiunëve e diversantëve të Vojsava Duros etj. të lejuar nga Feçor Shehu, pas ikjes time nga Ministria e Brendshme. Qëndrimi që mbahej ndaj njerëzve të veçantë që vinin nga Kosova të dyshimtë, si kriter zbatohej kthimi i tyre sipas miratimit të udhëheqjes së Partisë. Për raste konkrete vendosnim ne, si Ministri. Për dy persona të ardhur nga Kosova, njëri i quajtur Din Spahiu, çështja është trajtuar me aparatin e KQ dhe sektorin për probleme ideologjike…
Pyetje: Po të njohim, i pandehur, me akuzën për sabotimin e politikës së Partisë në fushën e Sigurimit. Çfarë ke për të thënë?
Përgjigje: Unë kurrsesi nuk pranoj se kam qenë pjesë e një organizate antirevolucionare. Të gjitha të dhënat reale nuk flasin për këtë, por për të kundërtën. Akuzohem për përqindjet në politikën e goditjes së veprimtarisë armiqëore. Ato mendoj se nuk duhet të merren kështu nga karakteri dhe paraqitja e tyre sesacionale. U tha se 80 për qind e të arrestuarve janë të shtresave të mesme e të varfra. Mendoj se kjo duhet parë në raport me evolimin, me ndryshimin klasor, pasi këto shtresa në vendin tonë zënë vendin kryesor. Unë nuk e mbaj mend ekzaktësisht përqindjen e goditeve dhe numrin e tyre në vit. Ato, me sa më kujtohet, kur i kemi parë në Hetuesi lëkundeshin nga 150 në 180 arrestime për krime kundër shtetit në vit. Po kjo duhet parë, mendoj unë, edhe në raport me këshillimet. Është e vërtetë që goditje para aktiviteteve të mëdha janë bërë. Pse është bërë kjo? Ky është koncept, ky ka qenë mendimi që kam pasur unë si ministër, ka qenë kjo një veprimtari prej kohësh dhe nuk ka qenë disavjeçare. Për këtë nuk dua të fajësoj të tjerët. Kjo bëhej me qëllim të presionit psikologjik mbi armiqtë, veprimtarinë e të cilëve nuk e njihnim. Dëshmitarët thonë se janë goditur edhe njerëzit tanë. Unë kam bindjen se nuk duhet të konsiderohen njerëzit tanë ata të cilët kanë kryer një krim, për të cilin medoemos duhet të japin llogari në bazë të ligjës dhe drejtësisë. Kjo një çështje…
vijon…
Hazbiu në gjyq: Shtimi i kontingjenteve ka qenë një praktikë e gabuar
Si e futëm agjenturën në komitetet ekzekutive
ARANIT ÇELA: A ka ndonjë parim që çdo njeri që kryen një vepër duhet të shkojë në gjyq…
KADRI HAZBIU: Jo, këtu hyn politika penale, po meqënëse është kështu, atëherë t’i qëndrojmë konsekuentë kësaj çështjeje, sepse unë akuzohem pse nuk u morën masa të rënda penale ndaj Gani Kodrës për 56 dollarë. A duhet fajësohem për këtë? A mund të vinim te prangat në një rast të tillë? Unë them se arrestimet nuk kanë qenë kurrë tendencë në Ministri. Këtu u fol se nuk është punëtor operativ ai që nuk bën arrestime. Asnjëherë në orientimet e mia nuk ka qënë kështu…
ARANIT ÇELA: Ka qënë një porosi kështu, që vlerësmi i hetuesve dhe sektorit operativ të bëhej mbi bazën e sasisë së arrestimeve që bën…
KADRI HAZBIU: Në asnjë mënyrë. Ka qënë një rast kur unë kam folur për këtë problem. Kishte dy vjet dega e Skraparit pa asnjë veprim. Po kështu rezultonte se edhe dega e Gramshit kishte dy vjet pa asnjë goditje. Atëherë shtrohej problemi që ka aktivitet, ka luftë klasash apo nuk ka. Në qoftë se ka luftë klasash, rrjedhimisht do të kishte edhe një farë aktiviteti armiqësor, sado të vogël qoftë, do të ketë raste keqbërësish me të cilët duhet të merremi. Kështu kam folur në këtë rast…
ARANIT ÇELA: Më tutje…
KADRI HAZBIU: Për sa u përket vërejtjeve të udhëheqësit për problemin e kontingjenteve, janë absolutisht të drejta. Ideja e orientimit për shtimin e kontingjenteve, nuk ka pasur asnjë qëllim të mbrapshtë. Shqetësimi ynë, me sa kam kuptuar unë, ka qënë sidomos për këto qendrat e reja të kijuara ku nuk njiheshin njerëzit në këto qyteza të reja që krijoheshin. Megjithatë, unë them se në themel të këtij mendimi është koncepti negativ. Pse është i gabuar? Edhe për sa i përket masivizimit, zgjerimit të kontingjenteve, që fundi udhëheqësi këtu na bën një vërejtje relative, ku thotë mundet ashtu po mundet edhe kështu, mos lajthisni në këtë çështje në vlerësimin konkret të tyre, por sidomos në shfrytëzimin e këtyre kontingjenteve, përgjegjësi mbaj unë që e kam firmosur këtë. Unë nuk kam si ta quaj ndryshe, po ashtu siç e ka quajtur udhëheqësi, një vështrim të gabuar në trajtimin e zbatimin e vijës së Partisë…
ARANIT ÇELA: Këtu akuzoheni që është bërë me qëllime sabotimi…
KADRI HAZBIU: Aktakuza mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ashtu. Mbasi ia dhamë udhëheqjes këto mendime, ajo bëri vërejtjet e saj dhe ne menjëherë bëmë veprimet përkatëse, ndryshuam udhëzimin, bëmë një sërë udhëzimesh të tjera, i zbërthyem në shkollë, me kuadrot kryesorë, i zbërthyem bashkë me aparatin e KQ, për t’u dhënë rrugëzgjidhje problemeve sipas instancave të ndryshme, punëtor operativ me sekretar organizate bazë, punëtor operativ me instruktor zone, zëvendëskryetari i degës me seksionin e Komitetit të Partisë e me Komitetin Ekzekutiv. Me propozimin tonë, në këtë periudhë u caktua edhe një nga sekretarët, që do të merrej me problememt e sigurimit. Se nuk është aq i lehtë drejtimi i Sigurimit, sepse duhet edhe kontrolli i Partisë, por duhet ruajtur edhe sekreti, sipas të gjitha këtyre kërkesave në unitet me njëra-tjetërën. Si rrjedhim i këtyre orientimeve që dhamë në zbërthim të porosive dhe vërejtjeve të bëra nga udhëheqësi i Partisë, shifrat nuk u lëkundën më. Pse u lëkundën kaq rëndë këto shifra, që ranë deri te 17 mijë që thotë ajo në fillim të tremujorit? Këtu janë gabimet tona në kuptimin jo të drejtë të zbatimit të vijës së masës në kontrollin e këtyre kontingjenteve si ndikim i liberalizmit në tërësi, si rrjedhim i mungesës së një kontrolli sistematik në drejtoritë respektive për çka mbajmë përgjegjësi ne. Sepse ne na kishte ngarkuar Partia që të mos lejojmë luhatje të kësaj natyre. Po jam i bindur dhe flas me sinqeritetin më të madh që ky ka qënë një gabim në punë e sipër dhe në asnjë mënyrë një sabotim i ndërgjegjshëm, siç thuhet në akuzë…
KADRI HAZBIU: Për sa i përket çështjes së komiteteve ekzekutive, unë kam dijeni dhe kam dhënë mendimin tim që ato të trajtohen si objekte të rëndësisë së veçantë, që do të thotë në pikëpamjen e sigurimit të jashtëm dhe me agjenturë dhe me policë, për sigurimin e brendshëm për rregullin e hyrjes, të daljes etj. E treta, për masat kundër zjarrit, e katërta për ruajtjen e sekretit. Këto kanë qenë…
ARANIT ÇELA: Ç’do të thotë për ruajtjen e sekretit, si do të ruhej sekreti…
KADRI HAZBIU: Po, në disa sektorë ku kishte administratë. Ky ka qënë orientimi që kemi dhënë ne…
ARANIT ÇELA: Ky orientim nuk është një gjë e vogël, se nuk është një gjë e vogël për të futur agjenturën në Komitet Ekzekutiv. Po të japësh një orientim të tillë në gjithë Republikën, kur ti në praktikë nuk e ke një gjë të tillë, është shkelje apo jo…
KADRI HAZBIU: Të lutem shumë, unë nuk dua të futem në detajet e kësaj pune, por desha të them që është bërë me miratimin e Partisë te sektori përkatës…
Shënim sqarues
Gjatë botimit të ciklit “Dosja Hazbiu” ka pasur reagime për detaje të veçanta. Zoti Sulejman Osmani nga Tirana ka mohuar të ketë qenë dëshmitar në procesin e vitit ’83. Në fakt, dëshmitari Sulejman Osmani, të cilit i referohet gazeta, është një person tjetër, i vitlindjes 1938, ish-polic, i dënuar për agjitacion e propagandë, shoku i qelisë së mjeshtrit të cirkut Telat Agolli. Të njëjtën gjë ka kundërshtuar edhe profesor Anastas Dodi, emri i të cilit është ngatërruar me atë të dëshmitarit Anastas Dobi, njërit prej shoqërusëve të Mehmet Shehut gjatë vizitës në Nju Jork në vitin ’60. Ndërkaq gjatë zbardhjes së dëshmisë së Gani Kodrës, ish shefit të truprojave të Mehmet Shehut, gazeta duke iu referuar përqasjeve të tij në bangën e të akuzuarit për të lehtësuar pozitën, gabimisht e cilëson atë si vëllain e Siri Kodrës. Pasaktësia jonë në këtë rast me të drejtë ka lënduar familjarët dhe të afërmit e Dëshmorit të Atdheut, të cilëve u kërkojmë ndjesë për pohimin e pavërtetë. Sa për reagimin e zotit Pjetër Gjini nga Laçi, sqarojmë se dëshmitari Pjetër Gjini, për të cilin bëhet fjalë, është nga Blinishti i Mirditës, punonjës i Ministrisë së Brendshme (1953-1982), i përjashtuar nga Partia dhe denoncuesi i Feçor Shehut si prepotent dhe imoral.
AFRIM IMAJ
© Panorama.al











