Ish-zv.kryeministri Ilir Meta i shprehu dje Gjykatës së Lartë vullnetin që gjykimi ndaj tij për akuzën e “korrupsionit” në këtë gjykatë të mos pushohet për çështje procedurale.Një javë para se Gjykata e Lartë të shprehet mbi kërkesat paraprake të avokatëve mbrojtës të Metës, pretendime të parashtruara në seancën e 20 qershorit, ish-zv. kryeministri u tërhoq nga një prej kërkesave. Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, avokati Gëzim Veleshnja depozitoi në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë një memo-kërkesë të firmosur nga ish-zv. kryeministri Ilir Meta. Në këtë memo-kërkesë, i akuzuari i Prokurorisë së Përgjithshme paraqiste heqjen dorë nga kërkesa paraprake mbi pavlefshmërinë e veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe atë të mosrespektimit të cilësive të imunitetit të tij. Në lidhje me kërkesat paraprake të bëra në seancën e 20 qershorit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë do të shprehet në seancën e 11 korrikut. Ilir Meta u dërgua si i pandehur në Gjykatën e Lartë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme më 9 maj të këtij viti për akuzën e “korrupsionit aktiv”. Hetimi ndaj tij nisi pas publikimit të një video-përgjimi të realizuar nga ish-ministri Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit.
TËRHEQJA
Referuar përmbajtjes së memo-kërkesës të depozituar dje në Gjykatën e Lartës, si edhe avokatit Veleshnja, ish-zv.kryeministri Meta është tërhequr vetëm nga kërkesa paraprake në lidhje me afatet hetimore dhe mosrespektimi i imunitetit të tij. Kjo, për shkak se ai kërkon zhvillimin e një procesi gjyqësor të plotë dhe debatues. “Për shkak se shtetasi Ilir Meta ka vijuar në vazhdimësi dhe herë pas here se nuk kërkon të përfitojë nga shkeljet procedurale të kryera nga organi i akuzës, ka kërkuar zhvillimin e gjykimit të drejtë, të barabartë, të vazhdueshëm, të pandërprerë të këtij procedimi. Ne nuk heqim nga dorë nga kërkesa të tjera që lidhen me aktin e ekspertimit teknik të kryer jashtë rregullave procedurale. Nuk heqim dorë nga mënyra e pyetjes së dëshmitarëve, në shkelje të rregullave procedurale, si dhe marrjen e provës objekt-ekspertimi të kësaj çështjeje në shkelje të parashikimit të ligjit. Gjatë gjykimit të këtij procedimit do të paraqesim prova dhe fakte që do të konfirmojnë edhe njëherë shkeljet e vazhdueshme të bëra nga organi i akuzës, si dhe manipulimin dhe montimin e bërë në video, objekt ekspertimi i kësaj çështjeje”, pohoi avokati për median, pasi doli nga Gjykata e Lartë.
MEMO-KËRKESA
“Të detyruar nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej nesh, zotit Ilir Meta, si dhe mbi motivin e lartë shtytës të zhvillimit të një procesi gjyqësor të plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm nxjerrjen e së vërtetës, por edhe certifikimin e saj, deklarojmë se heqim dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake e konkretisht nga: Deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet”, thuhej në memo-kërkesën e firmosur nga Ilir Meta. Në vijim, aty pohohej se “me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm proceduralisht”.
Ku nuk tërhiqet:
Sipas memo-kërkesës së paraqitur dje në Gjykatën e Lartë, avokatët e Metës pohojnë se u qëndrojnë pretendimeve të tjera të paraqitura prej tyre në seancën e datës 20 qershor. “Për sa u takon kërkesave të tjera paraprake që lidhen me: aktet e ekspertimit, dëshmitë e marra në kundërshtim me ligjin dhe provat materiale të marra në të njëjtën formë, ripohojmë se u qëndrojmë dhe, mbi pranimin e tyre, presim me besim vendimin tuaj të datës 11.07.2011”, thuhej në memo.
Vendimi, më 11 korrik
Gjykata e Lartë do të shprehet në seancën e 11 korrikut 2011 në lidhje me kërkesat paraprake të paraqitura nga avokatët e Metës në seancën e 20 qershorit, si dhe prapësimet e bëra nga prokurori i çështjes në seancën e 27 qershorit. “Pasi vlerësoi kompleksitetin e kërkesave paraprake, u gjykua se Kolegjit Penal i nevojitet kohë për të shprehur vendimin”, u shpreh Kolegji Penal në seancën e fundit të këtij gjykimi, para se të caktonte si datës seancë të radhës 11 korrikun.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











