“Gjermanët i mund në mesfushë”

Jun 28, 2012 | 15:05

Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, ka bërë rezymenë e skuadrës së tij dhe kundërshtarit para ndeshjes së mbrëmjes së sotme me Gjermaninë.
Në konferencën për shtyp ai tregoi edhe cilësitë e skuadrës së tij dhe mënyrën se si mund të eliminojë “pancerat”.
Në ç’gjendje është Italia para kësaj gjysmëfinaleje?
Janë mjaft mirë si fizikisht, por edhe psikologjikisht. Adrenalina është e njëjtë si tri ditë më parë, ndërsa motivacionet nuk na mungojnë, pasi kemi përballë Gjermaninë, një nga skuadrat më të forta në botë. Mjafton kaq për të mos menduar për lodhje.
A do luajë Kasano?
Unë nuk e shikoj aktivizimin e një lojtari vetëm për nga cilësitë, por edhe nga ajo që ai mund të më japë në fushën e lojës. Aktualisht i kam të gjithë lojtarët në dispozicion dhe, nëse do ta aktivizoja atë vetëm për disa minuta, do më dukej ofenduese. Megjithatë, të shohim deri nesër (sot), e rëndësishme është që në fushë do të luajë formacioni më i mirë.
Çfarë do t’u thoshit sulmuesve tuaj?
Sigurisht që nuk do t’u them të bëjnë gola, pasi do ishte ofenduese për ta, por ndoshta duhet të nuhasin më mirë portën kundërshtare dhe sa më shumë raste për shënim të kemi, aq më afër golit do jemi.
Ku ishit në 2006-n, kur Italia fitoi ndaj Gjermanisë?
Më kujtohet mirë ajo ditë, sapo kishim nisur fazën përgatitore me Fiorentinën dhe po e ndiqja ndeshjen me bashkëpunëtorët e mi. Sigurisht, festova si i çmenduar.
Lipi ju ka vlerësuar me notën 8, ju çfarë note do t’i vinit vetes?
E kam shumë të vështirë që t’i vë një votë vetes, por e falënderoj shumë Lipin për vlerësimin.
Pse mendoni se mund të fitoni ndaj Gjermanisë?
Sepse kemi punuar jashtëzakonisht shumë gjatë kësaj kohe, duke vënë në pah më së shumti kualitetet e secilit lojtar. E kam thënë gjithnjë, ne kemi një nga mesfushat më të mira dhe të forta në Europë: jemi taktikisht të mirëvendosur në fushë, kemi fantazi dhe forcë.
A mos është kjo edhe për t’i dhënë mundësi Pirlos që të jetë më i lirë?
Patjetër, pasi kur ke një lojtar si Pirlo, përpiqesh t’i japësh sa më shumë mundësi që ai të luajë me topin. Gjithsesi, përveç kësaj, ne kemi punuar shumë me mënyrën e lëvizjes në fushë, për t’iu larguar sa më shumë metodave të thjeshta dhe të njohura tashmë nga të gjithë. Gjithsesi, çdo ndeshje është një histori më vete dhe nesër (sot) pres një kundërshtar që do na sulmojë vazhdimisht, ndaj duhet të jemi tejet të përgatitur. Ideja është që të fitojmë çdo ndeshje, paçka se jemi të vetëdijshëm se përballë do kemi një superskuadër.
Mund të themi se ka një çështje “Baloteli” te Italia?
Absolutisht jo. Unë personalisht nuk kam probleme në komunikimin me atë djalë. Ekziston gjithnjë kurioziteti për të njohur një 20-vjeçar me talent të jashtëzakonshëm si ai. Unë besoj se ai do bëhet një kampion vërtet i madh.
Ëndërroni finalen?
E kam shumë të vështirë të mendoj për ndeshjen tjetër. Jemi të përqendruar te Gjermania dhe do mundohemi të bëjmë një ndeshje të madhe. Kemi arritur deri këtu dhe nuk mund të kthehemi prapa tashmë, pasi do ishin dy vjet pune të shkuara dëm.

Mesfushori Daniele de Rosi beson se Italia do shkojë në finale
“2006-ta? I mundëm në shtëpi, fitojmë përsëri”

Daniele de Rosi kërkon të jetë me patjetër në fushë përballë Gjermanisë. Mesfushori e sheh si një sfidë të veçantë, ndaj nuk dëshiron të mungojë, edhe pse ka vuajtur një dëmtim. “Duhet të luajmë me shumë kujdes në mbrojtje dhe me të njëjtën grintë e presion ndaj kundërshtarit, si ndaj Anglisë. Askush nuk do donte të ishte jashtë, ca më pak për shkak dëmtimi, kur përballë ke Gjermaninë. Në 2006-n? Ishte një mbrëmje epike, pasi të gjithë mendonin se do fitonte Gjermania, kjo edhe për faktin se ata ishin të zotët e shtëpisë. Për këtë takim nuk kemi menduar për gjëra të jashtëzakonshme. Do bëjmë lojën tonë me shpresën që Pirlo do jetë ai i ndeshjeve të fundit. Derb me Klosen? Nëse do të luajë ai, nuk do ta shikoj si një derbi Roma-Lacio”, përfundoi De Rosi.

Lëv: “Jemi më të mirët, mundim çdo skuadër”
Rekordet e Italisë në përballjet direkte i respekton, por nuk i ka frikë. Andrea Pirlon e quan një lojtar klasi, por nuk do të ndryshojë skemën e Gjermanisë për ta izoluar. Italia është një rivale, por kjo Gjermani është e aftë të mund edhe skuadrën më të fortë në botë. Një Joakim Lëv me vetëbesim të jashtëzakonshëm shfaqet në konferencën për shtyp përpara gjysmëfinales me të kaltrit. “Në këtë fazë ndodhen 4 skuadra që e meritojnë. Kanë ekipet më kompakte dhe kanë lënë përshtypjet më të mira në këtë Europian. Diferencat mes ekipeve janë shumë të ngushta dhe në gjysmëfinale do të nevojitet edhe fati për të shkuar në Kiev. Por, Gjermania është në pozita për ta mundur Italinë dhe të shkojë në finale. Kjo skuadër është e aftë të mposhtë çdo skuadër në botë. Kjo Itali ka një aks shumë të fortë që nis prej portës me Bufon, Pirlon në mesfushë dhe përfundon me Balotelin në sulm. Italia është një skuadër me lojtarë të shkëlqyer nga mbrojtja në sulm. Ne e kemi parë ndeshjen Itali-Angli dhe 60-70 minuta e pamë fizikisht shumë të fortë Italinë. Përkundrazi, ishte Anglia ajo që vuante formën. Megjithatë, 4 ditë që ndajnë një ndeshje nga tjetra, unë besoj se janë të mjaftueshme për të rigjeneruar energjitë. Kemi parë që Baloteli dhe Kasano kanë bërë gjëra të bukura, por unë jam i bindur se Mats dhe Holger do t’i mbajnë nën kontroll gjatë gjithë ndeshjes. Mbrojtësit tanë i dinë vështirësitë që i presin. Me guxim dhe në sulm i dërgojmë në shtëpi italianët”, tha Lëvi në konferencën për shtyp.

Gomez: Klose? Jemi që të dy në formë
Mario Gomez pranon se nuk e di ende se kush do të luajë në formacion kundër Italisë. Golashënuesi më i mirë i Gjermanisë, me 3 gola, u la në stol nga Lëvi në ndeshjen çerekfinale kundër Greqisë. “Unë tri ndeshjet e para të grupit i kam luajtur shumë mirë. Por edhe Klose bëri të njëjtën gjë me Greqinë. Të shohim kush do të jetë në fushë kundër Italisë”, tha sulmuesi i Bajernit për “SportBild”. Gomez është ndalur edhe te forma e shkëlqyer e Khedirës, si dhe forma e munguar e Shvajnit: “Sami ka bërë një sezon fantastik te Reali, ku është rritur së tepërmi si lojtar. Është një lider i vërtetë, këtë po e tregon edhe me Gjermaninë. Shvajni nuk ka pasur një sezon të lehtë. E kanë ndjekur dëmtimet dhe nuk është ende në 100%. E megjithatë, ai mbetet pjesë thelbësore e kësaj skuadre”, ka përfunduar sulmuesi i Bajernit të Mynihut dhe kombëtares gjermane.

“Itali, bëj gati valixhet, fitojmë ne”
Mesfushori Bastian Shvajnshtaiger është gati për sfidën ndaj Italisë. Zv.kapiteni i “pancerave” i ka idetë e qarta se si duhet të fitohet kjo sfidë. “Unë jam 100% në formë dhe jam gati për këtë takim. Jam stërvitur dy herë dhe ndihem mirë. Jam tërësisht i përqendruar në këtë sfidë”, tha lojtari. Mesfushori flet për përfaqësuesen italiane dhe për forcën e tyre. “Ka disa lojtarë tek Italia, të cilët unë i admiroj. Më pëlqen mënyra se si luan Pirlo. Por ne kemi mundur Argjentinën, Holandën, Anglinë dhe Brazilin. E tani radhën e kanë italianët”, garantoi zv.kapiteni i “pancerave”. Në fund, ai bën ironi me ekipin e Prandelit. I pyetur për arritjet e futbollit italian, përgjigjet: “Duke pasur parasysh se çfarë po ndodh në kampionatin italian të prekur nga shumë skandale, them se kjo kombëtare ka arritur shumë”, përfundoi Shvajnshtaiger.

Fallxhori: Gjermania  fiton dhe del kampion
Që Gjermania të fitojë sot në Varshavë, ka 12 argumente: 11 futbollistët e saj dhe dora e trajnerit Joakim Lëv. Por, për fallxhorin gjerman Verner Gisling, dora e majtë e teknikut 52-vjeçar të 3 herë kampionëve të Europës tregon edhe përtej gjysmëfinales me Italinë. Gjermania do të shpallet mbretëreshë e Europës më 1 korrik në Kiev. Gjermanët kanë nisur t’u besojnë besëtytnive së fundmi, edhe pse një gjë e tillë nuk është pjesë e kulturës së këtij vendi. Tifozët janë bërë gati të festojnë në sheshin “Alexanderplatz” të Berlinit triumfin e tyre të katërt të hënën e 2 korrikut, e për këtë është porositur edhe birra që në rast suksesi do të derdhet lumë. “Dora e majtë e Joakim Lëvit tregon se ai është drejt majës në karrierën e tij. Vija e impenjimit tregon se trajneri është në rrugë të mbarë. Në rast se Gjermania nuk do të shpallej kampione, kjo nuk do të ishte për faj të tij, por kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë”, shpjegon për “Bild” eksperti 50-vjeçar. Lëv është një mëngjarash, por i pëlqen që autografet t’i shkruajë me dorën e djathtë. Ai është një nga trajnerët më supersticiozë të Europianit.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura