Ylli Pinari, i pandehur në dosjen “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës, shmangu dje përgjegjësinë e ndërmarrjes “MEICO” në ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.Ish-drejtori i MEICO-s tha se ndërmarrja ka si objekt vetëm shitjen e municionit. Në lidhje me lejet mjedisore, lejet e ndërtimit, pajtimin e energjisë elektrike e të tjera, të gjitha këto nuk janë detyra të MEICO-s, por të SAC-it, pohoi Pinari. Në seancën e djeshme të dosjes “Gërdeci”, i pandehuri Pinari vijoi t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorëve në proces. Sipas Pinarit, “misioni” i MEICO-s përfundonte në firmosjen e kontratës me kompaninë amerikane “SAC”. Gjithçka ndodhte më pas nuk ishte më përgjegjësi e MEICO-s. “Përcaktimi i Gërdecit si vend është përcaktuar në urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes nr. 550, datë 25.04.2007. Në statusin e MEICO-s nuk ishte në detyrë verifikimi i vendit, licencës apo kërkesave të tjera”, tha Pinari. Në vijim publikohet pjesa kryesore e dëshmisë së dhënë dje nga Pinari në sallën e gjyqit.
DESHMIA
Prokuroria: Para se të nënshkruanit kontratën me SAC, a verifikuat nëse kjo kompani kishte leje mjedisore?
Pinari: Me daljen e urdhrit nr. 550, datë 25.04.2007 të Ministrisë së Mbrojtjes, ky problem është ezauruar, pasi SAC ishte përzgjedhur mes disa firmave të tjera. Unë nuk kam bërë verifikime. Verifikimi është bërë nga Ministria e Mbrojtjes.
Prokurori: Kur jeni vënë në dijeni që SAC kishte nënkontraktor Albademil?
Pinari: Në dijeni për ekzistencën e Albademil jam vënë më 28 dhjetor 2006 nga një letër (faks) e ardhur nga Ministria. Ishte faksi që Patrik Henri i kishte çuar Ministrisë së Mbrojtjes. Në lidhje me kontratën SAC-Albademil jam njohur pasi u lidh kontrata MEICO-SAC.
Prokurori: E keni lexuar kontratën SAC-Albademil?
Pinari: Pasi është depozituar kontrata SAC-Albademi, një kopje ka qenë edhe te marketingu. E kam parë si material.
Prokurori: Kontrata SAC-Albademil është nënshkruar më 7 qershor 2007. Kur jeni njohur ju?
Pinari: Unë jam njohur më 25 qershor 2007.
Prokurori: Në dosje është një autorizim i Albademil, i datës 4 qershor ’07, ku Mihal Delijorgji autorizon Dritan Minxollin të marrë në ngarkim të gjithë sasinë e fishekëve. Përse është administruar nga MEICO ky akt?
Pinari: Me sa kujtoj, në këtë kohë, Patrik Henri ka qenë në Shqipëri dhe na ka thënë që ky aktivitet do të zhvillohet nga Albademil, ku ai ishte ortak. Data e vënies në dijeninë time është kur akti, d.m.th. praktika, erdhi në sekretari. Data e firmosjes është data 7. Specialistët e MEICO-s kërkuan që kjo kontratë të kishte edhe niptin, vendimin e gjykatës, si edhe dokumentacionin e plotë të Albademil-it. Përsa i përket autorizimit ku Albademil autorizon Dritan Minxollin për marrjen në ngarkim të fishekëve, ky autorizim është kërkuar nga ana jonë, pasi firma amerikane donte të provonte, testonte makineritë e instaluara në Gërdec. Bëhej fjalë për një arkë me fishekë.
Prokurori: Para qershorit ka pasur kërkesë për eksperiment?
Pinari: Ka pasur kërkesë nga SAC. Donin nga një arkë për tri llojet e kalibrave. Kjo i është përcjellë Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhri ka dalë me vonë.
Prokurori: Përse u kërkua eksperiment në qershor, kur ky proces ishte zhvilluar në maj?
Pinari: Unë nuk mund të kujtoj në ç’rrethana është bërë.
Prokurori: A u verifikua nëse Albademil kishte leje për mbajtje, demontim dhe depozitim municioni?
Pinari: Unë mund të përgjigjem për kontratën MEICO-SAC, ku cilësohet shitje për demontim dhe demilitarizim në proces industrial. Sipas kontratës, demontimi do të bëhej në kushte shumë të larta sigurie. Nga këqyrja e dokumentacionit konfirmova se ishte një vendim gjykate për themelimin e shoqërisë “Albademil” si kompani me objekt pune demontim municioni.
Prokurori: Po kontrata?
Pinari: Unë kam firmosur kontratën me SAC. Këtu përfundon misioni i MEICO-s.
Prokurori: Pse keni administruar në dosjen e SAC-it kontratën mes saj dhe Albademil?
Pinari: Ky dokument nuk i ka bërë asnjë problem dosjes. Ka qenë kërkesë e specialistëve dhe e degës juridike.
Prokurori: Po Albademil a kishte leje mjedisore dhe licencë për ushtrim aktiviteti?
Pinari: MEICO ka si objekt vetëm shitjen e municionit. Në lidhje me lejet mjedisore, lejet e ndërtimit e të tjera, të gjitha këto nuk janë detyra të MEICO-s, por të SAC-it.
Prokurori: A keni verifikuar nëse Gërdeci ishte i licencuar për demontim, magazinim municioni?
Pinari: Përcaktimi i Gërdecit si vend është përcaktuar në urdhrin e ministrit nr. 550, datë 25.04.2007. Në statusin e MEICO-s nuk ishte në detyrë verifikimi i vendit, licencës apo kërkesave të tjera.
Prokurori: MEICO ku i merrte në dorëzim municionet?
Prinari: Në zbatim të kontratës, malli dorëzohej “mbi kamion”. Malli kalonte nga ushtria MEICO-s dhe njëkohësisht i kalonte SAC-it. Ky fakt, për një kosto më të ulët. Nga magazinieri i MEICO-s bëhej në të njëjtin moment hyrja dhe dalja e municionit.
Prokurori: Nga e dinit ju që nuk do të realizohej kontrata, parashikim që e referoni në memo, dhe përse nuk konsiderohet e realizuar kontrata kur sasitë janë variable dhe jo fikse?
Pinari: Mendimi që nuk mund të realizohej kontrata lindi që në muajin e dytë, kur disa nga fishekët nuk dilnin me tunxh. Ky fakt doli 2 muaj pas nisjes së verifikimit të municioneve me tunxh. Përsa i përket kontratës, që ishte jo me sasi fikse, ne si operator ekonomik shikonim që të shisnim jo vetëm atë, por edhe më tepër.
ARMAND BAJRAMI











