“Gaqo ishte druvar, sëpatën e përdorte mirë edhe sot”

Aug 22, 2011 | 11:40
Gaqo Dumka pas arrestimit për krimin

Dardha, fshati turistik i Korçës, këtë herë e tërhoqi vëmendjen tonë jo për bukuritë e tij. Ngjarja makabre e ndodhur në qytetin e Korçës 10 ditë më parë, ku një 84-vjeçar masakroi një grua sa gjysma e moshës së tij, na ka sjellë në këtë zonë të rrallë në vend.Pikërisht në vendin e origjinës së Gaqo Dumkës, i cili ka lindur, punuar e jetuar deri 11 vjet më parë. Atëherë kur një zjarr i rënë në rrethana që ende nuk dihen i shkrumboi shtëpinë. Teksa shkëmbehesh rrugës me banorët, të gjithë të përshëndesin në mënyrë të kulturuar. U drejtohemi disave prej tyre, të cilët janë në afërsi të kishës së Shën Gjergjit dhe pas një përshëndetjeje të ngrohtë e disa pyetjeve rutinë, nis prezantimi i ndërsjellë. Më së pari njihemi me 83-vjeçarin Niko Stefani. Qëllimi i këtij udhëtimi është të mësojmë më tepër nga jeta e Gaqo Dumkës, 84-vjeçari i njohur në të gjithë vendin si autor i masakrës së padëgjuar më parë. Niko Stefani është shoku i fëmijërisë së Gaqos. Ai tregon me detaje jetën e bashkëmoshatarit të tij deri në momentin kur ka dëgjuar krimin, për të cilin thotë se s’ka mundësi ta ketë bërë Dumka.
Ju e njihni Gaqo Dumkën?

Niko Stefani, banor i Dardhës, duke treguar për gazetën

Patjetër. Unë jam 83 vjeç dhe me Gaqin (kështu e thërrasim ne) jemi rritur bashkë. Shtëpia jonë është përballë së tijës dhe për vite të tëra ne kemi qenë edhe fqinjë të mirë. Edhe pas largimit të tij në Korçë dhe timit për në Amerikë, çdo verë ne jemi takuar këtu.
Si ka qenë fëmijëria juaj dhe e Gaqos?
Eh, sa nostalgji kam për atë kohë! Po ç’të të them? E bukur, plot lojëra, prapësi, si të gjithë fëmijët edhe ne. E di që do më tepër për Gaqin, ndaj po të tregoj aq sa mbaj mend. Familja e tij ishte e nderuar këtu në fshatin tonë, Gaqi ishte i gjashti nga fëmijët, kishte edhe 5 vëllezër të tjerë, ndërsa motra jo. Shtëpia e prindërve të tij ishte e madhe dhe shpesh ne luanim tek ajo ose pranë saj. Edhe kur u rritëm, vazhduam të ishim shokë. Gaqi ishte një djalë mjaft i urtë dhe thuajse asnjëherë nuk krijoi probleme me askënd. Shkonte mirë me të gjithë, madje që i vogël nisi të dallohet mes gjithë shokëve si shumë punëtor. Sa më tepër rritej, aq më i fortë bëhej.
Kur u rrit, me se merrej?
Nisi të punonte si druvar. Në atë kohë, shumë nga burrat e fshatit shkonin në malet e Krujës dhe merreshin me këtë punë. Ai u bashkua me ta. Të gjithë e mbanin për të palodhur.
Po luftës a iu bashkua ndonjëherë?
Jo, jo. Po nuk ishte për luftë ai, moj. Ç’thua?! Në luftë shkuan dy vëllezërit e tij dhe ata u vranë. Janë dëshmorë, edhe sot emrat e tyre janë në Tiranë te Varrezat.
Po më tej krijoi familjen e tij?
Posi jo. Gruan ia quanin Kostandinë. Ishte shumë grua e mirë dhe punëtore. Shkuan shumë mirë se edhe Gaqi e respektonte. Bënë edhe 3 fëmijë, dy djem edhe një vajzë. Fëmijët u rritën e krijuan jetët e tyre. Djali i madh u martua e iku në Korçë, po kështu edhe vajza e tij. Pas ca vitesh, edhe ky i vogli u martua. Gjer u bënë fëmijët kaq, vdiq e shkreta Kostandinë.
Nga se vdiq?
Po ajo vuante, vitet bënë të tyren dhe nisën jo hipertensioni e zemra. Nuk e arriti demokracinë e gjora.
Pas vdekjes së gruas Gaqi me se merrej, si e vazhdoi jetën?
Hiç, ndenji edhe ca vjet me djalin, pastaj ai, si shumë të tjerë, iu nis kurbetit. Mori rrugën dhe Gaqi mbeti vetëm. I bënte vetë të tëra. U mësua me vetminë dhe ç’të bënte? U bë vetë burrë, vetë grua. Mbajti bagëti, punonte tokat, nxirrte raki, të gjitha ç’ka fshati i bënte vetë. Ndenji goxha kështu deri në vitin 2000 kur iu dogj shtëpia.
Ju e mbani mend si ndodhi?
Po ja, të ta tregoj unë. Çohem në orën 2 të natës se pashë nga dritarja ca si flakë. I them gruas shpejt të dalim se u dogjëm. Kujtova se mos kishte rënë tek ne. Kur dola jashtë pashë që kishte rënë në shtëpinë e Gaqit. Me vrap shkova dhe hyra brenda në dhomën ku rinte. Ngjita 4 shkallët dhe nisa të thërrisja: “O Gaqi, dil! Ku je?”. Por s’po e shihja ku ishte. Në krevat s’kishte njeri. Kur ai më del nga mbrapa derës dhe më tha: “Këtu jam”. (Sytë i përloten teksa tregon tronditjen e përjetuar, por ato nuk ia ndalin rrëfimin.) Kur dolëm jashtë e pashë si ishte bërë, i trembur dhe nuk thoshte asgjë, ndërsa shihte shtëpinë t’i shkrumbohej para syve.
Pse nuk u përpoqët ta shuanit zjarrin?
Me se?! Ku ta gjenim ujin? Fshati asokohe nuk kishte as për të pirë, jo për të shuar një zjarr aq të madh. Natën e gdhimë, pastaj erdhi edhe policia, bëri ato gjërat e veta dhe iku. Nuk na thanë ndonjë shkak. Mbeti si enigmë puna e shtëpisë së tij. Foli edhe me djemtë, por të ngresh shtëpi këtu s’është e lehtë. 11 vite më parë s’kishte mundësi fare. Pastaj edhe lekët që kishte mbledhur iu dogjën brenda në shtëpi. Gaqi, pa ç’pa dhe iku në Arrzë. Kishte disa të afërm atje dhe jetoi nja dy vjet, pastaj iku në Korçë, po Dardhën s’e braktiste asnjëherë.
Vinte shpesh?
Unë pastaj nuk kam qenë këtu, se ika edhe unë në emigrim, por çdo behar kam ardhur dhe e kam gjetur këtu. E modifikoi atë si punë hambari ku mbante bagëtinë, vuri një krevat, ca gjëra dhe vinte rrinte 4 muajt e beharit, kurse dimrit me copa. Edhe këta të fshatit thonë që dukej ndonjëherë në dimër, po beharit këtu e kishe. I ecte dhe shëndeti.
Thatë që Gaqit i ecte shëndeti. Nuk vuante nga asnjë sëmundje?
Eh, sa zili e kam shëndetin e tij! Çdo herë që takoheshim, i thosha: “O po ti i fortë si guri mbete. Unë po bie, mezi rri në këmbë, kurse ti mbete majë tjegullave”. Kishte fuqi sa më s’ka. S’i ndiente vitet mbi kurriz.
Po për ngjarjen si e morët vesh?
Nga lajmet, s’është e paktë. Zjenë televizionet dhe gazetat, pastaj këtu zjeu edhe fshati, e di ti… Ne në fakt u çuditëm të gjithë. S’ka mundësi ta ketë bërë ai këtë. Gaqi s’u ndie njëherë në fshat. Pastaj, ja, shikomë mua, mosha bën të vetën. Tani ne s’therim dot një pulë, jo më të bëjmë krime të tilla. Ku kemi takat?!
Sapo më the që Gaqi ishte i fortë nga shëndeti…
E, ashtu ishte, sëpatën e përdorte mirë akoma edhe sot. Kur i duhej ndonjë shkarpë, vetë i bënte, po s’është nga ata që vrasin ai.

Shtëpia

Shtëpia e Gaqo Dumkës në fshatin Dardhë të Korçës

Godinës së vjetër ku qëndronte deri pak kohë më parë Gaqo Dumka, i është vënë dryni. Bimët zvarranike kanë mbuluar gurët e shtëpisë, ku për rreth 70 vjet jetoi aty personazhi më i përfolur ditët e fundit. Disa banorë të tjerë të Dardhës thonë se nuk e besojnë që ta ketë bërë ai krimin. “Ne e njohim prej një jete dhe s’na e priste mendja. Na thoshte se vetëm e bija i vinte për vizitë shpesh kurse djemtë më rrallë, s’na kishte thënë gjë për këtë çupën që bashkëjetonte. Mua s’ma merrte mendja kurrë por çfarë s’dëgjoka njeriu. S’do ketë qenë në vete kur e ka bërë se nuk është i këtyre punëve ai”, thonë ata.

Masakrimi i Liliana Arapit

Kanë kaluar vetëm 10 ditë nga ngjarja makabër e ndodhur në një shtëpi përdhese, në lagjen 4 të Korçës. Trupi i 42-vjeçares nga Devolli, Liliana Arapi, u gjymtua, pasi gruaja ishte goditur për vdekje me sëpatë në kokë. Pjesë të trupit të saj u gjetën të nesërmen në vendin e grumbullimit të mbeturinave urbane të qytetit të Korçës. Policia e Korçës arriti të identifikonte viktimën në bazë të rrobave të saj dhe dëshmive të marra nga familjarët dhe fqinjët e shtëpisë ku viktima bashkëjetonte me 84-vjeçarin Gaqo Dumka. Shenjat e gjakut çuan hetuesit tek shtëpia, ku gjetën dhe prova që fajësonin të moshuarin. Ky i fundit u prangos si autor i krimit të rëndë, ndonëse vetë u mbrojt me alibinë se Lilianën e kishin vrarë 2-3 persona të tjerë. Tragjedia u bë më e rëndë për familjen e 42-vjeçares, e cila e varrosi të bijën pa kokë, pasi autori e kishte ndarë dhe hedhur atë në një tjetër vend. Sipas policisë, disa metra larg shtëpisë u gjetën flokë dhe shenja që provojnë se i përkasin viktimës.

 

Nga Dardha, Dhorjela Demkolli

© Panorama.al

Te lidhura