
Prej 50 vitesh është pjesë e futbollit profesionist, duke mbuluar role të ndryshme, por prej kohësh ka zgjedhur të bashkëpunojë me drejtësinë ligjore dhe atë sportive, për të treguar të vërtetën në lidhje me bastet.Ish-drejtuesi i klubeve të Serisë A, B dhe i Federatës Italiane të Futbollit, ruhet në anonimat, jeton në provincën e Markeve (në Italinë Qendrore, pranë Riminit) dhe pas skandalit të radhës jep mendimin e tij. Pas 2006-s, vitit të “Calciopolit”, kishte sinjalizuar organet përkatëse për rikthimin e basteve të paligjshme në kategoritë e ndryshme italiane, nga Seria A deri tek ajo C. “Rrofshin prokuroritë dhe shteti i fortë, sepse po të ishte vetëm për federatën, skandale të tilla mbase nuk do zbuloheshin kurrë”, janë fjalët e para të ish-drejtuesit të futbollit. Pasi pranoi të takonte një nga gazetarët e të përditshmes “Repubblica”, ashtu siç kishte theksuar edhe më parë, tre ish-lojtarët e inkriminuar dhe të dyshuar, si Doni, Betarini dhe Someze kanë qenë prej vitesh kapo të basteve dhe ndeshjeve të trukuara. “Futbolli italian e dinte mirë se këta tre emra ishin rikthyer të luanin shuma të forta në futboll. Të tre janë të përfshirë dhe nuk është hera e parë që dënohen për baste apo trukime, ndonëse deri pak orë më parë i kishin shpëtuar paq drejtësisë. Precedentët e Donit lindin që me ndeshjen Atalanta-Pistoieze, Kupa e Italisë 2001, i cili telefonoi edhe kushërinjtë e tretë të vinin para për barazimin e kësaj sfide. Betarini dhe Someze dolën fajtorë në hetimin e vitit 2004, nga ku morën dënime të turpshme nga drejtësia, meqenëse ishin lojtarë të perëndim të karrierës, ndonëse sa i dhanë lamtumirën futbollit, u bënë edhe më të rrezikshëm jashtë fushe. Këta të tre, Sinjori, Someze dhe Betarini, janë të sëmurë pas basteve, ku Betarini është edhe ‘kapo’ i këtij sistemi të ri”. Ish-drejtuesi anonim, nën zë bën edhe shtatë emra të tjerë, por kërkon të përqendrohet te këta që janë zbuluar për momentin. “Unë dua të flas për Sinjorin, Somezen dhe Betarinin, sepse kam pasur njohje direkte. Duhet të dinin që Betarini kishte qendrën e tij të basteve në Komo, në qendër të Milanos dhe nuk ishte i vetëm. Bertarini ishte organizatori, njeriu që i jepte indikacionet klanit mafioz, mbi ndeshjet që nuk binin në sy, rezultatin final të tyre dhe lojtarëve që mund t’i bënin presion për të arritur qëllimin e tyre. Jo më kot, Betarini udhëtonte gjithmonë me eskortë, në të cilën bënin pjesë ish-sulmues të viteve ’90, që çdo vit ndërronin skuadër. Tashmë, të gjithë këta janë të pandashëm dhe vënë baste mbi gjithçka, sepse janë pasuruar aq shumë, sa kanë mundësi edhe ta shkelin paranë. Për shembull, shohin një makinë të kalojë dhe vënë bast deri në 10 mijë euro, nëse shuma e numrave të targës së saj janë tek apo çift. Bastet e çmendura janë e vetmja mënyrë për t’i dhënë një sens jetës së tyre, – vazhdon ish-drejtuesi dhe bashkëpunëtori i drejtësisë. – Cilët lojtarë blihen më shumë? Ata që paguhen për të shitur ndeshjen janë mbi të gjitha sulmues, pasi janë pikërisht këta që kanë në dorë të ndryshojnë ndeshjen, aq sa bastet e paligjshme mbyllen si fituese brenda pjesës së parë. Për shembull, ndeshja Kievo-Bolonja e këtij sezoni thërret ende për hakmarrje, pasi ajo doli jashtë parashikimeve dhe Betarini me shokë humbën shumë para”. Mes shumë atletëve të cituar në heshtje nga bashkëpunëtori, janë edhe dy ish-mesfushorë, njëri i Frozinones dhe tjetri i Albinolefes, miq të ngushtë të Betarinit, të cilët vendosën t’i japin lamtumirën këtij sporti vetëm në moshën 28-vjeçare. “Futbollistët janë pjesa më e poshtër e futbollit. Ata që janë ende në aktivitet vënë baste, sepse pagat dhe përfitimet e tyre janë të ngrira nga familja apo bashkëshortet, prandaj ata janë të detyruar të vënë baste klandestine apo të shesin ndeshje, sepse ato 10 mijë apo 50 mijë euro u duhen për t’u bërë dhurata të dashurave të tyre sekrete, sepse përndryshe ato rrezikojnë t’u prishin familjen”, përfundoi ish-drejtuesi sportiv.











