“Fondet për spitalet, sipas diagnozës e kohës së shtrimit”

Feb 17, 2012 | 10:50

Elvana Hana, drejtoreshe e ISKSH

ISKSH propozon ndryshimin e skemës, Hana: Të vendoset çmim për çdo shërbim.

“Metoda aktuale s’është e besueshme dhe eficiente për pacientët”

Skemë e re pagesash në spitale. Propozimet vijnë nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Sipas drejtoreshës së tij, Elvana Hana, ka ardhur koha që në spitale të paguhet për ditë qëndrimi apo për shërbimin që merret. Çdo diagnozë duhet të ketë një çmim të caktuar. Ndërkohë që metoda aktuale që bazohet në buxhetin historik shoqërohet me mungesë autonomie dhe me një menaxhim jo të mirë, çka ndikon në cilësinë e shërbimit që i ofrohet pacientit. “Duhet të kalohet nga mënyra e pagesës me buxhet fiks historik, në pagesë për performancë, që do të thotë pagesë për numrin e pacientëve, ditë-qëndrimin në spital dhe cilësinë e shërbimit që ofrohet. Dy propozimet tona kanë të bëjnë me pagesë me buxhet global për ditë-qëndrimi dhe shërbim (pagesë që i jepet për menaxhim spitalit, por bazohet në efektivitetin e shërbimit), si dhe DRG (pagesë për diagnozë) një sistem që e kanë sot shumë spitale europiane, e kombinuar me buxhetin global”, tha Hana. Nga monitorimi i kontratave me spitalet, u shpreh drejtuesja e ISKSH-së, është vënë re se  shfrytëzimi i shtratit, është në  nivel të ulët. Kështu, metoda e financimit aktual nuk i stimulon spitalet që të jenë të interesuara në ofrimin e shërbimeve eficiente dhe produktive, prandaj ka ardhur koha që ajo të ndryshojë. Kjo lloj metode, në të njëjtën kohë, nuk rrit besueshmërinë e popullatës dhe të pacientëve te sistemi ynë shëndetësor dhe gjithashtu nuk favorizon një shpërndarje të drejtë të burimeve financiare të bazuara në performancë, në nivele spitalesh apo në popullsinë në të cilën ato shërbejnë.
Reformat
“Reformimi i metodave të pagesave në kushtet e sistemit tonë, patjetër që do të shoqërohet me ndërhyrje të tjera, hartimin e politikave koordinuese, rritjen e shkallës së autonomisë duke aplikuar qasje bashkëkohore për drejtimin e spitaleve”, tha  Hana. Këto deklarata u bënë gjatë konferencës me fondacionin gjerman “Konrad Adenauer”, me temë “Përmirësimi dhe zhvillimi i pagesave në spitale”. Nga sa theksoi Hana, financimi i shërbimeve dytësore dhe tretësore nga skema sociale e sigurimeve është një hap tjetër drejt thellimit të reformave financiare në kujdesin shëndetësor. Si në shumë vende të tjera, edhe në Shqipëri reformimi i këtij shërbimi paraqitet tepër delikat. Kjo edhe për faktin se ky shërbim vazhdon të jetë elementi më kryesor i ofrimit të kujdeseve shëndetësore duke ofruar në vetvete si shërbimet bazë, ashtu edhe ato të specializuara për popullatën.

Modeli europian për pagesat
Duke iu referuar vendeve të Europës Qendrore e Lindore, drejtoresha e ISKSH-së theksoi se reformat në metodat e pagesave kanë qenë shumë vendimtare në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve spitalore, në rritjen e aksesit të popullatës dhe në mbajtjen e kostove të shërbimeve në një nivel kontrolli të kënaqshëm. Gradualisht shërbimet spitalore në këto shtete kanë kaluar nga pagesat me buxhet historik në pagesat me buxhet global, për ditëqëndrim apo për shërbim dhe vitet e fundit vërehet një zhvendosje në metoda me efikase, siç janë ato të pagesave për rast apo për grupe diagnozash ku më e spikatura është metoda e DRG, e kombinuar në shumë raste dhe me buxhet global.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura