“Fitojmë dhe titullin nëse Duka na ka xhan”

Jul 5, 2012 | 15:10

Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, beson se me sku-adrën që ka krijuar së fundmi, trajneri Shkëlqim Muça ka luksin që të lërë në stol lojtarë që në skuadrat e tjera do të ishin titullarë të padiskutueshëm.
Në këtë këndvështrim, Gjika thekson se ka besim se grupi i lojtarëve aktualë do bëjë më të mirën ndaj Honvedit dhe konfirmon se më shumë se 90 për qind e organikës do të mbetet e paprekur edhe për sezonin e ri futbollistik. “Kemi krijuar një skuadër shumë të mirë për ketë sezon dhe mendoj se tani problemi më i madh është te trajneri, i cili do duhet të menaxhojë këtë grup lojtarësh, njëri më i mirë se tjetri. Kemi menduar jo vetëm për ndeshjet në Kupat e Europës, por edhe për më tej, pra për kampionatin. Ndaj konfirmoj se 90 për qind e këtyre lojtarëve do të jenë edhe për sezonin e ri futbollistik. Ardhja e Memellit ka rritur cilësinë, por ky Flamurtar ka edhe Veliun, Rajoviçin, Lenën, Pezon, Prognin e Pejiçin, i cili ka qenë vjet shtylla e ekipit. Edhe lojtarë të tjerë si Mici e Pepa, që kanë ardhur rishtazi, kanë vlera dhe rrisin konkurrencën në këtë grup”, – pohoi Gjika në një prononcim për mediat. Edhe pse mes tij dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ka pasur përplasje të mëdha, aq sa shpeshherë deklaratat, sidomos nga ana e Gjikës, kanë qenë tejet ofenduese, duket se mes tyre është vendosur paqja. Gjika jo vetëm që e ka ftuar Dukën në përurimin e rikonstruksionit të stadiumit, por lëshon ndaj tij edhe “deklarata dashurie”. “Nesër (sot) shpresoj ta kthejmë në një ditë feste, pasi do inaugurojmë stadiumin e ndriçimin dhe me këtë rast kemi ftuar edhe z.Duka, i cili ka kontribuar në këtë rikonstruksion dhe nuk na mbetet veçse ta falënderojmë. Për sa i përket titullit për sezonin tjetër, gjykoj se në letër jemi një skuadër shumë e mirë dhe mund ta fitojmë, por duhet që edhe Duka të na shikojë me një tjetër sy dhe të na ketë pak më shumë xhan (qesh)”, – ka vazhduar Gjika. Në fund, presidenti i Flamurtarit ka shpjeguar edhe problematikën e hasur te tifozët për shkak të çmimit të biletave. “E di që ka pasur një problematikë për biletat, kjo në kontekstin e çmimit, por dua të sqaroj se këto çmime janë vënë nga KF Flamurtari dhe jo nga kompania që do menaxhojë hyrjen dhe shitjen e biletave. Ne kemi konsideruar se 30 mijë lekë të vjetër për tribunën në një ndeshje me drita dhe ndaj një skuadre ndërkombëtare është një çmim më se i arsyeshëm. Ndërsa ata tifozë që nuk e përballojnë këtë çmim mund të shkojnë përkarshi, ku 10 mijë lekë gjykoj se është një çmim më se i arsyeshëm. Por duhet thënë se ka ardhur koha që edhe tifozi të kuptojë se nuk duhet të marrë vetëm kënaqësi nga skuadra e zemrës, por edhe të kontribuojë për të”, – ka përfunduar Gjika.

Ndeshjet
Tirana-Grevenmaker

Sonte, ora 19:00
Stadiumi: Qemal Stafa
Gjyqtarë: Vitali Sevostjanik/ S.Hidrevish dhe V.Maljutin (BLR)

Flamurtari-Honved
Sonte, ora 20:30
Stadiumi: Flamurtari
Gjyqtarë: Sven Bindels/ R.Flenghi dhe Xh.Hofman (LUX)

Teuta-Rustavi
Sonte, ora 20:30
Stadiumi: Niko Dovana
Gjyqtarë: Padraig Suton/
K.Henesi dhe D.Broujton (IRL)

De Biazi në Vlorë
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, do të ndjekë të enjten ndeshjen e Ligës së Europës,
Flamurtari-Honved i Budapestit, e vlefshme për turin e parë eliminator. Te Flamurtari luan mbrojtësi i
Kombëtares, Franc Veliu, por dhe portieri Koliqi, i cili është thirrur së fundi për miqësoren Shqipëri-Katar.

© Panorama.al

Te lidhura