
Drita Visha, gjyshja e Nazime Vishës, 18- vjeçares së arrestuar për vrasjen e Fiqiri Muçës në Krrabë më 13 gusht, thotë se viktima e krimit e kishte detyruar adoleshenten të ndahej nga i fejuari.
Sipas gjyshes së Nazimes, vajza është mbajtur me dhunë në mal për 12 ditë, duke e ushqyer vetëm me çokollata e banane, ndërsa një polic i Dibrës e ka detyruar të tërheqë denoncimin për rrëmbim në muajin maj të këtij viti.
Mbesa juaj ka pretenduar vazhdimisht se është larguar me Fiqiri Muçën jashtë dëshirës së saj, pra është rrëmbyer. A mund të na tregoni se si qëndron e vërteta?
Nazimja ka thënë të vërtetën. Ai e ka marrë me forcë, madje e ka kërcënuar vazhdimisht me armë, një pistoletë që ai mbante me vete, duke e detyruar që të shkonte me të. Atë ditë që ai e ka marrë me forcë, duke e mbajtur me dhunë larg familjes për 12 ditë, Nazimja ka qenë te shtëpia e saj në Vilëz. Edhe atë ditë, si në shumicën e rasteve, Nazimja ishte vetëm në shtëpi, vetëm me të vëllain 4 vjeç. Pjesëtarët e tjerë të familjes ishin duke punuar jashtë. Fiqiriu është futur brenda dhe e ka marrë me forcë, duke e hipur në makinë dhe nga aty më pas ka udhëtuar drejt fshatrave të Bulqizës.
Kur e mësuat se mbesa juaj ishte përdhunuar që 14 vjeçe nga Fiqiri Muça?
Pas rrëmbimit e kemi marrë vesh. Ajo nuk kishte folur me asnjeri për atë që i kishte ndodhur. Pasi kam shkuar dhe e kam marrë unë nga Komisariati Nr.4, më ka treguar se çfarë i kishte ndodhur që kur ka qenë në klasë të tetë. Kur unë e pyesja pse nuk kishte treguar, ajo trishtohej dhe vazhdimisht më thoshte se kishte frikë të fliste. Nga njëra ana kishte frikë nga familja e saj, nga i ati dhe vëllai. Por nga ana tjetër, kishte frikë edhe nga Fiqiriu, i cili e kërcënonte vazhdimisht se do ta vriste po t’i tregonte njeriu për atë që kishte ndodhur….
(Intervisten e plote e lexoni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











