Të humbasësh titullin e Premier Ligës me golavarazh jo vetëm për Aleks Fergusonin, por për cilindo trajner do të ishte një makth i tmerrshëm. Por nëse të dielën e 13 majit skuadra që do ta ngrinte trofeun do të ishte Mançester Siti, kjo do ta çmendte trajnerin e “djajve të kuq”. E thënë kjo nga një ikonë e “Old Trafford”-it si Geri Nevil, i cili e njeh shumë mirë ambientin e kuq, duhet marrë në konsideratë. Për ish-mbrojtësin anglez, humbja 1-0 në derbi do të kapërdihet me shumë vështirësi nga menaxheri skocez. Fitorja u mundësoi “qytetarëve” të ngjiteshin në vend të parë falë golavarazhit +8, dy javë përpara se të vendoset titulli. “Unë e njoh shumë mirë situatën në të cilën ndodhet Junajtid. Kam qenë në dhomat e zhveshjes së këtij klubi për 20 vite me radhë. Është një nga makthet më të këqija. Të humbasësh një titull vetëm për shkak të diferencës së golave, është diçka për të cilën Fergusoni paralajmëron lojtarët e tij çdo sezon. Në çdo muaj të sezonit, janar, shkurt apo mars, skocezi i kërkon skuadrës që edhe pasi rezultati të jetë 1-0 apo 2-0, ajo të vijojë të shënojë sa më shumë që të jetë e mundur. 70-vjeçari nuk rresht së kujtuari ndeshjet ku skuadra ka fituar 1-0. Ferguson do çmendej në rast se në karrierën e tij 25-vjeçare do ndodhte ta humbte titullin vetëm nga diferenca e golave”, – tha opinionisti sportiv i televizionit “Sky” pas derbit në “Etihad”. “Unë besoj se Siti është vetëm një ndeshje larg titullit. Sepse nëse mund Njukasëllin, ndeshja e fundit me QPR-në është një formalitet. Me atë që londinezët treguan me Çelsin (u mundën 6-1), zor se mund t’i hapin probleme”, – përfundoi Nevil.
© Panorama.alAguero: Më 13 maj ngremë trofeun
Ishte një ndër lojtarët më të mirë në fushë bashkë me Jaja Turenë në derbin e Mançesterit. Serxho Aguero, shënuesi më i mirë i “qytetarëve” me 22 gola në Premier Ligë, nuk mundi dot të gjente rrugën e rrjetës, por ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës së Mançinit këtë sezon. “Unë ua kisha thënë që ditë më parë dhe do ta përsëris sërish. Siti do të luftojë deri në fund. Tani që jemi në vendin e parë, do të bëjmë të pamundurën për ta ruajtur deri më 13 maj. Titulli vendoset nga këmbët tona. Kjo është shumë e rëndësishme”, – deklaroi sulmuesi.Arsenal, pas Podolskit vjen Vertongen
Pasi ka siguruar blerjen e parë, Lukas Podolski, Arsenali është hedhur në sulm për të bërë goditjen e dytë përpara përfundimit të sezonit. Arsen Venger është gati të bëjë edhe një ofertë zyrtare për qendërmbrojtësin e kërkuar nga klubet më në zë të Europës, Jan Vertongen. Stoperi i Ajaksit është në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin e Amsterdamit dhe, për të mposhtur konkurrencën e Çelsit, Totenhemit dhe Njukasëllit për 25-vjeçarin, do mjaftonin 8 milionë euro. Me Xhurunë dhe Skilaçin që pritet të largohen, Arsenalit i duhet një tjetër mbrojtës.











