Dosja, në pritje të paktën 3 vjet deri në aplikimin e radhës.
Aplikimi, bashkë me Kosovën, e cila më parë duhet të bëhet anëtare e OKB dhe UNESCO.
Derisa Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s, dosjes së “Eposit të Kreshnikëve” i duhet të presë. Pas një buje të madhe që u bë gjatë përgatitjes së dokumentacionit përkatës për ta përfshirë “Eposin e Kreshnikëve” në listën e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s, mësohet se tashmë, të paktën për tri vite të tjera, Shqipëria e ka humbur shansin për të aplikuar pranë UNESCO-s me këtë dosje. Kjo për arsyen se Ministria jonë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka vendosur të aplikojë bashkë me Kosovën në lidhje me këtë pasuri, e cila nga pikëpamja gjeografike i përket më shumë kësaj të fundit, por gjithsesi është e përbashkët, është shqiptare. Nismën për përfshirjen e “Eposit të Kreshnikëve” në listën e Trashëgimisë Botërore e ka ndërmarrë Kosova në vitin 2008 e, siç duket, qoftë edhe prej një detyrimi moral, Shqipëria ka vendosur të presë, derisa Kosova të jetë gati. Vetëm dy ditë më parë, kryeiniciatori kosovar Zymer Neziri, përmes gazetës kosovare “Zëri” ka fajësuar Ministrinë kosovare që nuk e mbështeti financiarisht projektin, por edhe palën shqiptare, me të cilën bashkëpunonte, për shkak të devijimit nga projekti fillestar. Ndërkohë, sipas njërit prej hartuesve të dosjes, në Tiranë, akademikut Vaso Tole, problemi qëndron në faktin që Kosova e ka të pamundur të aplikojë, pasi që ta bësh një gjë të tillë, më parë duhet të jesh anëtar i OKB-së dhe i UNESCO-s. “Prej vitit 2008, kur Kosova ka ndërmarrë iniciativën për përgatitjen e dosjes së “Eposit të Kreshnikëve”, nuk është bërë asnjë hap përpara në drejtim të anëtarësimit të saj në këto organizma”, thotë Tole. Sipas tij, tashmë ne e kemi humbur shansin që ta përfshijmë këtë pasuri në listën e trashëgimisë botërore. Madje, Tole thotë se nga ana e Shqipërisë po tentohej që “Eposi i Kreshnikëve” të përfshihej në kategorinë “pasuri në rrezik”, çka do të ndikonte më shumë në ruajtjen dhe promovimin e tij, ndërkohë që nga ana e Kosovës ishte parashikuar thjesht në listën e “vlerave”.
Projekti
Dosja e “Kreshnikëve” duhej të paraqitej qysh në muajin mars, çka nuk u realizua. Ishte vetë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, i cili deklaroi se në këtë nismë Shqipëria duhet të ishte bashkë me Kosovën e do të prisnin këtë të fundit, derisa ajo të ishte gati të hidhte hapin e aplikimit. Kjo deklaratë e Bumçit gjatë prezantimit të një databaze për “Eposin e Kreshnikëve”, e gjeti gati të papërgatitur grupin e punës, të cilit i ishte ngarkuar plotësimi i dosjes me informacionin e duhur dhe kalendarin e aktiviteteve promovuese që do të shoqëronte procesin. Nismës kosovare iu bashkua edhe Tirana dhe për të punoi një grup pune i ngritur me vendim të Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore, rreth një vit më parë. Ai përbëhej nga studiuesi Zymer Neziri nga Kosova, studiuesi Shaban Sinani, Agron Xhangolli dhe Gjovalin Shkurtaj si përfaqësues të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Olsi Lafe si drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në MTKRS dhe Esat Ruka, si drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike. Hartimi i dosjes së Eposit është shoqëruar edhe me një lloj “lufte të fshehtë” apo “xhelozish” mes palës nga Kosova dhe asaj nga Shqipëria. Në prononcimin e Zymer Nezirit për gazetën “Zëri”, ndihet një lloj nënteksti për “përvetësim” e “devijim” të projektit nga pala shqiptare. Neziri është shprehur i shqetësuar për nismën e ndërmarrë për përfshirjen e Eposit në listën e “trashëgimisë në rrezik”, çka sipas tij e ka shtyrë të kërkojë pezullimin e projektit nga Tirana. Megjithatë, i pezulluar apo jo, e vërteta është se përpjekja për të përfshirë Eposin e Kreshnikëve nën mbrojtjen e UNESCO-s ka ngecur, derisa Kosova të mund të njihet si shtet nga të gjithë.
ALMA MILE
© Panorama.al











