“Vazhdon të ketë shumë erë? Mirë. Po, po, të dëgjoj. Përpara se të arrini, t’i lajmërojmë familjarët që të bëjnë tym ose të nxjerrin një rrobë të kuqe. Ngelemi në kontakt për çdo gjë”.
Këtë pjesës bisede telefonike arrijmë të shkëpusnim, ndërkohë që shefi i njësisë së transportit mjekësor me helikopter, Albert Xhafaj, na bën me dorë të ulemi. Pamja e qetë në fytyrë nuk tregon aspak që sapo është kthyer nga misioni i radhës i shpëtimit. ”Kjo është tentativa e dytë. Shpresojmë që kësaj here t’i marrim tre fëmijët e sëmurë në Tropojë. Në orën 12:00 isha vetë, era nuk na lejoi të uleshim në fshat”, thotë Xhafaj. Me të njëjtën qetësi na tregon se pilotët gjatë gjithë kësaj jave kanë fluturuar jashtë normave të lejuara, duke rrezikuar seriozisht jetën. Fillimisht eviton të na konfirmojë rastin e tri ditëve më parë, kur tentativat për të marrë të sëmurë nga fshati Gimaj i komunës Shalë të Dukagjinit desh u morën jetën dy pilotëve. Teksa i themi se jemi në dijeni të situatës, na sqaron se për shkak të erës helikopterët gjatë dy tentativave për të mbërritur në fshat janë përfshirë nga vorbullat e forta të ajrit duke humbur deri në 100 metra lartësi. E, në fakt, nga sa pohon Xhafaj, kaq është shumë për një terren malor. ”Janë erëra vertikale, të cilat bëjnë që helikopterët të humbin kontrollin. Është e vërtetë, bëhej fjalë për transportimin e dy të sëmurëve nga fshati Gimaj i Shalës. Tentuam dy herë, por pilotët tanë u kthyen mbrapsht nga era. Treguan se ishte fluturim mjaft i vështirë”, thotë Xhafaj. Sipas tij, gjatë këtyre ditëve thuajse të gjitha fluturimet janë të tilla. ”Të gjitha operacionet, shumë të vështira. Era është fatale, pasi nuk e lejon helikopterin të mbajë kontrollin. Mund t’ju them që lejohet të fluturohet me një erë që fryn rreth 40 km në orë. Gjatë gjithë këtyre ditëve të fundit niveli i erës ka qenë mbi 60 km në orë, ka pasur raste deri në 100 km në orë. Kaq besoj mjafton për të përshkruar rrezikun”, thotë Xhafaj. Përgjigjja që i jep një tjetër telefonate na tregon më mirë se sa kritike është situata. ”Unë u ktheva se era ishte shumë e fortë. Pak kam që jam kthyer. Po tentojmë prapë, ishallah nuk përplasen. Shumë i vështirë. Në fshatin Degë, Tropojë”.
TENTATIVAT
Pasi mbyll telefonin, kreu i njësisë së transportit mjekësor me helikopter vijon të na përgjigjet me të njëjtën qetësi. Të njëzetenëntë vitet e punës si pilot, duket se ia kanë kultivuar më së miri këtë pjesë. Xhafaj sqaron se mjegulla, reshjet,
por, mbi të gjitha, era e fortë, janë një risk i përditshëm në punën e gjashtë pilotëve të njësisë që ai drejton. Na shpërfill kur e cilësojmë stafin e tij “heronj të ajrit”. Ndoshta nuk ka nevojë t’ia theksojnë. Ai dhe kolegët janë më se të sigurt për këtë gjë. ”Mund t’ju them rastin e sotëm. Operacioni i parë për në fshatin Degë nuk arriti të përfundohej. Në u nisëm rreth orës 11:00 dhe ishte e pamundur që të shkohej deri atje për shkak të erës. U detyruam të ktheheshim. Tani, siç e shihni, rreth orës 14:00 është dërguar helikopteri tjetër, i cili po tenton të marrë fëmijët për t’i transportuar drejt spitalit. Kjo është puna jonë e përditshme”, thotë Xhafaj. Ai shpjegon se për të transportuar të sëmurët u është dashur të ulen në oborret e shtëpive. ”Bora është mbi një metër në pjesën më të madhe të zonave të bllokuara, aq sa shtëpitë, edhe pse mund të jenë 10 metra nga njëra-tjetra, nuk kanë fare komunikim, përveç telefonit”, thotë Xhafaj. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë ka akorduar fondet e mjaftueshme për të përballuar të gjitha shpenzimet e servisit të helikopterëve. ”Më duhet ta theksoj këtë sepse janë misione që kushtojnë shtrenjtë. Një orë fluturim arrin deri në 900 euro”, thotë Xhafaj.
OPERACIONET E SHPËTIMIT
Tre fëmijë janë transportuar dje urgjentisht me spital nga njësia e transportit mjekësor me helikopter. Dy janë shtruar në Tropojë, ndërsa një tjetër është sjellë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Pacienti po mbahet nën vëzhgimin e mjekëve dhe mësohet se nuk ka rrezik për jetën. Operacioni për t’i ardhur në ndihmë një gruaje shtatzënë nuk ka arritur të finalizohet për shkak të furtunës. Pilotët pritet të tentojnë sërish sot, pasi dje e kanë pasur të pamundur të ulen në fshat. Rastet emergjente i përkasin fshatit Degë të komunës së Fierzës, një nga zonat e bllokuara nga bora prej të paktën një jave. Në kushtet e izolimit të plotë nga reshjet e borës,janë kryer misione shpëtimi në shtatë komuna. Duke vënë në rrezik jetën, pilotët e njësisë së transportit me helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë ia kanë dalë me sukses të ndihmojnë 18 persona. Mesatarisht tri raste në ditë. Operacione janë kryer në komunat Temal, Fan, Shalë, Ballsh, Sarandë, Ostren, Zalldardhë. Nga sa na pohojnë drejtuesit e njësisë së helikopterëve, të gjitha ndërhyrjet kanë qenë tepër të vështira për shkak të terrenit, borës e, mbi të gjitha, erës së fortë në zonat e bllokuara. Ndër më problematikët është cilësuar operacioni i ditës së diel. “Për 15 minuta helikopteri ka qëndruar i varur për të marrë një fëmijë në një distancë 25 metra. Era ishte aq e fortë, sa u bë gati e pamundur të merrej 15- vjeçari, por në fund misioni u realizua dhe ai u transportua për në Tiranë”, sqaroi Albert Xhafaj, pilot e njëkohësisht shefi i njësisë së transportit mjekësor me helikopter në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Një tjetër rast është ai i ndihmës së një gruaje shtatzënë në fshatin Tërnovë, e cila u transportua për në një nga maternitetet e Tiranës, pasi ishte në prag të lindjes.
Moti, kërkohen ushqime e mjekë
Kryekomunarët: Banorët duan ushqime. Stuhia e erës dështon misionin e helikopterëve
Nishani mbledh Emergjencat në Pukë, ku bora shkon 2 m
Emergjencë në Pukë, Peshkopi e Kukës. Këto zona kanë ndezur sinjalin e alarmit të fatkeqësisë natyrore, pasi bora arrin deri në 2 metra dhe, për shkak të temperaturave të ulëta, nuk ka shpresë se ajo mund të pakësohet dhe për disa ditë.
Dje helikopterët kanë tentuar të hedhin ushqime në disa komuna të thella, por stuhia e erës e ka bërë të pamundur misionin. Bora ka sjellë dhe dëme të shumta materiale, ku një prej objekteve të dëmtuara dje ishte çatia e spitalit në Bajram Curri. Shkarja e një pjese të saj ka ardhur si pasojë e peshës së madhe, por që fatmirësisht nuk ka sjellë të lënduar. Ministri i Brendshëm, Nishani, i cili drejton Komitetin Ndërministror për Emergjencat, e ka shpërngulur dje mbledhjen e Shtabit në qytetin e Pukës. I gjithë rrethi është më problematiku në rang vendi, ku jo vetëm fshatrat, por edhe lagjet periferike të tij janë të bllokuara nga dëbora. Gjatë mbledhjes, ministri Nishani pohoi se qeveria është e gatshme dhe ka vendosur marrjen e masave të menjëhershme në përballimin e situatës. “Ardhja në ndihmë banorëve në nevojë, zhbllokimi i akseve rrugore të këtij qarku do të jenë prioritetet e këtij Shtabi”, u shpreh ai. Në Shkodër është instaluar një helikopter i forcave RENEA me qëllim transportimin e njerëzve, të ushqimeve dhe medikamenteve mjekësore në drejtim të zonave të izoluara. Në Dibër, ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, kryetarët e komunave Kala e Dodës, Trebisht, Ostren e Lurë i kanë deklaruar se gjendja në këto njësi vendore është kritike. Prefekti dhe ministri Tafaj thanë dje për “Panorama” se në drejtim të komunave Trebisht e Ostren ishin nisur dy helikopterë me afro 12 tonë ushqime. “Era e fortë nuk lejoi dy mjetet fluturuese të uleshin në qendrat e komunave, megjithëse banorët ishin njoftuar për mbërritjen e ndihmave në vaj, miell, sheqer, makarona, oriz e detergjentë”, theksoi prefekti Sharku. Ndërsa kryekomunari i Kalasë së Dodës, Bajram Himallari, tha se prej dy vitesh komuna që ai drejton nuk ka një mjek, çka sjell probleme serioze për banorët e kësaj komune malore.
Korçë, mjekët në gatishmëri
Korça vijon të mbetet një ndër qarqet më problematike si pasojë e kushteve të një moti të ashpër dhe me reshje intensive të borës. Prej 20 dhjetorit të vitit të kaluar, i gjithë qarku ka qenë nën mbulesën e borës, gjë që ka krijuar mjaft vështirësi si për banorët, ashtu edhe për autoritetet. Gjatë një takimi me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, prefekti i Korçës dhe drejtues të Shëndetit Publik kanë diskutuar në lidhje me qarkun e Korçës si një ndër më problematikët në vend, sa i takon motit të keq. Sipas drejtorit Gazmend Bejtja, duhen marrë masa urgjente në mënyrë që të sigurohet personeli mjekësor i nevojshëm nëpër komuna, si dhe paketat e medikamenteve për raste emergjencash.
STAFI I MJEKËVE
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ka ngritur grupe të posaçme për monitorimin e situatës shëndetësore në zonat e Shkodrës, Dibrës dhe Kukësit. ”ISKSH do të garantojë përmes këtyre grupeve të punës, ofrimin e shërbimit shëndetësor pa ndërprerje si dhe furnizimin me barna për popullatën e këtyre zonave”, ka deklaruar drejtoresha Elvana Hana.
Tiranë e Vlorë, dy viktima nga temperaturat
Një endacak 35-vjeçar u gjet i vdekur mëngjesin e djeshëm poshtë urës së Lanës, që ndodhet në bulevard mes Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në Tiranë. Sipas Policisë, dyshohet se endacaku ka ndërruar jetë gjatë natës nga i ftohti. Ai është gjetur mëngjesin e djeshëm nga punëtorët e pastrim-gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, të cilët menjëherë kanë lajmëruar policinë. Viktima e identifikuar është 35-vjeçari Alfred Talka, nga Korça, por prej disa muajsh lëvizte nëpër kryeqytet duke kërkuar lëmoshë. Sipas mjekëve ligjorë, vdekja e Talkës ka ardhur si pasojë e temperaturave të ulëta gjatë natës, pasi e kishte zënë gjumi në lulishten pranë urës së Lanës. Gjithashtu, mjekët kanë konstatuar se i ndjeri kishte konsumuar edhe pije alkoolike, para se të shtrihej për të fjetur poshtë lulishtes. Në qytetin e Vlorës, një 62-vjeçar është gjetur i asfiksuar në banesën e të afërmve, ku qëndronte gjatë natës për ruajtjen e saj. Sipas Policisë, Lefter Balliu nga fshati Zvërnec i Vlorës ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga përdorimi i qymyrit që kishte ndezur për ngrohje. Balliu është gjetur në mëngjes nga fqinjët, të cilët lajmëruan policinë të trembur. Nga verifikimet është konstatuar se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e gazit helmues.BARINJTË
Në lidhje me bllokimin e pesë barinjve në vendin e quajtur Mbasdeje, nënprefektja e Matit, Lutfie Meta, tha se një firmë minerare u ka afruar ndihmë çobanëve. “Pronarët e bagëtive kanë arritur të komunikojnë me barinjtë dhe gjendja e tyre është normale. Segmenti rrugor nga Vigu deri afër Selishtës do të hapet nga mjetet e qarkut të Dibrës”, theksoi Meta.BILANCI NGA JANARI
Nga data 25 janar, kur nisi situata e emergjencës nga moti në vend, sipas Xhafajt, janë kryer 28 misione shpëtimi. Për një pjesë të këtyre aksioneve helikopterët kanë tentuar rishtazi pas dështimit të tentativave fillestare, si pasojë e kushteve të vështira të motit. Aktualisht në dispozicion të njësisë speciale janë dy helikopterë dhe pritet të vijë edhe një i tretë. Gjatë këtyre ditëve, edhe njësitë e tjera të helikopterëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme kanë qenë në gatishmëri për të kryer operacione shpëtimi.
Spahia në Kukës: Jemi në gatishmëri “
Të gjitha strukturat shëndetësore janë në gatishmëri për të përballuar çdo rast të emergjencave shëndetësore”. Zv.ministri Bardh Spahia takoi dje anëtarë të Shtabit të Emergjencave Civile në Kukës, ku u ka kërkuar bluzave të bardha vëmendje maksimale për çdo rast. Spahia theksoi që çdo rast emergjent më parë të trajtohet në spitalin e Kukësit e më pas, në rast përkeqësimi, pacienti të niset drejt qendrave spitalore në Tiranë. “Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion helikopterët për t’i ardhur në ndihmë çdo pacienti në gjendje të rënduar shëndetësore”, tha Spahia.
“Spitalet e Veriut të nisin kërkesat”
Ministria e Shëndetësisë u kërkon të gjitha spitaleve dhe qendrave shëndetësore të vendit të dërgojnë pranë kësaj Ministrie listën e medikamenteve dhe të mjeteve të nevojshme për përballimin e të ftohtit. Drejtori i politikave, Pëllumb Pipero, tha dje që stoku i ilaçeve rezervë mos preket dhe të mos përdoren pa kriter. Në çdo rreth të mbuluar nga bora ku dhe rrugët e komunikimit janë të vështira, specialistët këshillojnë sa më pak dalje të pajustifikuara jashtë ambienteve të shtëpisë. Ndërsa çdo ditë Ministria kërkon raport të detajuar nga të 7-ta qarqet më të vështira në lidhje me situatën shëndetësore.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











