Drejtori i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku, i arrestuar tri ditë më parë me akuzën e marrjes së një ryshfeti prej 150 mijë lekësh të rinj, kishte kërkuar dyfishin e kësaj shume nga biznesmeni që bëri denoncimin në polici.Shuma ishte përgjysmuar gjatë “negociatave” mes zyrtarit të stadiumit dhe biznesmenit që do të merrte me leje shfrytëzimi një ambient prej 80 metrash katrorë tek “Asllan Rusi” në Tiranë. Sipas grupit hetimor, drejtori i stadiumit fillimisht kishte kërkuar 350 mijë lekë nga biznesmeni, por më pas është rënë dakord të paguheshin 150 mijë lekë. Pasi kanë bërë marrëveshje për këtë shifër, biznesmeni ka shkuar në polici dhe ka fotokopjuar lekët, duke shënuar kështu numrat e serisë së kartëmonedhave që më pas ia dha zyrtarit të stadiumit “Qemal Stafa”. Gazmend Sallaku është arrestuar nga oficerët e Antikrimit Financiar, në kohën kur sapo kishte firmosur kontratën provizore me biznesmenin P.L., për ambientin që do të merrte me qira, me sipërfaqe 80 metra katrorë. Mësohet se Sallaku po takohej me biznesmenin në kohën kur kanë ndërhyrë agjentët e policisë. Në këtë kohë, sipas burimeve nga hetimi, Gazmend Sallaku i ka hedhur në një vazo lulesh paratë që kishte marrë nga biznesmeni, në këmbim të miratimit të dhënies së ambientit për shfrytëzim. Kartëmonedhat që biznesmeni i ka dhënë Sallakut për të marrë me qira tek pallati i sportit, më parë ishin fotokopjuar nga policia, në mënyrë që gjithçka të ishte e dokumentuar. Pavarësisht se Gazmend Sallaku ka tentuar ta mohojë përfshirjen e tij në këtë skemë korrupsioni, ndaj tij ishte bërë kallëzimi dhe kishte mjaft prova që e fajësonin për “korrupsion pasiv”. Para se policia të ndërhynte për kapjen në flagrancë të drejtorit të Stadiumit Kombëtar, biznesmeni kishte shpjeguar në kallëzimin e tij edhe format e presionit që drejtoi i bënte prej një jave, në rast se nuk do i jepte një shumë parash për hapjen e biznesit. Sipas tij, ryshfeti fillimisht ka qenë 350 mijë lekë, por gjatë negociatave ishte ulur deri në 150 mijë lekë të rinj.
KALLEZIMI
Biznesmeni me iniciale P.L. ka kallëzuar për korrupsion drejtorin e Stadiumit Kombëtar, Gazmend Sallaku, pak ditë para se ai të arrestohej. Ai kishte rënë dakord me Sallakun për të marrë një ambient 80 metra katrorë, të cilin do ta përdorte si kancelari, por edhe për tregtim të objekteve e veshjeve sportive, tek Pallati i Sportit “Asllan Rusi”. Në kallëzimin e tij, P.L. ka treguar se me Sallakun kishte bërë një marrëveshje verbale për ambientin tek Pallati i Sportit, rreth një muaj e gjysmë më parë dhe kishin rënë dakord për investimin. Ndërsa nënshkrimin e kontratës së qirasë e kishin shtyrë për datën 15 gusht, kur drejtori i stadiumit, Gazmend Sallaku, të kthehej nga pushimet, kohë kur ai edhe u arrestua. Sipas biznesmenit, drejtori i stadiumit ishte kthyer një javë para datës së caktuar dhe ishte takuar me të tek “Asllan Rusi”, ku ai po kryente punime në dyqanin që do të merrte me qira. Biznesmeni ka deklaruar se kishte investuar rreth 20 mijë euro, për ta rikonstruktuar ambientin dhe për ta mobiluar me pajisjet e nevojshme. Aty ka nisur debati me të, pasi Sallaku, sipas tij, i ka bërë presion që të paguante paratë, në rast se e donte atë ambient, pasi nuk mbante mend të kishin marrë një vendim për të. Në debat e sipër, ata kanë rënë dakord për “taksën”, që fillimisht ishte 350 mijë lekë dhe më pas u vendos të ishte 150 mijë lekë të rinj. Pas kësaj bisede, biznesmeni i është drejtuar policisë dhe është zbuluar gjithashtu abuzimi i drejtorit Sallaku.
Drejtori i stadiumit
Gazmend Sallaku, i arrestuar tashmë për korrupsion, është emëruar pak vite më parë në drejtimin e stadiumit “Qemal Stafa”. Në foton shoqëruese të artikullit të djeshëm, në gazetën “Panorama” janë paraqitur persona që janë ndodhur në rrethana rastësore në Stadiumin Kombëtar, ndërsa redaksia sqaron se ata nuk kanë lidhje me çështjen në fjalë.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











