“Drejtësia kapitulloi pa kushte”

Jul 9, 2011 | 11:13

Kreu socialist, Edi Rama, e cilësoi vendimin e djeshëm të Kolegjit Zgjedhor si një grabitje të dhunshme të rezultatit zgjedhor të 8 majit.Gjatë një deklarate për mediat dje pasdite nga selia rozë, kreu socialist hodhi akuza për drejtësinë që nuk funksionon. “Sot, fjalët tona janë të tepërta, sepse akti i Kolegjit Zgjedhor flet më shumë se çdo fjalë për kapitullimin pa kushte të drejtësisë, nën trysninë e një pushteti kusarësh e matrapazësh që i lejojnë vetes çdo gjë dhe nuk ndëshkohen për asgjë. Sot, fjalët e çdo shqiptari që nuk vjedh janë të tepërta, sepse sot çdo hajdut ka të drejtë ta festojë lajmin që vjedhjen në Shqipëri, ligji mund ta dënojë sa të dojë, po gjykata mund ta lejojë kur të dojë”, u shpreh Rama. Kryesocialisti paralajmëroi një aksion popullor për të shpëtuar drejtësinë, por pa dhënë detaje se cilat do të jenë format e këtij aksioni. “Sot, fjalët janë të tepërta, sepse drejtësia në Shqipëri ka vdekur. Ndërsa opozita do të flasë me një aksion të madh popullor për të ringjallur drejtësinë dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga pengmarrësit e saj”, u shpreh Rama. Sipas tij, Kolegji me vendimin e djeshëm nxori humbësin fitues. “Sot, fjalët tona janë të tepërta, sepse Kolegji Zgjedhor vulosi një grabitje të dhunshme ditën për diell dhe sy për sy, përpara një populli të tërë nxori humbësin fitues duke bërë qorrin e shurdhin si në çdo regjim pa drejtësi. Sot, fjalët tona janë të tepërta, sepse të gjithë e dinë të vërtetën e zgjedhjeve në Tiranë edhe qytetarët, edhe gazetarët, edhe ndërkombëtarët, edhe gjyqtarët, edhe kusarët”, u shpreh Rama. Reagimi i kryesocialistit dhe kandidatit për mandatin e katërt për Bashkinë e Tiranës erdhi disa orë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e Tiranës. Kolegji rrëzoi kërkesën e PS për pavlefshmëri të rezultatit të Tiranës, për shkak të mospërputhjes së tabelave të rezultatit, duke e cilësuar këtë kërkesë jashtë afateve ligjore të ankimimit. Rama paralajmëroi për një reagim popullor në mbrojtje të drejtësisë, ndërsa një javë më parë, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të socialistëve, ai u shpreh për një kurs të ri politik. “Detyrimi për të qeverisur dy të tretat e territorit të Shqipërisë sot dhe koha e shkurtër që mbetet për të marrë nga shqiptarët detyrën për të qeverisur mbarë vendin nesër, imponojnë nevojën e konceptimit të një kursi të ri. Në këtë funksion duhet vlerësuar edhe domosdoshmëria për një jetë të re parlamentare të opozitës, për të cilën duhet të përgatitemi seriozisht dhe intesivisht. Kemi nënshkruar një pakt me qytetarët. Sezoni i ri parlamentar duhet të jetë për ne sezoni i nismave ligjore për afirmimin në sallën e Parlamentit të atij angazhimi solemn. Ky është premtimi që u kemi bërë qytetarëve dhe në opozitë do ta afirmojmë, ndërsa në qeverisje do ta realizojmë”, u shpreh Rama një javë më parë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura