
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vazhduar turin e takimeve me drejtues të industrisë vendase. Rama prezantoi dje dhe pikat e programit të PS-së “Për një Rilindje Shqiptare” lidhur me këtë industri. Duke u informuar për situatën në të cilën ndodhet kjo industri, e cila vetëm në katër muajt e fundit ka humbur 30 mijë vende pune dhe ndien vështirësi kreditimi nga bankat, Rama tha se ka një program të detajuar për të ringritur industrinë e fasonit, e cila punon me porositës kryesisht të huaj. “Ne kemi kalkuluar se në rast se në 4 vite investojmë për nxitjen e prodhimit vendas, ku përfshihet edhe ky sektor, 12 miliardë lekë, përfitojmë 51 mijë vende të reja pune dhe 18 miliardë lekë taksa për shtetin në këmbim. Kërkon një politikë të re shumë agresive që duhet të fokusohet te punësimi dhe të lërë mënjanë gjërat e bëra deri tani”, tha Rama. Gjithashtu, kryesocialisti është shprehur se humbja e 30% të vendeve të punës në 4 muaj është një situatë shokuese, e cila mund të evitohet vetëm duke i mbështetur fasonistët. Nga ana e tyre, përfaqësues të biznesit fason i paraqitën Ramës se ndjehen plotësisht të braktisur nga shteti, pasi nuk kanë as përkrahje, as mbështetje, as financime dhe asnjë lloj lehtësie fiskale, ndërkohë që punësojnë shtresa në nevojë dhe sjellin miliona euro në vend. Si rrjedhim i kësaj situate, këto biznese janë detyruar të bëjnë shkurtime të konsiderueshme të punonjësve, shkurtime që shkojnë deri në 30%.











