
Motivi se përse Mançester Junajtid është skuadra më e titulluar në Angli, është se Siti është historikisht “ekipi tjetër i Mançesterit”.Këtë e kupton në ndeshje si Superkupa, e cila dje zhvilloi edicionin e 89-të të saj. Në ishull ky trofe konsiderohet pak më shumë se një miqësore, por derbi mes të përjetshmit Ferguson dhe milionerëve të Mançinit e bënte më shumë se një ndeshje të zakonshme. Në fund të pjesës së parë situata është e tillë: Siti kryeson 2-0, ndërsa Junajtid ndihet i tradhtuar nga të rinjtë e shumtë që kanë aktivizuar në “Uembli” (veçanërisht portierit De Gea). Me të drejtë, tifozët e “qytetarëve” nisin të besojnë te supremacia e tyre, pasi fitorja duket një hap larg. Por, në fishkëllimën finale rezultati është 2-3 në favor të Junajtid. Në 50 minutat e fundit ndodh gjithçka. “Vogëlushët” e Fergusonit bëhen “djajë” dhe atëherë kur të gjithë mendonin për penalltitë, vjen goli në minutën e 93′. Kampionët fitojnë derbin numër 159 mes këtyre klubeve dhe i sigurojnë plakushit skocez trofeun e 37-të në karrierën 25-vjeçare në “Old Trafford”. Nga formacionet në fushë, të krijohet përshtypja se për Junajtid ky trofe është më pak i rëndësishëm se për Sitin. Në sulm bashkë me Runin është Uelbek në vend të Berbatovit, ndërsa Mançini përveç Tevezit dhe Agueros i ka të gjithë yjet në fushë. Është zëvendësimi tresh që Sër Aleks bën në pushim të ndeshjes (hyjnë Xhons, Evans dhe Kleverlej në vend të Ferdinand, Vidiç dhe Kerrik), që të bën të mendosh se “djajtë e kuq” nuk kanë vendosur të shtyjnë për një datë të ardhshme hakmarrjen ndaj kundërshtarëve të përjetshëm (i eliminuan në gjysmëfinalet e ‘FA Cup’). Ndeshja kishte nisur e ekuilibruar me Junajtid që bënte lojën në 30 minutat e para dhe me Sitin që tentonte përmes kundërsulmeve. Por, në minutën e 38-të vjen goli i parë. Silva ekzekuton një goditje dënimi magjike, De Gea nuk del dhe mbrojtja lejon që Leskot të shënojë me kokë. Nuk patën as kohën për t’u organizuar, sepse Xheko (vetëm pak më shumë aktiv se Baloteli) shkarkon një të djathtë potente nga 30 metra dhe De Gea mbërrin me shumë vonesë për të penguar topin të përfundojë në rrjetë. 15 minutat e para të fraksionit të dytë luhen vetëm në portën e të kaltërve. Në minutën e 7-të, i sapoardhuri Eshli Jang ekzekuton një goditje, e cila devijohet nga Smolling dhe ndryshon rezultatin në 2-1. Presioni i 19-herë kampionëve të Anglisë rritet dhe 6 minuta më vonë vjen dhe barazimi me një tjetër gol të rrallë për nga bukuria. Një aksion me shumë pasime mes Klerverlej dhe Uelbek merr vlera, ndërsa preket mjaftueshëm nga Runi. Nani me një gjuajtje tokazi mposht për të dytën herë Xho Hartin. Goditja psikologjike i bën me krah “djajtë” që dinë të fitojnë dhe pa 11-metërsha. Një gabim i Kompanisë në minutën e fundit shtesë nis mesfushorin portugez drejt portës së Sitit. 24-vjeçari është mjaftueshëm gjakftohtë për të bërë 2-3.
Man.Siti 2
Man.Junajtid 3
Golat: Leskot 39′ 45’/ Smolling 52′, Nani 58′, 90+3′
Kartonë të verdhë: Xheko, Riçards, J.Ture, Milner, Kolarov/ Anderson Evra
Arbitër: Fil Doud
Spektatorë: 77.169
Man.Siti (4-3-3): Hart, Riçards, Kompani, Leskot, Kolarov (Klishi 73′), De Jong, J Ture, Silva, Milner (A. Xhonson 67′), Baloteli (Berri 59′), Xheko. Trajner: Roberto Mançini
Man.Junajtid (4-4-2): De Gea, Smolling, Ferdinand (Xhons 46′), Vidiç (Evans 46′), Evra (Rafael 71′), Nani, Kerrik (Kleverlej 46′), Anderson, Jang, Runi, Uelbek (Berbatov 89′).
Trajner: Aleks Ferguson











