Kanë qenë të panumërta çupëlinat e viteve ’80 që kanë provuar me të dashurin skenën e stërvitjes tek liqeni e kush e di sa prej tyre kanë varur buzët pse partneri nuk ishte aq i fuqishëm sa Patrick Swayze… Sa e sa ëndërronin me sy hapur një histori të tillë. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri në fillim të viteve ’90, kur “Dirty dancing” u shfaq për herë të parë në ekranin e TVSH-së nën një dublim gjerman. Gjithçka dukej kaq e paimagjinueshme në një vend të sapodalë nga izolimi… historia, kërcimet e ndaluara në filma aq më shumë në Shqipëri… Ka mbetur i papërsëritshëm, ndonëse tentativat për ta risjellë në të tjera versione nuk kanë munguar. E provuan në vitin 2004 me vazhdimin “Dirty dancing 2 – Havana Night”, por ishte një dështim i vërtetë. Filmi kult mbi kërcimin, i cili u realizua me vetëm 6 milionë dollarë dhe mblodhi 214, do të kthehet në kinema. Kështu ka deklaruar zyrtarisht kompania “Lionsgate Entertainment”. Do të rikthehet Xhoni (Johnny), mësuesi i kërcimit, i cili do të gjallërojë të ndrojturën Bejbi (Baby) (kujtoni shprehjen e famshme: Askush nuk mund ta lërë Bejbin në cep), e cila ka shkuar për pushime bashkë me prindërit, ku u gjend në mes të një bote të shfrenuar dhe sensuale vallëzimi. Kthehet dashuria e tyre e shumë melodi që do të shoqërojnë kërcime dhe dashuri rinore. Ende nuk dihet se sa besnik do t’i qëndrojë ky version i ri atij të vjetrit, aq më pak cilët do të jenë aktorët e rinj dhe muzika që do të jetë një miksim mes hiteve të vjetra e të reja. Filmi do të drejtohet nga Kenny Ortega (i cili ka qenë koreografi i filmit mitik) dhe, ndonëse shumë detaje janë sekrete, xhirojnë zëra se cilët mund të jenë protagonistët… “Mundësia për të drejtuar “Dirty dancing” për mua është si një kthim në shtëpi. Po përpiqem të ribashkoj një kastë të madhe krijuesish dhe jam kaq i lumtur ta rikthej në ekran për brezat e rinj”, është shprehur Ortega. Në vitin 1987 ishte vetëm 24 vjeç, kur u kujdes për koreografinë e filmit që do të çonte drejt suksesit aktorin Patrick Swayze. Fatkeqësisht, Së—ayze nuk jeton më dhe thuhet se edhe partnerja e tij e asaj kohe, Jennifer Grey, ka probleme me shëndetin. Është e pamundur që të zëvendësosh Patrick Swayze, jo vetëm për sharmin dhe zotësinë që ka treguar në atë film, por edhe për fatin e tij tragjik. Dita-ditës qarkullojnë zëra për emrat e protagonistëve të rinj, që nga Zac Efron e Vanessa Hudgens, tek Justin Timberlake, Tom Cruise, Kenny Wormald, Justin Bieber apo Emma Stone, Miley Cyrus etj. Të gjithë emra shumë të dashur për publikun e ri.
“Dirty dancing” ishte një film-simbol i një brezi dhe, si të gjithë filmat që arrijnë të bëhen të pavdekshëm, ka diçka të shenjtë. Ende pa nisur, filmi është mbuluar nga kritikat dhe si të gjitha rivëniet rrezikon të zhgënjejë…











