“Dashnori” i Pinterit, 4 net në “Metropol”

Jun 21, 2011 | 9:40

Përgjatë katër netësh, në skenën e Teatrit të Metropolit vjen  “Dashnori” i dramaturgut nobelist, Harold Pinter. Nën regjinë e Madi Selimit dhe Bora Kullës do të ngjiten në skenë aktorët Devis Muka dhe Ermela Ruri. Si një “provokator” i thekur, në veprën e tij Pinter ngre pyetjen nëse të kesh një të dashur (dashnor/e) është zgjidhja e duhur për të shkundur rutinën e përditshmërisë.
Në kohët moderne nuk mjafton që në një lidhje të jesh thjesht burri dhe gruaja. Nuk mjafton vetëm dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin. Monotonia, jeta plot probleme, oraret e zgjatura të punës, trafiku, zhurma, stresi, paratë, fëmijët, vetmia, karriera… ndikojnë pa dyshim në një lidhje në çift. Jo rrallë shtrati mbetet bosh. Në të tilla rrethana, një lidhje pëson krisjen më të madhe. Rrugët janë dy, ose divorc, ose… një dashnor. Nëse e dyta është një zgjidhje me “mend”, kjo mbetet për t’u parë. Për të shkruar këtë pjesë, printerit nuk i është dashur, veçse të hedhë sytë përreth dhe të shohë në marrëdhëniet sa për sy e faqe të sa e sa çifteve të martuarish.

© Panorama.al

Te lidhura