
“Çështja D” mblodhi 12 artistë në një ekspozitë.
Emrave të njohur të artit bashkëkohor shqiptar u shtohen edhe dy artistë të huaj.
Të jesh në kufi, atje ku ndahet tekno-logjia nga natyra, e brendshmja dhe e jashtmja, intimja dhe publikja, konsumizmi dhe shpirtërorja…
Kjo është gjendja që përçojnë përmes punëve të tyre 12 artistë shqiptarë e të huaj në ekspozitën e titulluar “Çështja D”, në galerinë “Harmony”, me kurator Ardian Isufin dhe koordinator Genc Përmetin. D si dizajni, por ky i fundit shërben vetëm si nxitje për të abstraguar në tema që lidhen drejtpërdrejt me marrëdhëniet që krijon individi me tjetrin apo me gjithçka që e rrethon. “”Çështja D” ka të bëjë me dizajnin si fenomen, si atmosferë artistike, por është përtej tij, sepse të gjithë artistët që marrin pjesë në të, kanë zanafillë një objekt të dizajnit, por vijnë në vepra të pastra arti”, thotë Ardian Isufi, kurator i ekspozitës.
Kur hyn në sallën e ekspozitës, çka të bie menjëherë në sy janë dy zemra gjigante të kuqe, që duken si në një kraharor të hapur që pulson. Është një punë e disa viteve më parë e Isufit, por e instaluar në një formë të re dhe në një kontekst të ri, merr një tjetër domethënie. “U shkon mirë edhe punëve të autorëve të tjerë, të cilat lidhen shumë me njeriun”, thotë artisti.
Imponuese në hapësirën e ekspozitës është puna e skulptorit Arben Bajo. “Vjen me një skulpturë të kohëve të fundit, ku

objektet shkatërrohen dhe ndërtohen përsëri. Ai merr disa objekte utilitare të jetës së përditshme, duke i shkatërruar ato na jep imazhin e një objekti të ri. Një risi e jashtëzakonshme në krijimtarinë e artistit, por edhe të ekspozitës”.
Një pamje e paqtë, një e gjelbër qetësuese për syrin sjell prezantimi i artistes Najada Hamza. Një makinë të veshur me një teksturë bari natyrore, e vendosur në një kufi, një reflektim mbi marrëdhëniet që ka individi me teknologjinë dhe natyrën.
Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen një punë e Ardian Kapos e disa viteve më parë, por që i qëndron më së miri idesë së kufirit. Një makinë grirëse e bojatisur me ngjyra të ndezura mbahet tek këmbët e Krishtit të kryqëzuar. Nga njëra anë elementi shpirtëror, ai i religjionit, nga ana tjetër ai i konsumit të jetës së përditshme.
Fotografi Albes Fusha ka futur një femër në një kuti xhami. Një abstragim mbi çështjen e intimitetit, mbi kufirin deri ku na lejohet të “përgjojmë” mbi jetët e të tjerëve. Mbi këtë ide punon edhe artisti Vladimir Myrtezai, i cili ofron një kolazh, instalacion, që përfshin disa elemente shumë personale, ku secili mund të gjejë diçka nga jeta e tij e përditshme. Por këtij kolazhi intim ai i shton një sinjal alarmi, si ai i ambulancave, apo makinave të policisë, të cilat njoftojnë mbi një ngjarje të rëndë që mund të ketë ndodhur. Sa duhet bërtitur intimja, sa duhet ajo t’u shpallet të tjerëve. Genc Mulliqi paraqitet me dy objekte skulpturore, por që kanë edhe një tingull të brendshëm. “Titullohet ‘Gurët tingëllues’, që përveç imazhit gati lëkuror që kanë, përcjellin dhe një zhurmë që sjell një jehonë si zhurma e detit tek një guackë”, shpjegon Isufi. Pjesë e kësaj ekspozite janë edhe punët e dy artistëve të

huaj, artistit amerikan Jonny Detiger, i cili sjell një panoramë harmonike mes teknologjisë dhe natyrës, mes muzikës dhe rritjes së një peme, por është njeriu ai që i vendos balancat. I pranishëm është edhe arkitekti italian Simone Mazzetto, i cili ka

rikonstruktuar Ambasadën Italiane në Tiranë, duke gërshetuar stile dhe tendenca nga mozaiku, tek tendat me forma, gati alienore, siç i quan Isufi. Premtues vijnë dy artistë të rinj, Ilir Kaso dhe Harri Aleksi, të cilët kohët e fundit kanë qenë pjesë e një sërë aktivitetesh. Përmes evokimit të së shkuarës të skicave të Leonardo da Vinçit, Kaso ndërton një mekanizëm modern, atë të vazhdimësisë së jetës.
Marcel Duchamp në kufi
Një gjetje utilitare e më pas e kthyer në art e artistit francez Marcel Duchamp (1887-1968), u bë pikënisje për ekspozitën “Çështja D”. “Është një vepër e realizuar në apartamentin e tij, që ka lindur si domosdoshmëri hapësire. Duchampi vetë në një apartament të vogël të Parisit zëvendësoi konceptin e disa dyerve me një derë, duke krijuar një marrëdhënie utilitare të hapjes dhe mbylljes së dyerve dhe dhomave njëkohësisht, por që u kthye në një qëndrim artistik, që ka të bëjë me kufirin, me hapjen ose mbylljen e një hapësire. Ai e trajtoi atë si një shaka artistike, që e shoqëroi gjithë dadaizmin dhe pikërisht këtu zë fill edhe ekspozita jonë”, thotë Ardian Isufi.
ALMA MILE
© Panorama.al











