“Çelsi heroik po fitoi në Mynih”

May 16, 2012 | 14:49
Roberto di Mateo

Deri të shtunën e ka stakuar mendjen se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij. Roberto di Mateo është duke e përgatitur finalen e Champions-it deri në detajet më të vogla. Trajneri i Çelsit e ka cilësuar finalen me Bajernin jo vetëm ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij, por edhe më të madhen që yjet e Çelsit mund të kenë luajtur ndonjëherë. Ish-zëvendësi i Andre Vilas Boasit është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që e presin më 19 maj. Ka 4 lojtarë të pezulluar dhe 3 titullarë që janë në dyshim. Terri, Ivanoviç, Meireles dhe Ramirez nuk do jenë në “Alianc-Arena” për shkak të kartonëve. Ndërkohë, edhe pse pritet rikthimi i Luizit dhe Kahillit, Maluda është seriozisht në dyshim. “Pas dëmtimit që mori në ndeshjen e fundit me Blekbërnin, na duhet të presim ende nëse tërheqja e Maludasë është e rikuperueshme deri të shtunën. Unë jam përgatitur për më të keqen. Nëse nuk do të rikuperohen edhe Luizi me Kahillin, dhe duke marrë parasysh 4 lojtarët e pezulluar për shkak të kartonëve, atëherë do të kishim përballë skenarin më të keq të mundshëm. Do të thërrasim disa emra nga ekipi i rezervave në stol dhe më pas të shohim se çfarë do të bëjmë”, – u shpreh pas stërvitjes së djeshme të skuadrës 41-vjeçari. Menaxheri konfirmoi se nuk e ka ende në kokë taktikën me të cilën do të përballojë 4 herë kampionët e Europës: “Po përpiqem ende të studioj opsione të ndryshme në stërvitje dhe kam marrë masa për të gjitha situatat që mund të na rezervojë ndeshja”. Pasi pranoi se humbja me Dortmundin në finalen e kupës nuk do të ndikojë në moralin e bavarezëve, ish-mesfushori i bluve të Londrës nënvizoi: “Ata janë favoritë. Të avantazhuar se luajnë në shtëpi? Ndoshta, por mos harroni se ndonjëherë presioni i tifozëve të kthehet kundër”. Në fund nuk mungon dhe një batutë për rikthimin e mundshëm në stolin e Bromuiç: “Në jetën time nuk jam rikthyer kurrë tek ish-e dashura, nuk ka funksionuar”.

Çeh: Gjermanët mbeten favoritët
I pëlqen të hyjë në “Alianc-Arena” si skuadra që nuk ka çfarë të humbasë, por beson se presioni nuk është në anën e Çelsit, por të Bajernit. “Është një finale dhe shanset janë 50-50. Por të luash në stadiumin tënd, përbën një avantazh në shumicën e rasteve. Sepse ndonjëherë ky favor mund të të shndërrohet në presion, në rast se gjërat nuk shkojnë mirë. Unë nuk mendoj se ata janë favoritë për shkak të përbërjes së skuadrës, por pikërisht prej koincidencës, fatit që do e luajnë finalen në shtëpi. Rezultati i finales varet shumë nga mënyra se si skuadrat do ta përballojnë presionin”, – tha portieri i Çelsit.

Premiot/ Bajerni, “sheik” nga UEFA
Për Bajernin e Mynihut do të jetë ndeshja më fitimprurëse në historinë e klubit. Teksa në finalen e 2010-s përfituan 32.562 milionë euro, këtë vit teksa e organizojnë vetë, rekordmenët kanë siguruar deri më tani 60 milionë euro. Nga premiot e UEFA-s, Bajerni ka përfituar në total 26.9 milionë euro: 7.2 milionë euro nga 4 fitoret dhe një barazim në fazën e grupeve; 3 milionë euro nga kualifikimi në 1/8-at; 3.3 milionë euro nga prerja e biletës në çerekfinale; 4.2 milionë euro nga gjysmëfinalja dhe 5.6 milionë euro nga pjesëmarrja në finale. Në rast triumfi, përfiton edhe 3.4 milionë euro të tjera bonus.

© Panorama.al

Te lidhura