“Burri la fëmijët pa bukë, bleu bombat me celularë”

May 15, 2012 | 14:00

Provat e gjetura në banesën e Shimilit

Arrestimi në Tiranë, besimtari i mbante eksplozivët në derë të shtëpisë.

Denis Shimili, i arrestuar pak ditë më parë në Tiranë si i dyshuar për prodhimin e minave me celular, ishte konfliktuar me bashkëshorten për shkak të përkushtimit të tij ndaj fesë dhe besimit. Një besim, që sipas bashkëshortes e kishte bërë Shimilin të linte shpeshherë pas dore edhe familjen. Ky është shkaku i pretenduar para oficerëve të policisë nga bashkëshortja e tij, R.Mata. Sipas saj, Denis Shimili prej kohësh e kërcënonte dhe dhunonte sistematikisht, pasi ajo i kishte kërkuar llogari për shpenzimet e mëdha në blerjen e librave fetarë, në një kohë që ata kishin probleme ekonomike. Ndërsa për mbrëmjen e 3 majit, ajo ka pretenduar se është kërcënuar me vdekje në sy të fëmijëve nga bashkëshorti i saj. Gjykata e Tiranës zbardhi vendimin e caktimit të masës së sigurisë ndaj Shimilit, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta. Në vendim gjykata zbardh detajet e konfliktit brenda familjes, që çoi më pas në kallëzimin e tij në polici. Pas kontrollit policor në banesë, u gjetën dhe u sekuestruan materialet me të cilat dyshohet se përgatiteshin mina me celular.
NGJARJA SIPAS GJYKATËS
Nga shqyrtimi gjyqësor, mbi bazën e materialeve të ardhura nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, rezulton se shtetësia R. Mata, bashkëshortja e shtetasit Denis Shimili, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë se mes saj dhe bashkëshortit, për shkak të problemeve ekonomike pas lindjes së fëmijës së parë, kanë filluar mosmarrëveshje dhe shpeshherë bashkëshorti i saj ka qenë i dhunshëm me të. Rudina ka insistuar në mënyrë të vazhdueshme pranë bashkëshortit të saj që të punonte dhe të krijonte të ardhura për të mbajtur familjen. Ky i fundit u është kushtuar problemeve të fesë dhe ato para që fitonte nuk shpenzoheshin për sende të cilat do i shërbenin familjes, por për libra fetarë me vlera të mëdha, gjë e cila është kundërshtuar nga kjo e fundit duke kërkuar dhe sqarime. Por, bashkëshorti e ka kërcënuar dhe dhunuar sistematikisht. Kështu, më dt.03.05.2012, rreth orës 22:00, ai ka shkuar në shtëpi dhe pasi kanë bërë debat ai ka nxjerrë një automatik që e mbante të fshehur në një kuti. E ka mbushur dhe kërcënuar në sy të fëmijëve se do ta vriste R. Matën. Ajo po ashtu ka deklaruar se Denisi në pjesën e sipërme të kasave të dyerve të shtëpisë ka pasur lëndë eksplozive, të cilën e ka përdorur dhe praktikuar për të realizuar edhe komandimin e tyre me telekomandë. Në këto kushte, Policia Gjyqësore, më dt. 08.05.2012, ka ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Denis Shimili dhe në të nuk ka arritur të gjejë armën e pretenduar, por në kasën e derës, sipas përshkrimit të bashkëshortes, janë gjetur dhe sekuestruar një aparat “Nokia”, me kartë 069xxxx722, një kapsolle detonatore me dy tela, dy kallëpe të mbështjellë me natriban nga ku dalin fije, materiale këto që janë çuar për ekspertim. Në këto kushte, më dt. 08.05.2012 është bërë arrestimi në flagrance i shtetasit Denis Shimili, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit, kryer përmes mbajtjes së lëndës së dyshuar plasëse”, parashikuar nga neni 278/2 i K.Penal dhe “kanosjes”, parashikuar nga neni 84 i K.Penal.
DEKLARIMI I SHIMILIT
I arrestuari deklaroi se nuk ka kanosur të shoqen asnjëherë dhe lëndën plasëse e mbante për të peshkuar, edhe pse nuk kishte peshkuar ndonjëherë. Mbrojtësi kërkoi të vlerësohej si i ligjshëm arrestimi në flagrancë dhe të caktohej si masë sigurimi ajo e detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, duke qene se nuk është kryer akoma ekspertimi i lëndës së gjetur në banesë dhe nuk dihet nëse ajo është plasëse.

Gruaja e Shimilit do mbrojtje: Më kanosin
TIRANE – Familjarët e Denis Shimilit, i cili u arrestua të mërkurën kur në banesë iu gjetën dy mina me celular, akuzojnë bashkëshorten e tij si përgjegjëse për prangosjen e të shoqit. Dy ditë më parë, 25-vjeçarja Rudina Mata, e shoqja e Shimilit, ka denoncuar në polici kunatat e saj, pasi e kanë kërcënuar me jetë. Njëkohësisht ajo ka kërkuar edhe mbrojtje në Policinë e Tiranës, ku i është plotësuar edhe kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Burime nga Policia thanë se Rudina Mata është paraqitur në Komisariatin Nr.3, duke denoncuar për kanosje 31-vjeçaren Sonada Popën, motrën e bashkëshortit, si dhe gruan e vëllait të bashkëshortit, 27-vjeçaren Iris Shimili. Gjatë deklarimeve të saj në polici, Mata ka pretenduar se pas arrestimit të bashkëshortit të saj, te Rruga e Kavajës, në afërsi të kopshtit “Dine Hoxha”, kunatat e saj, Sonada Popa dhe Iris Shimili, e kanë kanosur për jetën, gjithashtu e kanë dhunuar psikologjikisht. Sipas kallëzimit të saj në Polici, kërcënimi ka ardhur pasi ato e kanë akuzuar se Denis Shimili është arrestuar për faj të saj, për kallëzimin që ajo ka bërë ndaj të shoqit. Policia ka nisur procedim penal ndaj dy grave të kallëzuara për kanosje, ndërsa Rudina Matës iu u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura