
Asnjë zgjidhje për kërkesat e minatorëve të Bulqizës. Sindikalistë dhe përfaqësues të ACR-së vazhdojnë me deklarata, me presione e akuza të ndërsjella; ndërkaq, 700 minatorë prej 50 ditësh nuk punojnë në minierën e kromit në Bulqizë.Qindra minatorë janë tubuar dje në orën 07:00 para portës kryesore të ACR-së dhe së bashku me drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë kanë protestuar paqësisht. Me këtë veprim të tyre minatorët kanë kundërshtuar ofertën e administratorit të ACR-së, Giga Bedineishvili, dhe, nga ana tjetër, kanë treguar besnikërinë e tyre ndaj drejtuesve sindikalistë që i kanë mbështetur në protesta dhe grevën e urisë. Mësohet se çdo ditë minatorët do të grumbullohen në mjediset e ACR-së dhe do të protestojnë deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre, duke bojkotuar vendet e punës. Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, në një intervistë për “Panoramën” deklaroi se miniera nuk do t’u lihet në dorë matrapazëve, por do të jetë e bulqizakëve.
Zoti Koleci, ACR ka dhënë disa zgjidhje për kërkesat tuaja, atëherë pse ju nuk bini dakord?
Kërkesat e minatorëve, sipas gjykimit tonë, kanë mbetur pa përgjigje. Giga Bedineishvili dhe Medat Zogu janë dy përgjegjësit kryesorë të kësaj situate të pazakontë dhe me pasoja për shtetin shqiptar, Bulqizën, 700 minatorët dhe firmën e huaj. Shteti humbet nga eksporti. Bulqiza është zhytur në varfëri. Minatorët përjetojnë ditët e netët më të vështira në jetën e tyre. Ndërkaq, edhe firma e huaj ka humbjet e veta, humbje këto që vijnë nga administratorët e këqij të saj. Përfaqësuesit e firmës austriake nuk e kanë seriozisht zgjidhjen e kërkesave tona, pasi dje mësuam se rritja e pagës me 20% do të jetë rritja bruto, ndërkaq, realisht ajo do të jetë vetëm 11-12%, rritje kjo e papranueshme nga ana jonë. Ne nuk duam rritje fiktive, por një rritje reale. ACR nuk pranon ndërkohë që minatorët të paguhen për ditët e protestave dhe grevës së urisë. Kjo pikë është e panegociueshme. Për faj të saj ne ndërpremë punën. Pastaj, Gjykata e Dibrës e ka konsideruar të drejtë lëvizjen tonë sindikaliste. Kjo është shumë e rëndësishme. Jemi të informuar me një budallallëk tjetër të ACR-së. Ndonjë i “mençur” paska thënë se 700 minatorët aktualë mund të zëvendësohen me 700 të tjerë. Ne i themi Gigës se vetëm po i solli nga Gjeorgjia, pasi asnjë bulqizak nuk do të zinte vendin e punës të minatorëve. Giga po na kujton kohën e muzhikëve.
Këto i thoni sepse administratori i ACR-së ju ka përjashtuar nga bisedimet?
Kol Nikollaj dhe unë nuk kemi dashur në asnjë rast të krijojmë incidente. Ne nuk i kemi frenuar minatorët të takohen me administratorin, por ai vazhdimisht tallet me ta. Është një person shumë ironik, shumë cinik, shumë dashakeqës me minatorët. Kjo urrejtje atij i është injektuar nga administratori i minierës, Medat Zogu. Atë që kërkojnë të na e mohojnë administratorët e ACR-së, na e kanë kthyer minatorët. Ata janë të vendosur që asnjë marrëveshje të mos nënshkruhet pa pjesëmarrjen tonë.
Nuk mendoni se jeni lodhur e stresuar dhe se minatorët duhet të kthehen në vendet e tyre të punës?
Minatorët kanë vendosur të rezistojnë deri në fund. Vërtet një pjesë e minatorëve kanë sakrifikuar më shumë sesa minatorët e tjerë, por kur përballë ke njerëz të papërgjegjshëm dhe aventurierë si administratorët e ACR-së, je i detyruar të lodhesh e stresohesh. Si mund t’i kthehemi punës kur kompania e huaj nuk plotëson realisht asnjë nga kërkesat tona. Bëhet vetëm shou mediatik dhe asnjë më tepër. Ja, sot Giga u kthye andej nga erdhi, madje me helikopter. Është mundi dhe djersa e minatorëve që ai të “fluturojë” me helikopter. Do të qëndrojmë deri në fund, sepse ne nuk mund ta lëmë minierën në duart e matrapazëve të ardhur nga stepat e vendeve ish-komuniste. Një ditë ata do të japin llogari, sepse abuzimi është shumë i madh.
Do të vazhdojnë protestat?
Po. Këshilli sindikal ka rënë dakord që çdo ditë minatorët do të grumbullohen pranë ACR-së në Bulqizë dhe do të protestojnë paqësisht. Një ditë më parë, administratori i ACR-së tha se 500 minatorë janë kundër Kol Nikollajt. Por sot ai u bind se nuk është ashtu. Asnjë minator nuk iu afrua as atij, as Medat Zogut, ndaj vendosën ta braktisin minierën, siç kanë bërë javë më parë. Minatorët janë të betuar që ta fitojnë këtë betejë me një firmë të tillë fantazmë dhe të mbështetur nga strukturat shtetërore.
Ju dyshoni se ACR-ja mbështetet nga qeveria?
Dyshimet janë të forta, pasi kjo firmë është favorizuar padrejtësisht nga strukturat shtetërore. Edhe javë më parë i jemi drejtuar me një apel Kryeministrit Berisha. Nga Bulqiza do t’i dërgoja atij një tjetër mesazh: “Zoti Kryeministër! Të lutem, harxhoji dy minuta dhe na thuaj, kemi apo jo të drejtë të protestojmë për rritje page, kushte më të mira pune, kryerjen e investimeve, largimin e administratorit të minierës etj.?”.
Helikopteri që zgjoi shpresat e minatorëve
Mbërritja e një helikopteri në qytetin e Bulqizës ka rritur shpresat e minatorëve se me të po udhëtonte ministri i Punës dhe pronarja e “Decometal”. Por nuk ka rezultuar kështu. Mjeti fluturues kishte tjetër objektiv. Ai ishte porositur për të transportuar nga Bulqiza drejt Tiranës administratorin e ACR-së në vendin tonë, Giga Bedineishvili. Është e disata herë që minatorët janë zhgënjyer me helikopterët që zbresin në këtë qytet, pasi ata nuk sjellin njerëzit e duhur për zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











