“Bubulina” dhe Athina

Feb 26, 2012 | 10:36

OLSI BAZE

Bubulina” është personazh i romanit “Alexis Zorba” të shkrimtarit grek, Nikos Kazantzakis. Në Kretën e largët dhe të varfër të vitit 1946 jetonte një kurtizane franceze, zonja Hortence, mikesha e Zorbës, personazhit kryesor të romanit. Zonja Hortence, ose siç e quan me përkëdheli Zorba “Bubulina”, jeton me melankoli kohën e rinisë të saj, kur në “gjunjë i binin katër fuqitë e mëdha”. Me këto fjalë ajo nënkuptonte admiralët e flotës franceze, angleze, italiane dhe ruse, të cilët, për arsye lufte dhe gjeopolitike, mbërrinin në Kretë teksa endeshin në Mesdhe. “Bubulina” në rininë e saj kish qenë një vajzë që u jepte “gëzim” admiralëve. Fati e kishte dënuar të jetonte në atë ishull dhe dha shpirt e rrethuar nga  banorët e fshatit që e konsideronin “xenos”, të huaj. Siç e përshkruan shkrimtari, ata bastisën orenditë e shtëpisë së zonjës Hortence sapo ajo “kaloi” në botën tjetër. Kazantzakis ka qenë një shkrimtar gjeni për të përshkuar një ngjarje kaq reale.
Arsyeja përse përcolla rastin e “Bubulinës” ka të bëjë me faktin se historia e saj ngjason në shumë pika me atë që po përjeton Athina në marrëdhënien e saj me BE-në.
Në fundvitin e 1970-s, Francois Xavier-Ortoli, anëtar i kabinetit të presidentit të Komisionit Europian, përgatiste raportin e BE-së mbi progresin e Greqisë, e cila asaj kohe dëshironte të bëhej pjesë e familjes europiane. Komisioni Europian me elegancë i dërgonte vazhdimisht Athinës zyrtare përgjigje negative duke e projektuar të ardhmen e saj në BE në një të afërme të largët. Komisioni Europian, në përgjigjen e tij, arsyetonte se Greqia “nuk kishte një demokraci të përparuar, konkurrenca ekonomike e saj ishte shumë e dobët dhe se një anëtarësim i parakohshëm i saj do të kishte pasoja shkatërruese për ekonominë e vendit”.
Personaliteti më i njohur i kohës, i cili lobonte intensivisht për anëtarësimin e Greqisë dhe që bënte presion të vazhdueshëm ndaj Ortolit, ishte Presidenti francez, Valery Giscard D’Estaing. Ky i fundit i argumentonte kryekomisionerit të BE-së, Sicco Mansholt, se “nuk mund të luajë Platoni në kategori të dytë”. Athina e kishte ulur Presidentin francez në gjunjët e saj njësoj si “Bubulina” admiralin e flotës franceze në vitin 1930.
Anëtarësimi i Greqisë u krye për arsye politike në vitin 1981, shtatë vjet pas rënies së regjimit diktatorial të kolonelëve, kur vendi ishte zhytur në një tranzicion të vështirë politik dhe ekonomik. Athina lidhi një kontratë me BE-në, dhe kjo martesë midis Greqisë me BE-në tridhjetë viteve më vonë, i ngjan një çifti në situatë tragjike, ku secila palë heziton për divorc dhe mundohet të mohojë përgjegjësitë e veta. Një vështrim dhe analizë prapa në kohë na lejon të afirmojmë se kjo marrëdhënie e vështirë kishte filluar që në gjenezën e saj.
Në katërvjeçarin e parë të anëtarësimit të Greqisë, Komisioni Europian kishte hapur 108 procedura shkeljesh ndaj Athinës, e cila kishte shkelur rregullat europiane. Një vit më vonë Greqia tregoi shenja pendese për anëtarësimin. Nëpërmjet Kryeministrit të saj, Andreas Papandreu, ajo deklaronte se nuk e gjente interesin e saj në gjirin e BE-së dhe se partnerët europianë nuk e ndihmonin mjaftueshëm për zhvillimin ekonomik. Me këtë deklaratë, Kryeministri grek zbuloi në një farë mënyre se interesi ngutës për anëtarësim i Athinës lidhej me interesin për të përfituar para, dhe jo me përfaqësimin e ideve politike dhe frymën në të cilën ishte ndërtuar vetë BE.
Kjo deklaratë e detyroi Komisionin të ulej në gjunjët e Athinës pas anëtarësimit të nxituar në vitin 1985. Greqia përfitoi nga “Programi i integruar i Mesdheut” një paketë ndihmash financiare strukturore rajonale, e cila i solli Athinës përfitimin e miliarda eku-ve.
Prej vitit 1989 e deri më sot nga kjo “martesë” Greqia  përfitoi 35 miliardë euro, të cilat e ndihmuan atë të ndërtonte infrastrukturën e saj të rrënuar dhe të ndërtonte një ekonomi të qëndrueshme. Por kjo ndihmë u keqpërdor dhe u abuzua, ashtu siç e pohoi edhe Teodoros Pangalos në një të përditshme greke, ku theksoi se: “Klientelizmi grek ishte i bazuar në shpenzimet shtetërore, të cilat lejuan rekrutimin e funksionarëve, të cilët nuk ishin të nevojshëm”. Nëse këtij “klientelizmi grek” i shtojmë 600 000 mijë bujqit që nuk paguajnë asnjë taksë shtetit dhe që përfitojnë njëkohësisht nga programi i subvencioneve bujqësore të BE-së, një ekonomi tërësisht formale ku askush nuk deklaron të ardhurat e veta, atëherë gjendemi përpara një mashtrimi me përmasa të mëdha. Thëniet e Jacques Delors se në Greqi mashtrimi fiskal dhe financiar janë “sport kombëtar” nxjerrin në shesh një të vërtetë të madhe.
Nëse fshati grek në Kretë ishte përgatitur për ta grabitur banesën e “Bubulinës” në momentin që ajo do të jepte shpirt, grekët për më shumë se 20 vjet kanë qenë në gatishmëri për të vjedhur në mes të ditës vendet europiane dhe europianët, të cilët shikonin taksat e tyre të shkonin në fondet strukturore të BE-së, prej të cilave përfitonin grekët.
Hyrja e Greqisë në eurozonë në vitin 2001 u bë me të njëjtat parametra si aderimi i saj në BE, para kohe.  Greqia kryente shantazh politik të hapur ndaj vendeve anëtare në vitin 2004 duke kërcënuar me veton e saj zgjerimin e BE-së me 9 vendeve të tjera, nëse Qiproja nuk do të ishte pjesë e kësaj vale anëtarësimi.
Gjermania, një mbështetëse e anëtarësimeve të reja, për të mos rrezikuar një veto greke, u ul në gjunjët e Athinës duke e pranuar këtë kompromis politik me pasoja të mëdha. Greqia automatikisht i shtoi Europës një problem politik, i cili rrezikon të shndërrohet në një problem afatgjatë pa rrugëzgjidhje. Duke anëtarësuar një copë ishulli si Qiproja e Jugut në BE dhe duke e lënë një copë tjetër, Qipron e Veriut, jashtë saj, sigurisht nuk do të favorizohej procesi i bisedimeve midis palës greke dhe asaj turke. Në vitin 2001 pala qipriote greke hodhi poshtë dhe planin e OKB-së për bashkimin e ishullit. Tetë vite pas anëtarësimit të Qipros greke bisedimet midis palëve turke-greke-europiane janë në pikën e vdekur.
Në vitin 2001, të gjitha vendet anëtarë të BE-së e kishin të qartë se Athina nuk i plotësonte kriteret e Mastrihtit, dhe çdokush që afirmon të kundërtën, thotë një gënjeshtër të madhe. Në vitin 2004, vetë ministri grek i Financave, Jorgos Alogoskoufis, pohoi zyrtarisht në Samitin e eurozonës, para kolegëve të tij, trukimin e shifrave nga ana e qeverisë greke për të hyrë në eurozonë. Vendet anëtare e kaluan në heshtje këtë fakt dhe u ulën në gjunjët e Athinës. Autoritetet europiane nuk luajtën rolin e tyre, madje as mbikëqyrën financat greke për të evituar katastrofën, e cila rrezikon të gjithë eurozonën.
Greqia është kthyer tashmë në “Titanikun” e BE-së dhe deklaratat e këshilltarit të Kryeministrit grek Papadhimos në një emision televiziv, se marsi mund ta gjejë Athinën jashtë eurozonës, e konfirmon këtë fakt.
Me një borxh prej 160% të prodhimit të saj bruto, Greqia nuk duhet të mundohet as të blejë armë dhe as të grabisë territore të fqinjëve të saj për t’u pasuruar, por i duhet të evoluojë me një mentalitet politik që e tajkalon atë të fshatit grek në tregimin e Katanzakis, që pret me padurim të grabisë në çdo moment.
Greqia, që të shpëtojë nga kriza, i mjafton të ulë ndjeshëm shpenzimet dhe buxhetin e saj marramendës ushtarak duke konsideruar edhe pozicionet e saj politike dhe ushtarake me Turqinë në një kohë që si vend i NATO-s asaj nuk i kanoset asnjë rrezik për sigurinë e saj kombëtare.
Dalja e Greqisë nga eurozona do t’i jepte fund ëndrrës së vitit 1981, një vendimi politik të parakohshëm që rrezikon t’i japë fund vetë konceptit ekonomik dhe politik të ekzistencës politike të BE-së. Për Europën politike kjo do të ishte një tjetër histori dështimi që do t’u shtohej dështimeve të tjera politike dhe do të shërbente si moment për të rimenduar BE në traktate dhe institucionet e tij duke hedhur bazat e një modeli tjetër politik, ekonomik dhe social.
Athina përjeton faktin se tashmë financiarisht ajo është, pa diskutim, një protektorat financiar ndërkombëtar e drejtuar nga një qeveri teknokrate. Greqia është në rolin e “Bubulinës”, që dergjet në shtratin e vdekjes dhe që rrezikon ta bastisin ekonomikisht, siç i ndodhi edhe personazhit të librit të Katantzakisit, ndërsa i duhet të këtë parasysh edhe një shprehje të vjetër të Talmudit, që thotë: “Kur një hajdut nuk gjen mundësinë për të vjedhur, ai vetëbeson se është një njeri i ndershëm”.

© Panorama.al

Te lidhura