
Dëshmitarët e pyetur deri tani nga Prokuroria e Tiranës, e cila po heton falsifikimin e diplomës në degën Menaxhim-Biznesi, mohojnë praninë e Renzo Bossi-t në universitetin “Kristal”.
Organi i akuzës në kryeqytet ka nisur të marrë në pyetje administratën e universitetit “Kristal” në një proces dëshmish formale, sa për të faktuar të dhënat, që në fakt janë marrë edhe prej dokumenteve shkresore. Kështu, pedagogë dhe punonjës të administratës së universitetit privat janë marrë në pyetje në Prokurori thuajse çdo ditë, ku janë pyetur nëse e kanë parë Renzo Bossi-n në ambientet e universitetit dhe nëse kanë kaluar në duar praktikat e tij. Pas pyetjes së dekanëve dhe kancelarit, radha u ka ardhur pedagogëve. Dy të parët që janë marrë në pyetje kanë thënë se nuk kanë dijeni për shtetasin italian dhe ai nuk ka qenë ndonjëherë në leksionet e tyre. Ish-rektori i universitetit “Kristal”, Marenglen Spiro dhe dekani i Fakultetit Ekonomik pranë këtij universiteti, Skënder Kërçuku. Të dy zyrtarët kanë mohuar të kenë dijeni në lidhje me rastin e Renzo Bossi-t, duke hedhur poshtë që ta kenë kaluar emrin e tij në dokumentet shkollore që ata kanë firmosur. Të njëjtat pohime janë dhënë edhe nga dëshmitarët e tjerë të pyetur nga Prokuroria. Dy pedagogë të lëndëve, ku Renzo Bossi figuron se ka frekuentuar dhe është vlerësuar, kanë dhënë të njëjtat pohime, duke thënë se nuk e kujtojnë një person të tillë.
Hetimi për falsifikim
Para pyetjes së dëshmitarëve, Prokuroria realizoi kryerjen e dokumenteve ekzistuese në universitetin “Kristal” në lidhje me “studentin Renzo Bossi”. Nga dosja e tij rezultoi se ai ishte regjistruar në shkollë, por pa diplomën e shkollës së mesme, e cila nuk u gjet. Po kështu, në dosje ndodhej një fotokopje e pasaportës së djalit të ish-kreut të Lega Nord. Nga ana tjetër, rezultoi se Renzo Bossi nuk kishte hyrë në Shqipëri, jo vetëm në kohën kur pretendohej të kishte frekuentuar universitetin privat, por sistemi TIMS nuk kishte regjistruar ndonjëherë hyrje-dalje të këtij personi. Prokuroria rrjedhimisht filloi hetimet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, në këtë rast universiteti dhe personeli i tij. Pas dëshmive të dhëna nga zyrtarët e universitetit dhe personeli, organi i akuzës tashmë duhet të hetojë edhe për mundësinë që firmëtarët e procesverbaleve dhe listave të notave të Renzo Bossi-t, të jenë të tjerë nga çfarë është shkruar në dokumente. Në këtë mënyrë, hetimi për falsifikim është zgjeruar ndjeshëm.
Të dhënat nga Italia
Kopja origjinale e diplomës së Renzo Bossi-t, e cila dyshohet se është falsifikuar, ndodhet ende në Itali. Ajo u sekuestrua në banesën e një financieri të Lega Nord, gjatë kontrolleve që Prokuroria e Milanos zhvilloi në hetimet për keqpërdorimin e mundshëm të financave të kësaj partie. Prokuroria shqiptare ka dërguar një letër-porosi në Itali në lidhje me këtë çështje, duke kërkuar që t’i vihen në dispozicion diploma e shkollës së mesme e Renzo Bossi-t, por edhe diploma universitare. Qëllimi i kërkesës për këto dy dokumente është ekspertimi i tyre dhe konfirmimi nëse ka pasur falsifikim, si dhe mekanizmi si është bërë e mundur të realizohet një gjë e tillë. tr.so
Kamerat e universitetit
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar edhe regjistrimet e kamerave të universitetit “Kristal”. Kërkesa për imazhet filmike është bërë për të verifikuar nëse në ambientet e brendshme të institucionit është regjistruar Renzo Bossi gjatë kohës që pretendohet se ka frekuentuar universitetin. Hetuesit kanë thënë se nga specialistë të universitetit u është thënë se sistemi i kamerave është i montuar vetëm për pjesën e jashtme të institucionit dhe jo brenda tij. Pak ditë pas publikimit të skandalit nga mediat italiane, universiteti “Kristal” deklaroi se Renzo Bossi kishte qenë student i rregullt dhe diploma ishte lëshuar në mënyrë të ligjshme.











