
KORÇE – Kreu i OMONIA-s së qarkut të Korçës, Naum Disho, rrezikon dënimin me 2 vjet burg për dhunimin e varreve të vjetra të Boboshticës. Këtë konkluzion dha dje Prokuroria e këtij rrethi, ndërsa për dy punëtorët, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe, kërkoi dënimin me nga 1 vit burgim, me kusht të mospërsëritjes apo kryerjes së ndonjë vepre penale për 3 vjet. Ata akuzohen për dhunim të varrezave të Boboshticës, me qëllim ndërtimin atje të një rruge me beton për të lehtësuar ceremonitë e përvitshme në memorialin e një ushtari të rënë grek. Por, kërkesa e prokurores së çëshjtes solli reagimin e dy punëtorëve. “S’kam dhunuar varre në Boboshticë dhe as kam nxjerrë eshtra. Jemi të pafajshëm, sepse ne kemi qenë vetëm punëtorë krahu dhe s’kemi pasur për qëllim të prishim varre. Aty s’kemi parë as varre dhe as kocka. Këto janë shpifje”, u shpreh punëtori Alqi Koroveshi. Ai shtoi se nuk mund të mbajë përgjegjësi për nxjerrjen ose jo të lejes për kryerjen e punimeve nga ana e kreut të OMONIA-s, së qarkut Korcë, Naum Disho. Edhe punëtori tjetër, Luan Zaçe, pretendoi pafajësi dhe nuk ishte dakord me dënimin që kërkoi organi i akuzës. I vetmi që nuk reagoi ishte Naum Disho. Ai u shpreh se pretendimet e tij do t’i shprehte mbrojtja në seancën e ardhshme. “Nga hetimet dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe kryetarit të komunës, për ndërtimin nuk është marrë asnjë leje. Pasi kanë kryer punimet në sipërfaqe, kanë dalë eshtra dhe janë gjetur 11 fragmente kockore, të cilat nga ekspertimi kanë rezultuar të jenë eshtra njerëzore. Mbi 10 varre janë dhunuar nga kryerja e këtyre punimeve”, u shpreh prokurorja e çështjes. g.a











