
Asnjë masë për pastrimin. Mbetjet hidhen në rrugë.
Masakra në mjedis. E gjithë zona e Bregut të Lumit, e “helmuar”
Masakra në mjedis ishte rënduar dhe më. Nëse një vit më parë (aq kohë kishim pa kaluar mbi urën e Paskuqanit) malet me plehra dukeshin poshtë, në të dy krahët e saj, tani kanë mbërritur deri te parmakët.
Rastësisht, prapë mbi “bregun e plehrave”. Puna e solli që për të dalë deri në Bathore t’i binim për shkurt nga kjo urë. Kryeqytetasit nuk është se e shkelin shumë. Por, në fakt, me aq sa zgjerim ka marrë periferia, kjo zonë nuk konsiderohet më si më të thellat e të parrahurat. Ura është kufiri ndarës mes territorit që administrohet nga komuna e Paskuqanit prej asaj që është në varësi të Bashkisë së Tiranës. Po të marrësh si pikë referimi ish-Shkollën e Bashkuar e të kthehesh majtas, në rrugën që të çon në Kinostudio, me makinë mbërrin për më pak se 5 minuta. Poshtë urës zona njihet si Bregu i Lumit, ku vijojnë të jetojnë dhjetëra familje rome. Aty plehrat kanë zënë vend me kohë për së gjeri. Është një rreze mbi 300 metra ku ka vetëm plehra. Tashmë të ngjeshura mirë kanë ardhur duke u shtuar në dy këmbët e urës, që duken pak. Do të duhen vetëm disa muaj që të kapërcejnë lartësinë e saj.
Zgjerimi i gangrenës
Përkon me rreth një vit më parë data kur gazeta ka sjellë për herë të parë në vëmendje “helmimin” e lumit të Tiranës nga këto mbetje. Nuk ishte gjë e re të shihnim poshtë grumbujt me mbeturina. Por të vriste syrin teksa kapërceje urën, përkeqësim i frikshëm i situatës në gjithë këta muaj. Për pak plastikat, gomat e makinave e gjithfarëlloj plehrash të tjera kapërcenin parmakët e bllokonin urën. Është e kotë të flitet për ndonjë masë pastrimi në gjithë këtë hark kohor. Teksa qëndrojmë pak aty, një grua e moshuar vjen për të shkarkuar disa qese. Kur e pyesim nëse i hedh përditë mbeturinat aty, na sheh me habi. ”Po, këtu i hedhin të gjithë. Për herë të parë kalon këtej ti? Ku t’i çojmë? Shihe si është poshtë. Se mos prish ndonjë punë”, na thotë e ikën pa na lejuar ta fotografojmë. Një tjetër kalimtar na pohon të njëjtën gjë. ”Të paktën në këta 8 vjet që unë jetoj këtu, vetëm sa janë shtuar plehrat. Ja, tani të zihet dhe ura dhe ndoshta bëjnë ndonjë gjë”, thotë me qesëndi. Ai tregon se askush s’do t’ia dijë se çfarë bëhet përreth. ”Sheh gjithsekush shtëpinë e tij”, na thotë. Kur e pyesim se çfarë do të ndodhë nëse plehrat shtohen derisa t’u mbërrijnë te shtëpitë, ngre supet e ikën. Poshtë, në breg të lumit, duken fëmijë romë që rrëmojnë mes plehrave. Diku më tutje edhe disa të rritur me thasë në kurriz.
Helmimi i Lumit të Tiranës
Lumi i Tiranës vetëm i tillë s’mund të quhet. As duam ta mendojmë gjatë se ku përfundojnë ato çka merr me vete, sa sëmundje mbartin. Ai konsiderohet tejet i ndotur nga ekspertët e mjedisit. Sipas të dhënave të një studimi të realizuar kohë më parë, rezulton se vlerat e nitriteve në ujërat e Lumit të Tiranës dhe ujërave urbanë që derdhen në të, janë nga 4 deri në 32 herë më të larta sesa vlerat e direktivës së BE-së, ndërsa vlerat e koliformeve të quajtura ndryshe fekale, të cilat kanë mbuluar ujërat e lumit të Tiranës, janë 13 herë më të larta sesa standardet e BE-së. Lana dhe Tirana mbledhin ujërat e zeza të pothuajse 900 000 banorëve, ujërat industriale të zonës më të zhvilluar të Shqipërisë, si dhe mbeturinat njerëzore të gjithë Babrrusë, Bathores, Kamzës, Tiranës e Kasharit. Këta lumenj formojnë bashkë me lumin e Tërkuzës së Zezë, lumin Ishëm.
Ndotja sëmur 1500 veta çdo vit
Vendi ynë është një ndër vendet më të ndotura të Europës sipas studimeve më të fundit të bëra nga specialistët e mjedisit. Ndotja është shkaktari i sëmundjeve tek 1500 persona çdo vit në vendin tonë. Përveç ajrit që tejkalon me disa herë normat e lejuara nga BE, lumenjtë dhe deti janë gjithashtu super të ndotura. Në prag të sezonit turistik, monitorimet e kryera dëshmojnë për nivele alarmante të ndotjes së ujërave, çka bën që të kërcënohet rëndë shëndeti i qytetarëve.
Ligji nuk gjen zbatim, asnjë efekt nga masat ndëshkuese
Gjatë gjithë muajit prill është folur jo pak për mjedisin. Vetë Kryeministri i vendit u ka tërhequr veshin kryetarëve të komunave për të marrë masa për pastrimin e mjedisit. Ai ka shkuar dhe më tej, duke deklaruar se do të ketë sanksione deri në ndjekje penale. Mbi 60 kryetarë bashkish e komunash në të gjithë vendin janë gjobitur për mosmenaxhimin e duhur të mbetjeve. Gjobat varionin nga 500 mijë deri në 1 milion lekë. Sidomos javët e fundit u është kërkuar qytetarëve të sensibilizohen për të mos hedhur mbetjet ku të munden. Ligji i ri “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” ndalon hedhjen apo groposjen e të gjitha llojeve të mbetjeve në vende publike. “Mungesa e kushteve dhe standardeve të menaxhimit të integruar të mbetjeve që krijohen brenda territorit të njësive të qeverisjes vendore, ngarkon me përgjegjësi drejtuesit e këtyre njësive, të cilët dënohen me gjobë në vlerën nga 500 000 (pesëqind mijë) deri në 1 000 000 (një milion) lekë”, thuhet në ligj.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











