“Bisha dykokëshe”, politikanët “flenë gjumë”

Feb 4, 2012 | 12:09

Grupet antishqiptare në Maqedoni kanë kompozuar, kënduar e hedhur në Youtube një këngë antishqiptare, fjalët e së cilës janë fyese dhe mallkuese për popullin shqiptar, jo vetëm në Maqedoni, “por në mbarë botën, në tokë e në ajër”. Edhe pse kjo këngë është publikuar në internet me akses të lirë për të gjithë, asnjë politikani maqedonas nuk i është bërë vonë të frenojë publikimin e kësaj kënge që do të shërbejë si një valë tjetër tërbimi mes etnive në vend, qoftë edhe me një fjalim të shkurtër, dhe asnjë politikani shqiptar nuk i ka shkuar ndër mend të bëjë një notë proteste për përgjumjen e autoriteteve në Maqedoni mbi frymën antishqiptare. Mes të tjerash, në tekstin e këngës thuhet: “Kaçakë, leckaxhinj, bisha të zeza dykokëshe, po na nxijnë Maqedoninë. As në tokë, as në qiell për shqiptarët vend nuk ka! Dënoji Zot, rrufeja t’i vrasë, asnjë rrënjë e tyre të mos ngelet”. Sipas agjencisë INA, kjo këngë po përdoret si himn nga tifozët e klubit të futbollit “Teteks” të Tetovës. Autoritetet në Shkup nuk e kanë dënuar publikimin dhe përdorimin e kësaj kënge, megjithëse ndjell urrejtjen mes shqiptarëve dhe maqedonasve, që është në nivele të larta tensioni që pas karnavaleve të disa ditëve më parë, ku u fyen shqiptarët dhe myslimanët. Pas kësaj kanë nisur incidentet njëra pas tjetrës.

© Panorama.al

Te lidhura