“Birra Norga”, përplasje me policinë

Jun 5, 2011 | 9:49
Punëtorët e fabrikës së “Birra Norgës”, dje në protestë

Punëtorët e fabrikës së Birra Norgës përplasen me policët e ruajtjes së godinës, pas sekuestrimit të saj për kredinë e pashlyer të “Raiffeisen Bank”.Gjatë protestës së tyre paraditen e djeshme, punëtorët kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e fabrikës, duke u konfliktuar dhe përplasur fizikisht me punonjësit e policisë private që sigurojnë fabrikën. Në ndihmë të policisë private kanë shkuar forcat e policisë së rendit, të cilat kanë qetësuar situatën dhe kanë nxjerrë nga ambientet e fabrikës disa nga punonjësit që mundën të futen me forcë nga kangjellat e rrethimit të fabrikës. Punonjësit e kompanisë “A&B Grup”, e cila zotëron fabrikën e prodhimit të Birrës Norga, protestojnë jo vetëm për bllokimin e aktivitetit të tyre nga banka, por edhe kundër dëmit të madh ekonomik e social, që banka ka bërë me vendimin e saj për sekuestrimin e pajisjeve të fabrikës, si dhe shkatërrimin e aparaturave kryesore të fabrikës, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit, në një kohë që prodhimi ka qenë në proces e sipër. Punëtorët i kanë bërë thirrje dhe një herë bankës që t’i japë fund masakrës që po i bën kësaj kompanie, të lejojnë të marrin paratë pronarët për të paguar punëtorët dhe të mos bllokojnë llogaritë financiare të tyre. Ata, edhe dje i kanë bërë thirrje të përsëritur kryeministrit Berisha, Presidentit Bamir Topi, kryeparlamentares Topalli, që të ndërhyjnë në kohë, pasi po prishet jo vetëm një nga bizneset më të mëdha në vend, por po hidhen në rrugë mbi 200 punëtorë, si dhe 200 familje vlonjate, të cilat që prej 6 ditësh kanë ngelur pa bukë në mes të katër rrugëve, duke i penalizuar këto familje për tekat e bankës. Sipas pronares së kompanisë “A&B Grup”, protesta e dy ditëve të fundit e punonjësve, që është organizuar nga vetë ata, me të drejtën për të filluar punën dhe ushqyer familjet e tyre, sepse u larguan dhunshëm nga vendet e punës së tyre ku punojnë prej 20 vitesh dhe ushqejnë familjet e tyre. Sipas pronares Bukurie Haxhiraj, bllokimi i biznesit pikërisht në këtë moment ka treguar se drejtori i “Raiffeisen Bank” nuk ka qenë i interesuar që të marrë kredinë, por më tepër që të shkatërrojë biznesin dhe të marrë me dhunë gjithë pronat e kësaj kompanie, sepse, me sa duket, i duhen vetëm ato dhe jo paratë. Punëtorët, pas dy orësh proteste para fabrikës, janë larguar, me premtimin se do të vazhdojnë protestat para fabrikës dhe bankës edhe në  ditët në vazhdim, derisa të fitojnë të drejtën e tyre për të rifituar hapjen e fabrikës, rifillimin e punës dhe marrjen e rrogave për të ushqyer familjet e tyre, ashtu si dhe më parë. Protestat, sipas tyre do të jenë më të mëdha e më të ashpra ditët në vazhdim.

Konflikti

Prej 4 vitesh, shoqëria “A&B Grup” ka marrë një kredi prej 19 milionë eurosh, prej së cilës nuk janë shlyer 11 milionë euro. “Raiffeisen Bank” ka kërkuar bllokimin dhe sekuestrimin e pronave të kësaj shoqërie, me pretendimin e mospagesës së kësteve të fundit të kredive. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e shoqërisë thonë se konflikti ka nisur prej 1 viti, pas ardhjes në detyrë të drejtorit Kristian Kanakaris, i cili tenton të përfitojë pronat e tyre.

Fratari: Kontratat favorizojnë bankat, interesat janë të lartë

Kontratat që bankat nënshkruajnë me bizneset për kreditë janë të njëanshme dhe favorizojnë të parat, duke përjashtuar kështu trajtimin si partner të biznesit. Për presidentin e Konfindustrisë Shqiptare, Hajredin Fratari, interesat e lartë që bankat aplikojnë ndaj këtyre kredive, janë ato që në disa raste “mbysin” një biznes dhe aftësinë e tij për ta kthyer në kohë këstin e kredisë. Lidhur me rastin e Birrës Norga dhe Raiffeisen Bank, Fratari shprehet se banka duhet të ishte treguar më e kujdesshme dhe të kishte bërë një analizë të situatës së kompanisë dhe, më pas, kur të ishin konsumuar të gjitha, të kishte shkuar tek hapi i tanishëm. Kështu, ai sugjeron një analizë të hollësishme të të gjitha mundësive për ta zgjidhur këtë problem dhe t’i jepet dorë biznesit për të superuar krizën. “Flasim për interesa të çmendur kredish për biznesin. Nuk po shkoj më larg se shteti fqinj Italia, ku kreditë jepen me interesa minimale 3.8-3.4 për qind, kurse tek ne interesat janë me numra dyshifrorë. Duke iu referuar rastit të Birrës Norga, e cila pretendon se ka shlyer 8 milionë euro, mendoj se është një shumë e konsiderueshme që është shlyer. Pikërisht për këtë duhet të ishin kërkuar zgjidhje të tjera”, shprehet Fratari. Ai i mëshon faktit që bankat dhe biznesi duhet të trajtojnë njëra-tjetrën si ortake.

Kredia mund të ngrihej për një vit

Bankat dhe biznesi duhet që në kohë vështirësish të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të hartojnë plane fitimprurëse për të dyja palët. Kreu i Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë, Alban Zusi, lidhur me rastin e Birra Norga dhe Raiffeissen shprehet se në një rast të tillë do të ishte e sugjerueshme edhe një ngrirje kredie për një afat të përcaktuar. “Kjo ndodh kudo në Europë. Kur një biznes humbet aftësinë për të paguar këstet e një kredie së bashku me bankën, bën një plan biznesi të detajuar dhe të shtrirë në kohë, se si do ta kalojë këtë krizë. Për një vit mund të ngrihet kredia dhe të mos paguhen këstet e, në momentin që biznesi ka krijuar likuiditet, fillohet edhe një herë me procedurën. Nga kjo përfitojnë edhe banka, edhe biznesi”, shprehet Zusi për gazetën. Ai thekson se pjesa më e vështirë për situata të tilla kur mbyllet një biznes, është ajo që lidhet me të punësuarit që janë pas tij të cilët do të humbin të ardhurat e tyre. Në këtë pikë, sipas Kreut të Shoqatës së Eksportuesve, edhe shteti duhet të përfshihet në këtë çështje dhe të gjithë të gjejnë zgjidhjen që ka kosto më të ulët.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura