“Birra Korça” vlerësohet në Forumin Ekonomik të Vjenës

Jun 20, 2012 | 14:30
Stenda shqiptare në aktivitetin e Forumit Ekonomik në Vjenë

Për të 11-tin vit radhazi është organizuar në ambientet e Ambasadës së Ukrainës në Vjenë, aktiviteti tradicional – Garden Party i Vienna Economic Forum. “Udhëtim kulinar dhe kulturor në vendet partnere të Vienna Economic Forum”. Nën këtë moto, aktiviteti kishte për qëllim promovimin e traditave kulinare, pijeve tradicionale dhe muzikës së vendeve anëtare të këtij Forumi. Me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Sllovenisë, Turqisë dhe Ukrainës, të pranishmit kanë shijuar produktet tradicionale. Vizitorët janë tërhequr veçanërisht nga birra e njohur “Korça”, konjaku “Skënderbeu”, vera e prodhuar nga firma “Çobo” dhe rakia tradicionale. Birra “Korça” u preferua dukshëm nga vizitorët, të cilët patën mundësinë të provonin shijen e saj dhe produkteve të tjera tradicionale. Aktiviteti u hap nga sekretarja e Përgjithshme e Vienna Economic Forum, —ambasadorja Elena Kirtcheva. Ajo pasi bëri një ekspoze te shkurtër të punës së këtij forumi, theksoi se një aktivitet i tillë i afron më shumë vendet e Europës Juglindore me Austrinë. Personeli i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Vjenë, nën kujdesin e ambasadorit Vili Minarolli, me gatesat e përgatitura vetë, u kujdes që në tryezën e kësaj ambasade të paraqiteshin traditat kulinare nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Megjithëse dendësia në aktivitet ishte e madhe, ra në sy prania e shumë vizitorëve në tryezën shqiptare. Në këtë aktivitet morën pjesë presidenti i këtij Forumi, ish-kancelari i Austrisë, Erhard Busek, ambasadorët e vendeve anëtare të Vienna Economic Forum dhe shumë ambasadorë të tjerë e eurodeputetë.

© Panorama.al

Te lidhura