“Bare refuzoi varrimin e nënës”

Jul 22, 2011 | 12:00

Aldo Bare, i dënuar me burgim të përjetshëm si “kreu” i “bandës së Lushnjës”, ka vendosur dje të mos shkojë në varrimin e nënës së tij, e cila ndërroi jetë dy ditë më parë.Bare, sipas burimeve zyrtare nga burgjet, ka firmosur dje një deklaratë, ku shprehet se nuk dëshiron të dalë nga burgu e të marrë pjesë në ceremoni. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve konfirmuan se ishte vullneti i të paraburgosurit Bare, që të mos lëvizte nga paraburgimi 313. Me sa duket, vetë Bare e ka vlerësuar si të rrezikshme daljen e tij nga vendi i fortifikuar në të cilin mbahet. Aktualisht, Bare mbahet në paraburgimin 313, në kushte të larta sigurie, ndërsa dosja në ngarkim të tij ndodhet për shqyrtim në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pohuan dje se janë vënë në dijeni për humbjen e jetës së familjares së të paraburgosurit Bare, përmes një shkrese të paraqitur nga mbrojtësi i tij ligjor. Mësohet se në këtë shkresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve i bëhej me dije fakti që e ëma e Bares kishte ndërruar jetë, si edhe orari i zhvillimit të ceremonisë mortore. Po sipas burimeve, shkresa i është bërë me dijeni institucionit të paraburgimit 313 në Tiranë. Në vijim kanë qenë autoritetet e këtij institucioni, mes të cilëve edhe juristi i paraburgimit 313, ata që ia kanë bërë me dije lajmin e hidhur të dënuarit nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda. “I paraburgosuri Aldo Bare nuk ka kërkuar që të jetë i pranishëm në ceremoninë mortore të nënës së tij, e cila u zhvillua dje në orën 11.00”, konfirmoi dje për “Panorama”, zëdhënësja për shtyp e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Blerina Gjerazi. Njëkohësisht, bëhet e ditur se autorizimin për lejimin apo jo të të pandehurit Aldo Bare duhet ta miratojë Prokuroria për Krimet e Rënda, e cila ka hetuar çështjen në ngarkim të tij. Kjo, për shkak se ndaj Bares ende nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë. Në këtë mënyrë, ndonëse ai është i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, procesi gjyqësor ndaj tij vijon në Apel dhe ai gëzon statusin e të paraburgosurit. Aldo Bare u deklarua fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në 28 mars të vitit 2011. Sipas një pesësheje gjyqtarësh, ai u deklarua autor i kryerjes së një sërë veprash të rënda penale, përfshi atë të “vrasjes me paramendim”.           ar.ba

Precedenti me Dritan Dajtin

Një histori e ngjashme me rastin e fundit të Aldo Bares ka ndodhur dy vjet më parë më Dritan Dajtin. I akuzuari nga Krimet e Rënda për vrasjen e katër efektivave të policisë në Durrës, pati vështirësi në takimet me familjarët. Kjo, pasi kërkesat e bëra në burgje u refuzuan me argumentin se njoftimi dhe kërkesa për hyrje në burg për takime duhej bërë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që hetonte çështjen dhe jo pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në fund ishte prokuroria që dha miratimin.

© Panorama.al

Te lidhura