“Banda në SHBA u drejtua nga Shqipëria”

Jul 15, 2011 | 11:39

Arif Kurti, i arrestuar për trafik droge në Shqipëri që nga shtatori i vitit 2008, ia ka dalë që të “komandojë” nga burgu një pjesë të mirë të bandës me 37 anëtarë që u arrestuan ditët e fundit në SHBA.”Wall Street Journal” shkruante dje se “njëri nga kapot autoritarë” të bandës që kryente trafik droge në tri kontinente, pikërisht 41-vjeçari Arif Kurti, ka dhënë instruksione për lëvizjen e drogës dhe aktivitetin kriminal edhe pse ndodhej në burg në Shqipëri. E gjitha kjo është realizuar me një BlackBerry, që mediat amerikane citojnë se është futur kontrabandë në burgun ku mbahet i arrestuari nga Gjakova, i dënuar nga Krimet e Rënda në Tiranë. Prokurorët amerikanë besohet se kanë përgjuar komunikime të personit të burgosur në Shqipëri me shtetasit e vënë në pranga së fundi në SHBA nga DEA, e cila ka arrestuar rreth 37 veta. “Një nga drejtuesit e bandës, që supozohet se ka drejtuar skemën kriminale, është duke vuajtur një dënim prej pesë vitesh burg në Shqipëri. Ai, duke përdorur telefonat celular ‘BlackBerry’ të futur kontrabandë në burg, ka drejtuar një pjesë të bandës”, kanë thënë prokurorët amerikanë. Ata shpjeguan se për këtë shkak, SHBA planifikojnë të kërkojnë ekstradimin e tij nga Shqipëria për t’u përballur me gjyqin në SHBA.
Organizata kriminale njihet me emrin “banda Thaqi”, e cila e ka marrë emrin sipas identitetit të shtetasit Gjavit Thaqi, njëri nga eksponentët kryesorë të organizatës kriminale në fjalë. Thaqi, Arif Kurti dhe Gjevelin Berisha konsiderohen se janë tre drejtuesit e organizatës kriminale që filloi veprimtarinë e vet në vitin 1999. Sasi droge mësohet se janë futur në Shqipëri nga banda, fshehur në makina luksoze të reja që silleshin “për shitje”.
Narkotrafiku
Sipas aktakuzës së paraqitur nga autoritetet amerikane, rrjeti përfshin disa familje shqiptare, të lidhur me qindra punëtorë dhe klientë në tri kontinente ku bëhej qarkullimi i drogës dhe pastrimi i parave. Ky rrjet, i cili vepronte prej më shumë se një dekade, thuhet në një njoftim të Departamentit të Drejtësisë, mendohet se është përgjegjës për importimin dhe shpërndarjen e dhjetëra mijëra kilogramëve marijuanë nga Kanadaja dhe Meksika, sasi të konsiderueshme të MDMA-së nga Holanda dhe Kanadaja, qindra kilogramëve kokainë nga Meksika, Kolumbia, Venezuela dhe Peruja, si dhe sasi të mëdha pilulash, si oksikodonë. Droga shpërndahej në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Nju Jorkun, Kaliforninë, Xhorxhian, Koloradon dhe Floridën, si dhe në Kanada dhe Europë. Sipas aktakuzës dhe materialeve të tjera gjyqësore të paraqitura nga qeveria, hetimi katërvjeçar zbuloi se shumica e marijuanës kontrabandohej nga Kanadaja dhe Meksika e fshehur në rimorkio traktorësh, zakonisht nga 50 kilogramë për ngarkesë, ndonjëherë edhe nga 600 kilogramë.
Dërgesat e marijuanës ruheshin në magazina dhe vende të tjera në lagjet “Bruklin”, “Kuins” dhe “Bronks” të Nju Jorkut para shpërndarjes.
Sasi të ndryshme kokaine merreshin nga burime në Shtetet e Bashkuara dhe eksportoheshin në Shqipëri dhe vende të tjera të Europës, të fshehura brenda makinave luksoze, nën kujdesin e shitësve gjoja të ligjshëm të makinave, por që kontrolloheshin nga pjesëtarët e rrjetit. Në kohën e arrestimeve te djeshme, rrjeti dyshohet se ishte përfshirë në negociata për të marrë qindra kilogramë kokainë nga burime në Amerikën e Jugut për transportim nëpër Shtetet e Bashkuara për në Kanada dhe në Europë.
Hetimi i qeverisë zbuloi më tej se rrjeti shfrytëzonte shërbimet e një organizate kanadeze për pastrimin e parave me qendër në Kanada, e cila akuzohet si përgjegjëse për pastrimin e më shumë se 15 milion dollarëve të ardhura nga narkotiku në një vit të vetëm. Zakonisht, pastruesit e parave i merrnin paratë e drogës në Nju Jork dhe ua dorëzonin ato furnizuesve kanadezë dhe meksikanë.

Të akuzuarit

1. Xhavit Thaçi, 40
2. Arif Kurti, 41
3. Gjevalin Berisha, 31
4. Carlos Alvarez, 28
5. Shkelqim Bakraqi, 25
6. Robert Bonura, 32
7. John Cekaj, 41
8. Martino Cekaj, 33
9. Giovanni Difuçia, 38
10. Brian Dublynn, 34
11. Arvy Ebrahime, 29
12. Hector Flores, 39
13. Angelo Germano, 37
14. Jeton Gjidija, 33
15. Lee Karaqi, 36
16. Robert Karaqi, 39
17. Hasan Kurti, 40
18. Ibrahim Kurti, 38
19. Bajram Lajqi, 36
20. Selman Lajqi, 39
21. Alessandro Latino, 35
22. Lauretta Lokaj, 40
23. Nikola Lukaj, 39
24. Nicholas Masi, 49
25. David Mclean, 45
26. Fatmir Mehmeti, 33
27. Faik Mehmeti, 36
28. Nefail Mehovic, 27
29. Valter Memia, 28
30. Alberto Mercado, 41
31. Magdalena Nikollaj, 38
32. Mal Rexha, 49
33. Robert Rudaj, 37
34. Lance Schoner, 27
35. Lester Zaborski, 38
36. Agron Zenelaj, 32
37. Darius Rivera, 38

SHBA, prokurorja: Dëshmitarët në rrezik, banda të mbahet në burg

Arif Kurti, një nga të akuzuarit

Prokurorët amerikanë kërkuan mbajtjen në paraburgim për shumicën e personave të arrestuar në operacionin e Antidrogës në Nju Jork. “Zëri i Amerikës” njoftoi dje se prokurorja Loreta Linç, në një letër drejtuar gjykatës dhe të publikuar sot nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, thotë se personat e akuzuar, shumica me origjinë shqiptare, përbëjnë një rrezik serioz për komunitetin. Arsyeja që jep prokurorja është se të akuzuarit përballen me burgime të gjata, kanë akses në sasi të mëdha parash, udhëtojnë shpesh jashtë vendit dhe kanë lidhje të ngushta me persona jashtë Shteteve të Bashkuara. Sipas prokurores, ata janë të gjithë anëtarë dhe bashkëpunëtorë të një organizate kriminale ndërkombëtare që vazhdimisht ka kërcënuar dëshmitarët. Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, ky rrjet ndërkombëtar i drogës drejtohej nga shqiptarë me banim në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Europë. Agjentët federalë bënë dje bastisje në shtatë banesa të kontrolluara nga ky rrjet trafikimi, duke kapur 18 armë zjarri dhe qindra fishekë. Ata mendohet se janë përgjegjës për importimin dhe shpërndarjen e dhjetëra mijëra kilogramëve marijuanë nga Kanadaja dhe Meksika, si dhe të qindra kilogramëve kokainë nga Meksika, Kolumbia, Venezuela dhe Peruja. Banda është konsideruar e rrezikshme pasi në fillim të këtij viti, tre anëtarë të saj qëlluan truprojën e një bari në Bronks, pasi dyshuan se ai ishte oficer i fshehtë i policisë që po përgjonte bandën. Një mosmarrëveshje në lidhje me një borxh të drogës ndodhur më vonë, sipas prokurorëve, u bë shkak që grupi të shkaktonte një viktimë më 4 qershor 2011 në një kafene të mbushur me njerëz në Bronks. Anëtarët e klanit nxorën armët, e ndoqën viktimën dhe ndërsa ai po dilte nga dera, e qëlluan në të dyja këmbët, theksojnë raportet e Akuzës në SHBA. Sipas dosjes, organizata kriminale ka pastruar kryesisht në Kanada paratë e drogës duke investuar në biznese të ndryshme që besohet se kapin vlerën e 500 milionë dollarëve.

© Panorama.al

Te lidhura